Xhixha te Tirana? Pyesni Gurbanov
Klubi bardheblu ia di vlerat, Silvinjo ende nuk e ka ftuar ish sulmuesin e Kombëtares U21.
Nga janari 2023 sulmuesi kurbinas Redon Xhixha militon në radhët e skuadrës më të famshme në Azerbajxhan Karabak duke fituar edhe titullin kampion. E nisi me vrull duke shënuar në kampionat e në Europë por më pas një dëmtim e pengoi të vijontë plot shkëlqim.
Pas rekuperimit sulmuesi 26 vjeçar pati minuta të reduktuar ndërsa trajneri Gurban Gurbanov nisi të shihte ish bomberin e Laçit dhe Tiranës si alternativë. Në këto kushte lojtari shfrytëzoi këtë verë një listë largimesh sezonale për t’i kërkuar klubit t’a linte të lirë. Në fakt, dy tre ekipe (mes tyre një skuadër ukrainase) u vunë në ndjekje të lojtarit por ajo e Sabah (skuadër e Bakusë) ishte vërtetë joshëse.
Me të marrë sinjalin e dëshirës për të lëvizur, situatën në dorë e mori vetë Gurbanov i cili edhe pse në këtë start kampionati nuk po i jep shumë minuta shqiptarit vendosi veton duke deklaruar se:
“Xhixha nuk lëviz për asnjë çmim. Është lojtar shumë i rëndësishëm për planet e Karabak”, mësohet të jetë shprehur 52 vjeçari i cili ka drejtuar edhe kombëtaren azere.
Ndërkohë sot Karabak do të luajë ndeshjen e parë në Europa League në udhëtim me gjigandët e Totenhem (21:00). Nuk është çudi që trajneri azer ta hedhë në fushë Xhixhën pasi pikërisht edicionin e kaluar sulmuesi ishte goledaori kryesor i skuadrës në impenjimet europiane./Sportiim.al/