Çela: Me disiplinë taktike dhe ekuilibër, ia dalim
Të dielën në Kamëz (13:45) Kastrioti-Vllaznia për aktin e 18-të superior.
Në dy ndeshje si trajner i Kastriotit ka arritur të marrë katër pikë. Emiljano Çela tekniku 36 vjeçar i krutanëve, duke folur sot për mediat sportive, ka nënvizuar se ndaj Vllaznisë në Kamëz të dielën, do duhet shumë impenjim.
Sipas trajnerit, veç pikëpytejes për Hasanin, grupi është i gjithi në dispozicion. Krutanët në ngjitje edhe pse ende të fundit…
Emiljano Çela shprehet:
Java?
“Shpresojmë të vazhdojmë me rezultatet pozitive. Hyzmetin ia kemi bërë, kemi punuar fort. Kjo javë ka qenë më e gjatë për ne. Jemi munduar t’i shpërndajmë ngarkesat në mënyrën e duhur.
Shpresoj të vazhdojmë me rezultate të mira dhe të rritim nivelin e lojës gjatë gjithë kohës. Jam i bindur se nëse veprojmë mirë në këtë ndeshje, nëse kemi disiplinë dhe rrimë në ekuilibër, mendoj se patjetër do të marrim një rezultat të mirë”.
Vllaznia?
“E kam parë ekipin e Vllaznisë dhe sinqerisht mendoj se është një nga ekipet që luan më mirë futboll në vendin tonë. Është një ekip që e ka automatizuar mjaft mirë mënyrën e lojës, është një ekip që luan poshtë, del mirë në sulm. Do kemi shumë punë për të bërë, është ndeshje e vështirë për ne”.
Formacini?
“Me përjashtim të Hasanit, që nuk e dimë se si do të shkojë deri ditën e ndeshjes, të gjithë lojtarët e tjerë gëzojnë formë të mirë. Shyqyr Zotit që jemi në këtë ditë që janë bërë 15-16 lojtarë që unë i trajtoj të gjithë njëlloj dhe i shikoj si lojtarë formacioni”.