UEFA CFM, programi që vjen në Tiranë nga FSHF me synim rritjen e kapaciteteve dhe vizionit në botën e futbollit

Ashtu sikurse është bërë e ditur edhe më herët, Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë një tjetër edicion të kursit të UEFA-s, CFM (Certificate in Football Management), një program që rrit nivelin e menaxhimit dhe performancës dhe që është shumë i nevojshëm për të gjithë punonjësit e organizatave të futbollit në të gjithë botën.

Për FSHF-në, organizimi i këtij kursi do të thotë shumë. Dhe kjo sepse performanca dhe lartësia e organizimit të edicionit të kaluar nga institucioni i futbollit shqiptar duket se ka qenë në nivelin e duhur. Një program si CFM rrit kapacitetet në fushën e administrimit dhe organizimit të eventeve sportive, në menaxhim dhe mirëorganizim të klubeve apo edhe departamenteve të tyre. Për më tepër, falë këtij programi rritet edhe niveli i përfaqësimit të klubeve dhe federatës në evente ndërkombëtare, që janë shtuar shumë përgjatë viteve të fundit.

Drejtoresha e HR në FSHF, Edlira Jaupaj, e cila është edhe drejtoresha e këtij programi për Shqipërinë tregon për fshf.org se pjesëmarrësit në këtë program përfitojnë, përmirësojnë dhe thellojnë më tepër njohuritë e tyre. “Njohuritë e marra në fushën e planifikimit, strategjive, menaxhimit të burimeve financiare dhe njerëzore, në organizim eventesh , marketing dhe PR , etj ndihmojnë në punën e përditshme, por mbi të gjitha në strategji afatgjata – në hartimin dhe implementimin e tyre . UEFA synon që përmes CFM, të rritet vizioni i klubeve dhe të kualifikohet më tepër i gjithë stafi i futbollit shqiptar” – thotë Jaupaj, e cila flet më specifikisht edhe se ku do të jetë i fokusuar programi i CFM-së, lektorët dhe kur do të nisë.

“Kursi nis më 4 shtator dhe zgjat dy ditë. Pra, me 4 dhe 5 shtator, ndërsa ka edhe vijimësi me 2 seminare të tjera fizike. Por puna nga seminari në seminar është shumë voluminoze sepse ka shumë tema, detyra dhe teste. CFM është një program më tepër i fokusuar në pjesën akademike. Pra të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të lidhin pjesën praktike të një ndeshje apo eventi sportiv me pjesën akademike si sponsorizimi, të dhënat financiare të eventit, komunikimi i tij, organizimi i vullnetarëve etj. Për më tepër, pjesëmarrësit do të kenë mundësi që të trajnohen dhe të mësojnë nga lektorë me emër të UEFA-s dhe jo vetëm, por edhe nga Universiteti i Lozanës, Universiteti i Boçoni-t, Universiteti i Londrës, Bussines school në Spanjë, Universiteti i Glasgow-t, Universiteti i Poitiers në Francë etj” – tregon për fshf.org Edlira Jaupaj.

Në këtë program nuk marrin pjesë vetëm punonjës të FSHF-së dhe klubeve shqiptare, por edhe nga federata të tjera europiane. “Ka pjesëmarrës jo vetëm nga Shqipëria, por nga 10 federata të tjera. Një mundësi shumë e mirë për të gjithë pjesëmarrësit jo vetëm për të shkëmbyer eksperiencat me njëri-tjetrin, por edhe për network-un që krijojnë me njëri-tjetrin, një marrëdhënie që krijon unifikim të botës së futbollit mes vendeve të ndryshme” – thotë drejtoresha e programit, ndërsa flet edhe për risitë e këtij edicioni. “Edicionet përmirësohen nga viti në vit. Ky edicion është konceptuar pak më ndryshe. Modulet ku flitet për futbollin e vajzave, përgjegjësinë sociale dhe vullnetarët janë të kompletuara tashmë. Mund të them që janë tema të reja në CFM, pasi më herët janë diskutuar më pak, ndërsa në këtë edicion do të diskutohet po aq sa edhe temat e tjera.”

Por si e shikon Edlira Jaupaj programin e CFM-së si drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në FSHF? “Është realisht një program shumë i rëndësishëm sepse detyra më e rëndësishme që ka departamenti i HR në Federatën e Futbollit është rritja e kapaciteteve brenda botës së futbollit. Pra jo vetëm në FSHF, por edhe në klube, akademi etj. Kjo sjell ngritjen e industrisë dhe përmirësimin e përfaqësimit tonë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!