Shkëlqen Myrto Uzuni, vjen edhe goli i 7-të
Një pjesë e kuqezinjve të kombëtares sonë, këtë të shtunë, kanë qenë protagonistë. Po ju rrëfejmë disa episode të lojërave dhe paraqitjeve të tyre…
Kroaci
Ndër paraqitjet e mira të kuqezinjve në ekipet e tyre, notën më të lartë e meriton Myrto Uzuni. Ish-sulmuesi i kurbinasve, që luan në radhët e Lokomotivës, arriti të shënonte në derbin e Zagrebit, duke barazuar shifrat në 1-1 dhe zhvlerësuar epërsinë e Dinamos, që kishte realizuar e para. Ky ishte goli i 7-të i sulmuesit kuqezi Uzuni, i cili shumë shpejt është ambientuar në kampionatin kroat dhe është kthyer në një pike referimi për Lokomotivën e Zagrebit.
Zvicër
Qendërmbrojtësi i kombëtares, Arlind Ajeti, ishte “i miri dhe i keqi” i takimit Grasshopers – Lucernë, që përfundoi 1-3. Në minutën e 51-të mbrojtësi Ajeti shënon me kokë dhe ngushton rezultartin në 2-1, por pa kaluar as 3 minuta, po Arlindi shkakton autogol me kokë dhe fikson fitoren 3-1 për Lucernën. Grasshopersi i mbrojtësit kuqezi Ajeti, renditet i fundit në kampionatin zviceran.
Belgjikë
Sulmuesi shtatlartë shkodran Sindrit Guri sërish spikati me lojën e tij në radhët Ostendes. Edhe në një rol të ri si mesfushor i djathtë, Guri, në minutën e 60-të ishte autor i një asisti për Sakala që shënoi. Por kjo nuk mjaftoi për Ostenden, Vasland-Beveren barazoi në 1-1, duke e lënë të hapur garën për mbijetesë me këtë rival direkt deri në përfundim të kampionatit belg.
Gjermani
Mesfushori i kuqezinjve, Amir Abrashi, i cili luan në radhët e Frajburgut në Bundesligë, është mundur në transfertë 2-0 nga Leverkusen. Në këtë sfidë, Abrashi është aktivizuar për 81 minuta lojë. Pas kësaj humbje, Frajburgu i mesfushorit të kombëtares sonë renditet në vendin e 13-të, e shkëputur nga zona e fundtabelës.