Muçi: Duam vendin e parë në grup, e ardhmja te një klub i …madh

Së bashku me Qazim Laçin, sulmuesi tiranas Ernest Muçi u shfaq sot para mediave për të folur lidhur me miqësoren e së martës me Bullgarinë në ‘Air Albania Stadium’.

I thjeshtë në komunikim, sulmuesi kuqezi teksa luan me Legia Varshavë u ndal te situata e Kombëtares, planet e tij për të ardhmen si dhe rëndësia e testit me bullgarët.

Muçi:

Çfarë e ka ndryshuar këtë skuadër? “Të them të drejtën të gjithë ekipi, të gjithë çunat kanë grintë që ne të shkojmë në Europian. Që nga fillimi I këtyre kualifikuesve, të gjithë kemi pasur këtë objektiv, kështu që të gjithë jemi shumë të lumtur që arritëm që të merrnim një fitore shumë të madhe me Çekinë. Do fokusohemi te këto dy ndeshjet e mbetura, që pse jo të jemi në vendin e parë të grupit”.

Afeksioni i tifozëve dhe minutat e munguara? “Normal jam shumë i lumtur që marr atë lloj afeksioni nga tifozët dhe nga njerëzit që më rrethojnë. Kështu që jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj kombëtareje dhe afër këtyre çunave që më suportojnë edhe mua gjatë gjithë kohës”.

Kalimi në një kampionat të madh? “Për të ardhmen akoma nuk e di. Jam akoma në gjysmën e këtij fillimi kampionati, kështu që duhet të fokusohem akoma. Nuk e di nëse është mundësia, gjithmonë egoja e futbollistit është që të luajë në një kampionat sa më të fortë. Shpresoj që të jap më të mirën dhe të bëhet diçka e mirë”.

Sfida me Bullgarinë? “Të them të drejtën këtë ndeshje nuk e shikojmë shumë miqësore, e shikojmë më shumë si një ndeshje zyrtare. Shpresoj që të luajmë sa më mirë dhe të paraqitemi sa më mire përballë tifozëve tanë. Kështu që do të jetë një ndeshje që do luftojmë shumë dhe do të duam që ta fitojmë”.

Si e gjen veten Muçi brenda këtij ekipi? “Ndihem shumë mirë. Ky ekip ka një harmoni shumë të mire mes çunave të rinj dhe lojtarëve me eksperiencë. Kjo duket edhe në fushë dhe jashtë saj sillemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Atmosfera është shumë e mirë dhe unë ndihem shumë mirë brenda këtij grupi”.

Çfarë ju tha Silvinjo në takim pas dygolëshit kundër Aston Vilës? “Të them të drejtën, përveç komplimenteve kemi folur se si mund të përmirësohem unë si futbollist. Ai më ka ndihmuar që nga hera e parë që jam grumbulluar këtu në Kombëtare. Është një trajner shumë I mirë dhe të gjithëve na ndihmon të bëjmë mirë në klubet tona dhe te Kombëtarja”.

Mesazhet e polakëve, pas fitores me Çekinë? “Te ekipi im edhe për fitoren që bëmë kundër Çekisë shumë nga lojtarët më thanë: Faleminderit që fituat. Edhe unë jam shumë i lumtur që tek ekipet tona kemi krijuar një lloj afeksioni. Për ne është shumë gjë e mirë”.

Ftesa për tifozët për ndeshjen ndaj Bullgarisë? “Shpresoj që shumë tifozë të vijnë dhe të na shikojnë. Ne do të japim më të mirën në këtë ndeshje, të vazhdojmë festën për fitoren me Çekinë. Tani duhet të fokusohemi te Bullgaria”.

Golat e bukur të Jasir Asanit, më parë i keni shënuar edhe ju? “Shpresoj të ndodhë, që të shënoj edhe unë në krahun tjetër. Jam shumë i lumtur për Asanin, që po bën shumë mire. Edhe e meriton. Shpresoj që një ditë dhe unë të bëhem pjesë e kësaj. Jam shumë i lumtur për Asanin sepse po bën shumë mirë dhe e meriton. Shpresoj që një ditë dhe unë të shënoj si ai”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!