Elbasani, “shtëpia” e re e Kukësit
Presidenti i verilindorëve, Safet Gjici, duket e ka ndarë mendjen. “Shtëpia” e re, ku do t’i luajë ndeshjet në vazhdim të kampionatit të 80-të kombëtar të Superiores skuadra e Kiukësit, përfundimisht do të jetë stadiumi “Elbasan Arena”.
Këtë e kanë konfirmuar drejtuesit e klubit të Kukësit, të cilët kanë vendosur që ndeshja e javës së 23-të ndaj Luftëtarit, skuadra e tyre do ta zhvillojë në stadiumin modern të qytetit të Elbasanit.
Madje, presidenti i verilindorëve, Safet Gjici, ka vendosur sërish t’i lërë të hapura dyert stadiumit “Elbasan Arena” të hapura për tifozët kuksianë, që duan ta ndjekin dhe ta mbështesin skuadrën e qytetit të tyre.
Më herët, skuadra e Kukësit, disa ndeshje të saj i ka zhvilluar në fushën sportive “Fuat Toptani” të Kamzës, ku banojnë mjaft qytetarë me prejardhje nga qyteti dhe krahina verilindore e vendit tonë.
Këtë ndryshim të stadiumit, klubi i Kukësit, e justifikon me kushtet mjaft të mira të terrenit që të ofron stadiumi “Elbasan Arena” krahasuar me fushën “Fuat Toptani” të Kamzës. Sipas tyre, kjo gjë i jep mundësinë futbollistëve të skuadrës së tyre me aftësi të mira teknike, të shprehen më mirë në fushën e lojës.