Bekenbauer në Tiranë/ Intervista e fundit me mjeshtërit e penës sportive më 1990
- Intervista e rrallë (e fundit me Bekenbauer në Tiranë më 1990) realizuar nga dy ikonat e gazetarisë sportive Besnik Dizdari dhe Bashkim Tufa me legjëndën e futbollit të luajtur Frenc Bekenbauer, ndarë nga jeta sot në moshën 78 vjeçare.
Marrë nga Sporti Shqiptar i kohës,përshtatur sot në portalin:’Sportiim.al’,nga Isuf Myrtaj
——————————————————————-
Vite dhe kampionë: Protagonistë të futbollit botëror në Rubrikën
‘Një jetë me futbollin’
- Me trajnerin e kampiones së botës, Franc Bekenbauer
Me Franc Bekenbauerin, trajnerin e tanishëm të “Olimpikut” të Marsejës, u takuam në fillim në mbrëmjen e së martës në një nga hollet e hotel ”Tiranës”.
Bekenbaueri, tashmë trajner i kampiones së botës, ashtu siç e kemi parë nëpërmjet ekranit të televizorit, simpatik, i veshur thjeshtë, plot mirësjellje u tregua shumë i gatshëm për t’i dhënë intervistë “Sportit popullor”.
Tek stërviteshit në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, ju pamë duke luajtur së bashku me futbollistët dhe na ngjallët kujtime, tek ju shihnim në fushë aq elegant e teknik në veprimet me topin.
“Futbolli është pasioni im kryesor dhe ai më ka dhuruar pasurinë më të madhe të tij: më mban përherë të ri, dinamik e të shëndetshëm.”
Ju jeni nga ata njerëz të pakët, për të mos thenë i vetmi, që i keni arritur të gjitha sukseset që mund të ëndërrojë një njeri që merret me futbollin, kampion i botës dhe i Evropës si lojtar, nënkampion dhe kampion i botës si trajner, aq sa vetëm Zagallo mund t’ju afrohet. E megjithatë, jeta juaj sportive vazhdon…
“Unë e kam lidhur jetën time me futbollin. E pra si mund të ndahesh prej tij? Menjëherë pas kampionatit botëror në Itali pata dëshirë ta lë ekipin kombëtar dhe të bëhem trajner me një klub. Pse? Duke qenë trajner klubi jam në aktivitet të përditshëm ndërsa si trajner i ekipit kombëtar mblidhesh vetem 10-12 herë në vit, se afërsisht kaq i ka ai takimet ndërkombëtare. Kështu nuk ke si të jesh aktiv. Mundësia e dytë që më paraqitej pas boterorit ishte të hiqja dorë fare nga futbolli dhe të merresha me tregti. Unë prap e gjeta arsyen te futbolli dhe dëshira ime që të vazhdoja punën si trajner, triumfoi.”
Një mbresë nga kampionati botëror?
“Italia ‘90” për mua ishte kampionati i pestë botëror, tri herë kam qënë pjesëmarrës në to si lojtar dhe dy herë si trajner. Në këtë hark kohor përshtypjet më të mira i ruaj për kampionatin e Italisë, ku i gjithë publiku në këtë vend e dashuron dhe jeton si pakkush me futbollin. Kjo më ka bërë mjaft përshtypje. Dhe nga ana organizative botërori “Italia ‘90”, ishte i përsosur. Ky për ne ishte një kampionat mjaft i mirë, pasi s’patëm probleme as brenda ekipit, as me gazetarët.”
Po për nivelin e këtij kampionati, ç’mendim keni?
“Kishte ndryshime nga ndeshja në ndeshje. Kishte ndeshje që patën nivel të ulët e këto ishin të pasditës, të cilat luheshin në temperarura deri në 40 gradë C. Ndërsa ato që u luajtën në mbrëmje ishin më tërheqëse, më spektakolare.”
Nga skuadrat finaliste kë admiruat më tepër?
“Italinë. Më erdhi keq që u eliminua nga Argjentina. Dhe pas saj Brazilin, që u eliminua po nga Argjenetina. Pa harruar Kamerunin që ishte zbulim i këtij botërori si dhe Anglinë.”
Po RFGJ-në nuk e admiruat?
“Jam i kënaqur nga të gjithë lojtarët. Ata i realizuan 100 për qind detyrat e dhëna.”
Dhe lojtari që ju la më shumë mbresa?
Bukvaldi, mbi të gjithë Bukvaldi. Ai ishte vërtetë një zbulim për mua.
Po Mateus?
Shumë mirë, shumë mirë!
