Gjoka: Ndeshje specifike, duam finalen…

● Rikthehen Shameti, Rama dhe Dzaria, Kukësi i plotë drejt Korçës.E vajtjes, Kukësi-Skënderbeu 2-1
Ndeshje specifike. Kështu e ka quajtur trajneri kampion me Kukësin Ernest Gjoka takimin e kthimit Skënderbeu-Kukësi në program nesër, në kuadër të Kupës së Shqipërisë.
Në fakt, takimi i kaluar mes Kukësit dhe Skënderbeut në gjysmëfinalen e parë, luajtur në Kamëz, ka përfunduar 2-1 për verilindorët. Skuadra e Gjokës, udhëhoqi 2-0, ndërkohë goli i Bregut, pas atij gabimi të portierit Frashëri, ka lënë të hapur çështjen e kualifikimit për finalen e madhe të trofeut të dytë më të rëndësishëm në vënd.
Tekniku tha për “Sporti IM”, se skuadra ka kryer disa seanca të dobishme dhe se e ka përgatitur ekipin për të qënë kompetitiv në fushë. Nga ana tjetër, tiranasi vlerëson kundërshtarin duke e cilësuar përballjen të hapur.
Megjithatë në fund, Gjoka shprehet se ka besim se skuadra finaliste, do të rezultojë skuadra që ai drejton. Nuk harron të shtojë se për të qenë me atraktiv në lojë, do të ketë formacionin më të mirë.
Për Ernest Gjokën, ka disa rikthime që sipas tij, janë determinantë në këtë pikë të garës. “Kemi rekuperuar Ramën, Shametin dhe Dzarian,”– shpjegon kreu i stolit të Kukësit.
“Është një ndeshje specifike për Kukësin. Duam finalen edhe pse përballë do të kemi Skënderbeun në gjirin e të cilit, ka futbollistë me eksperiencë. Rezultati i takimit të parë lë hapur kualifikimin për në finale, ndërkohë që ne besojmë në kualitet dhe forcen tonë. Ndihemi gati, janë marrë masat për të ruajtur avantazhin e takimit të kaluar dhe për këtë do të na ndihmojnë edhe të rikthyerit nga dëmtimi Shameti, Rama dhe Dzaria,”- tha sot trajneri i Kukësit Ernest Gjoka.