Olivera rikthehet në Laç me kujtime negative, Vucaj e Shkurtaj…
- Në Laç, si kundërshtarë rikthehen Erjon Vucaj dhe Vasil Shkurtaj. Shkodrani nisi aventurën profesioniste me bardhezinjtë duke u kthyer për disa sezone idhulli numër 1 i tifozerisë.
Sot finalja e biletës së fundit Abissnet Superiore mes Laçit dhe Flamurtarit (16:00) ka tërhequr vëmendjen e sportdashësve të shumtë. Kryesisht në dy qytetet Laç e Vlorë.
Të destinuar të provojnë fatet në 90′ minuta për vendin vakant në Superiore (nëse ka barazim shkohet në shtesë apo penallti) Laçi dhe Flamurtarin i lidh e kaluara e tyre sportive.
Sigurisht ndeshja e fundit luajtur në Kurbin në fund të sezonit 2019/20 përkon dhe me fitoren e Laçit me shifrat 2-1. Asokohe për bardhezinjtë shënonin Nuabueze e Turkaj për vendasit dhe Ardit Hoxhaj për vlonjatët.
Sidoqoftë ajo që bëri përshtypje gjatë atij takimi ishte dalja që në pjesën e parë me karton të kuq të Indio Oliverës. Braziliani më pas teksa skuadra këmbëngulte të merrte barazimin, u fotografua duke ngrënë byrek te dera e dhomave të xhveshjes. Me kalimin e kohës, brazliani i qëndroi ‘stuhive’ në Vlorë dhe sot konsiderohet si pikë e fortë e skuadrës së Eqerem Memushit.