“Brehme, Klinsman, Fëler…”
“Pa dyshim shumë të mirë. Ata njihen si të tillë dhe prej tyre pritej përherë shumë. Dhe ata e dhanë.”
Në cilin çast besuat se do të bëheshit kampionë?
“Ne ishim përgatitur shumë për këtë botëror. Lojtarët ishin të ndërgjegjshëm dhe punuan mirë. Kur mbarova fazën përgatitore e pashë që ekipi ishte në kondicion të mirë. Pas ndeshjes me Jugosllavinë u bindëm për forcën tonë dhe menduam se mund të ishim në katërshen e skuadrave finaliste. Kur u arrit kjo, atëherë nga ndeshja në ndeshje besimi ynë u rrit vetvetiu dhe pas fitores me Holandën, u bindëm përfundimisht se mund të ishim edhe kampionë të botës.”
Sot në futbollin botëror flitet mjaft për yje si Maradona, Gulit, Van Basten etj. Historia e futbollit botëror na revokon emra të paharrueshëm si Pele, Bebenbauer, Krujf, Mur, Çarlton, Garinça etj. Na duket se këta të fundit do të mbeten simbole, thuajse të paarritshëm. Ku qëndron ndryshimi midis këtyre dy brezave?
“Si t’ju them… Pa dashur të ofendoj lojtarët e sotëm, kam mendimin se më përpara çdo shtet, çdo skuadër, ka patur nga 3-4 yje, ndërsa sot ata janë të paktë dhe propaganda sportive i “fryn” më shumë se sa duhet.”
Edhe në ekipin e RFGJ-së sikur nuk shohim lojtarë të kësaj madhësie.
“Edhe unë nuk di se si ta shpjegoj këtë dukuri. Por kjo s’ngjet vetëm me RFGJ-në. Këtë dukuri e hasim edhe tek skuadra të tjera.”
Mos ndoshta ana komerciale ndikon këtu?
“Jo, jo, kjo s’qëndron. Të gjithë kërkojnë të rrëmbejnë sa më shumë e më shpejt kulme cilësore nga futbollistët. Ja të marrim Andi Mëlerin e “Eintrahtit” të Frankfurtit. Gazetat qysh tani shkruajnë për të dhe e përcaktojnë si një personalitet, ndonëse ai s’është veçse 23 vjeç dhe përveç të tjerave s’është i tillë. Nuk ka durim. Ata duhet të presin edhe 2-3 vjet që ai të bëhet me të vërtetë i tillë. Të gjitha këto ndikojnë keq te përgatitja e futbollistit.”
Që do të ndikojë në ecurinë e së ardhmes të futbollit…
“Për mua niveli i futbollit ka arritur gati-gati të njëjtën kuotë për shumë shtete. Më parë ka patur ndryshime të dukshme në skuadrat, gjë që reflektohej edhe në lojërat e tyre. Sot gjithçka është e barabartë, por dua të shtoj se futbolli gjithmonë do të “jetojë” pasi është sporti më popullor dhe që e duan të gjithë.”
A mendoni se sot trajnerët duke i dhënë përparësi përgatitjes fizike, po i heqin futbollit artin, spektaklin?
“Eshtë e vërtetë. Eshtë e vërte¬të pra që sot i kushtohet më shumë vëmendje përgatitjes fizike se sa lojës me top dhe anës teknike. Këtë e detyrojnë vetë kushtet, se futbolli sot më shumë se kurrë kërkon forcë. Ndryshe nuk mund të fitosh dhe po s’fitove, kuptohet je i dështuar.”
Si e parashikoni nivelin e ardhshëm të futbollit gjerman?
“Gjithnjë të mirë. Edhe bashkimi i Gjermanisë do të ndikojë pozitivisht. Edhe në lindje kemi mjaft futbollistë të mirë për ekipet tona kombëtare.”
Në shtypin botëror sportiv po shkruhet shumë sikur ju keni nënshkruar një kontratë me Federatën e Futbollit të SHBA-së…
“Federata Amerikane e Futbollit më ka kërkuar, por unë kam refuzuar. Amerika ka mjaft sporte të zhvilluara, po jo futbollin. Kur kam luajtur unë me “Kozmosin” kishte një kampionat, ndërsa tani në këtë vend nuk ka as kampionat kombëtar. Dhe pa garë futbolli është i destinuar të vdesë. Do të jetë një sukses i madh sikur SHBA të kalojë ndeshjet në grup. Por unë mendoj se ajo do të dështojë. 4 vjet kohë për të përgatitur një ekip që të konkurrojë në finalet e një botërori në këto kushte, mendoj se është fare pak.”
