Laçi: Elvi Berisha, humb sezonin?
Ishte ndër më të mirët në ndeshjen e fundit që Laçi luajti të dielen në shtëpi me Partizanin.
Faktor në fushë dhe autor i asaj penalltie të shndërruar në gol nga Shtubina. Mirëpo një përplasje me Trashin, ka bërë që talenti fierak i bardhezinjve, të ndiejë dhembje të forta ditët që pasuan.
“Jemi duke punuar mirë dhe deri ditën e ndeshjes do të jemi të përqëndruar për të rezultuar kompetitivë. Grupi është thuajse i plotë, por Berisha duket se do të mungojë shumë gjatë,” – nis fillimisht trajneri Prenga për “Sporti IM”.
Tekniku ecën: “Ky ishte lajmi më i keq i mundshëm. E kisha në planet afatgjatë, por dyshohet se këmba e Trashit, ka krisur kockën e njëres këmbë të lojtarit tonë Berisha. Urojmë të rehabilitohet shpejt,”- mbylli Besnik Prenga.
Kështu, ish-futbollisti i Leganes përfshihet nga një problem shëndetësor serioz që me gjasë, do të shtyjë kthimin e tij në fushë deri në maj.