Pritshmëritë/ Mesjavë Superiore, “topi” ndal për derbin
Pa ndalesë… Xhiro e 6-të Abissnet Superiore nis nesër (e mërkurë) me tri takime ndërsa mbyll të enjten me duelin Laçi- Dinamo. Partizani- Tirana e parashikuar për këtë javë, e shtyrë për në 19 tetor.
Hap javën Erzeni-Skënderbeu në 15:00 ndërsa Vllaznia- Egnatia ka si start orën 18:00. Mbyll ditën Teuta- Kukësi 20:15.
Forma e skuadrave dhe risitë.
Erzeni-Skënderbeu (15:00)
Erzeni ishte skuadra surprizuese e javës së pestë. Mundi Tiranën në kryeqytet dhe po kalon momentin e artë. Deliallisi i ka të gjithë në dispozicion. Luan në Rrogozhinë si pritës dhe fitorja eventuale ndaj Skënderbeut e ngjit në kohë reale në vend të parë.
Skënderbeu e pësoi nga Kukësi në shtëpi në momentin kur të gjithë prisnin kthesën. Kriza me 3 humbje radhazi vështirëson, paçka se pikërisht në Rrogozhinë befasoi javën e parë teksa fitoi me Egnatian 0-1. Gvozdenoviç i paralajmëruar.
Vllaznia- Egnatia (18:00)
Dueli i së vërtetës. Shkodranët kaluan Teutën por performanca e kuqebluve përpos pikëve (8) shpesh është kritikuar në këto pesë javë. Dëmtimet nuk i ndahën Vllaznisë. I fundit portieri Qarri teksa në ‘infiermeri’ dhe lojtarë si Hakaj, Juriç, Asani, Spahija, Gomes. Memelli në siklet.
Përballë, Egnatia skuadra që po luan futboll me koncept e atraktiv. Sot në 14:00, trajneri Tetova do të dalë para mediave për të folur për sfidën me Vllazninë. Tekniku ka se me çfarë të mburret, Duamena me shokë, janë gati për një tjetër sfidë me ritëm. Do të kthehen Musta dhe Janku, mungon ende Edison Ndreca.
Teuta- Kukësi (20:15)
Iku Longo dhe stoli iu besua sërish Edi Martinit. Koha nuk mjafton për të provuar skema ‘ekstra’ por shkodrani teksa nis aventuren e 5-të me durrsakët ia di ‘kleçkat’ grupit të “Djemëve të Detit”. Në “Niko Dovana” përballë ka një trajner ekspert që jeton në Durrës (Stavri Nica).
Ndërkaq, kur të gjithë ishin gati të nënvizonin humbjen numër 5 në po aq ndeshje të Kukësit, befas një mbrojtës si Endri Reçi realizon golin e javës ndaj Skënderbeut dhe i jep të drejtë Nicës me vendimet rinovuese në grup. Pritet e njëjta skuadër në fushë.
Laçi- Dinamo (e enjte ora 15:00)
Do të jetë sfida e madhe dhe e vetme e ditës së enjte. Bardhezinjtë luajtën mirë por nuk morën pikë në transfretë me Egnatian ndërsa te ‘Dinamo City’ ka javë që janë hapur dyert e territ. Trejneri Bejzade po i ofron publikut një Laç sulmues dhe vetë shifrat (12 gola të shënuar, më shumë se simotrat në garë) jep të drejtë.
Te Dinamo, referuar shifrave negativë (4 humbje në 5 javë), momenti i ktheses. Di Biaxhon nuk e ndihmon transferta por grupi me Rustem Hoxhën e rikthyer nga dëmtimi, rrit shpresën për pikë. Përndryshe, një tjetër italian (pas Longos) mund të braktisë më herët misionin në pankinë…/Sportiim.al/