Tani nja dy pyetje intime. Një nga fëmijët tuaj, i treti Stefani, dimë që luan futboll. Çfarë ka trashëguar ai nga i ati?
“Djalit unë nuk i kam imponuar asgjë. Ai ka talent për të luajtur. Dhe pse ai është veçse 21 vjeç, është i aftë që të luajë në një klub profesionistësh siç po luan në ligën tonë të dytë. Vetëm se për të kudo që shkon ka vështirësi, pasi atë përherë e krahasojnë me mua dhe duan që patjetër t’i ngjajë babait.”
Dhe e dyta. Kemi lexuar se ju ka dalë një problem në Francë, nga që nuk keni lincencën e trajnerit.
“Nuk kam liçencën e trajnerit francez, se ate të trajnerit gjerman tashmë e kam nga federata e vendit tim.”
Çfarë vëren një trajner i kampiones së botës, pra një përfaqësues tipik i futbollit të shquar gjerman kur punon në futbollin francez që njihet si teknik dhe inteligjent?
“Ka një ndryshim esencial, më duket. Futbolli gjerman njeh 90 minuta lojë të pandërprerë, në sulm e në mbrojtje, njëlloj. Pra edhe kur e zotëron topin ti edhe kur e zotëron kundërshtari, lojtari i Gjermanisë është tepër i përgjegjshëm për lojën dhe punon njëlloj. E kundërta ngjet me francezët: kur e zotërojnë ata topin, luajnë bukur ashtu siç thoni ju me teknikë e inteligjencë. Por, kur topin e ka kundërshtari, ata luajnë shumë pak dhe janë larg detyrave, sidomos atyre mbrojtëse. Kështu që them se futbolli gjerman është më i fortë, më dinamik, më i disiplinuar.”
Eshtë hera e tretë që vini në Shqipëri dhe me sa dimë jeni i vetmi njeri i futbollit që keni ardhur me të tre atributet, si futbollist më 1971, si gazetar më 1983 dhe si trajner më 1990. Ju kemi intervistuar edhe para 19 vjetëve nëse ju kujtohet në hotel “Dajti” dhe…
“Aha, po kemi qënë shumë të rinj atëherë…”
Na keni shpëtuar pa u intervistuar në Sarbryken më 1983.
“Po, po, ju mbaj mend dhe ishte një ndeshje e jashtëzakonshme.”
Mjaft e mirë për Kombëtaren e Shqipërisë, apo jo?
“Patjetër. Ishin vetëm 9 minuta lojë dhe ju edhe pse ishit me 10 vetë, RFGJ-ja po eliminohej nga kampionati i Evropës. Ishte e tmerrshme.”
Atëherë, për tre udhëtimet tuaja të roleve të ndryshme?
1971-shi pa dyshim veçohet. Kam ardhur si futbollist dhe kam përfaqësuar RFGj-në dhe kuptohet përgjegjësia e madhe. Jo se tani si trajner i “Olimpikut” nuk ndjej përgjegjësi. Trajneri gjithnjë mbetet trajner, por të përfaqësosh futbollin e një kombi është tepër, shumë më tepër, shumë më me rëndësi.”
Po herën e katërt si do të vini në Shqipëri?
Patjetër që do të vij. Por këtë herë si turist.
Për të përfunduar, diçka për “Dinamon”?
“Në Marsejë, veçanërisht pjesën e parë luajti shumë mirë. Golat tanë qenë të rastësishëm. Rezultati 3:1 do të ishte më i drejtë. Sidoqoftë, duke u nisur nga kjo ndeshje, nuk e besoja që do të luante më mirë në Tiranë. Mendoja që në pjesën e dytë do të binte. Por ja që s’ndodhi kështu, dhe kjo më befasoi. “Dinamo” luajti shumë mirë, shumë e disiplinuar dhe e organizuar. Nuk mund t’i gjej gabime. Largohem nga Shqipëria me mendimin se këtu është shumë e vështirë për të fituar. Përvoja këtë mendim më ka formuar për Shqipërinë.”
Kjo thënie mos i referohet edhe Platinisë?
“Patjetër. Ndeshjen e 17 nëntorit të Francës në Shqipëri që tani e parashikoj mjaft të vështirë për Francën dhe Platininë.”
E fundit. Ç’do t’i sugjeronit kolegëve tuaj shqiptarë?
“T’i përgatisin skuadrat e tyre për të luajtur kështu siç luajti sot “Dinamoja”.”
BESNIK DIZDARI
BASHKIM TUFA
Tiranë 1990