Tirana, “qep gojën” para derbit Nr.154…
Të dielën, në stadiumin “Selman Stërmasi”, për javën e 33-të të kampionatit të 80-të të Superiores do të zhvillohet derbi numër 154 i kryeqytetit, Partizani-Tirana.
Një përballje e veçantë për futbollin shqiptar, plot ngjarje dhe histori, ku rezultati i ka dhënë ngjyra dhe i ka shtuar sharmin këtij takimi të shumëpritur për tifozët e të dy kampeve, si “të kuqve”, ashtu edhe “bardhebluve”.
Në këtë takim të 154-t në historinë midis tyre, Partizani-Tirana, ndeshen në pozita dhe interesa krejt të kundërta.
Fitorja, i kurorëzon “të kuqtë” pas 26 vitesh pritjeje, kampionë në Shqipërisë. Do të jetë titulli i 16-të kampion për Partizanin në historinë e futbollit shqiptar.
Për Tiranën, fitorja do të jetë më tepër “oksigjen” për të mbijetuar në Superiore, ku duhet të zhvillojë edhe 3 takime të mbetura.
Duke pare situatën delikate, burime të sigurta kanë deklaruar për “Sporti IM”, se klubi bardheblu i kryeqytetit ka vendosur heshtje shtypi përpara derbit, këtij takimi me rëndësi të veçantë për fatet e skuadrës së Tiranës.
Me gjasa, ky qëndrim i bardhebluve do të jetë i vlefshëm edhe për takimin e kthimit të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë ndaj Luftëtarit, që do të luhet në mesjavë, po në stadiumin “Selman Stërmasi”.