Grima dhe dy anëtarë te femrat kuqezi me COVID
Shqipëria femra me probleme infektimi para ndeshjes së eliminatoreve të Europianit ndaj Qipros.
FSHF bën të ditur se trajneri Armir Grima i Kombëtares së femrave, futbollistja Mimoza Hamidi dhe përgatitësi atletik, Alban Shala janë me infeksionin Koronavirus. Shqipëria luan nesër ndeshjen me Qipron.
Pjesa tjetër e kampit kuqezi janë negativë dhe gjithçka do shkojë sipas programit. Tre të infektuarit pa shumë komplikacione. Tani janë izoluar.
Njoftimi nga FSHF:
Trajneri i Kombëtares së femrave, Armir Grima, futbollistja Mimoza Hamidi dhe përgatitësi atletik i kombëtares, Alban Shala kanë rezultuar pozitivë me Covid-19 në testet e kryera para ndeshjes së eliminatoreve të Europianit ndaj Qipros.
Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se trajneri dhe dy anëtarët e tjerë të skuadrës janë vendosur në karantinë dhe nuk do të jenë me Kombëtaren në sfidën e së premtes.
Grima, Hamidi dhe Shala janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë shfaqur simptoma. Të tre anëtarët e skuadrës përfaqësuese do t’i nënshtrohen sërish testeve me tampon pas dy ditësh. Ndërkaq, pjesa tjetër e Kombëtares kanë rezultuar negativë në testet Covid-19”.