Konkurenca dhe tri finale, Duka: Lërini llogaritë…

  • ‘Është rritur konkurrenca në ekipin kombëtar’, kreu i FSHF-së: Nuk ishte rastësi fitorja me Poloninë. Lërini llogaritë, kemi edhe tre finale për të luajtur

Fitorja më Poloninë dhe marrja e kreut në grupin E të kualifikueseve të Euro 2024 ka bërë jehonë. I ftuar në emisionin “Opinion” në Klan ka qenë presidenti I FSHF, Arman Duka, i cili ka kaluar në skaner shumë çështje para gazetarëve të pranishëm në panel dhe drejtuesit të emisionit, Blendi Fevziu.
Kreu i FSHF-së e ka nisur me golin e shënuar të Jasir Asanit dhe më tej ka prekur çdo temë, nga kualifikimi në Europian, te puna e trajnerit Silvinjo, paraqitjet e elementëve të veçantë në Kombëtare, rikthimin e Brojës në skuadër, biletat për ndeshjen me Çekinë, përgatitjet për Gjermaninë, ndërsa bëri edhe një thirrje për tifozët shqiptarë në stadiume dhe vlerësoi punën e bërë nga Policia e Shtetit dhe Ministri i Brendshëm, Taulant Balla.
Ndër të tjera, Presidenti Duka nënvizoi faktin se pavarësisht lumturisë që na solli të gjithëve fitorja me Poloninë, nuk duhet të jemi euforikë dhe duhet të përqëndrohemi maksimalisht në tre ndeshjet e ardhshme, ose siç e thotë edhe ai vetë, 3 finalet e ardhshme.

Jasir Asani? – Është futbollist shumë i mirë dhe që befason vazhdimisht. Goli erdhi në momentin e duhur, në një moment – le të themi – pak a shumë të vështirë për skuadrën. Të gjithë ne ishim të emocionuar dhe mbase mendonim që nuk mund të shkojmë drejt fitores, por që ishim pothuajse të kënaqur me një barazim. Ajo aftësi individuale e tij padyshim që ndryshoi pasqyrën e lojës, ndryshoi emocionet në stadium.
Banderola “uno kryqëzimo, duo kryqëzimo, Berlin”… – Kryqëzimin e parë e kemi kaluar, tani jemi te i dyti që është i vështirë. Kemi përballë Çekinë, duhet të kalojmë atë, pastaj të kalojmë dy të tjerat dhe pastaj për Berlin.

A e prisnit rezultatin me Poloninë? – Nuk janë rastësi as paraqitjet, as rezultatet. Janë fryt i punës dhe përkushtimit të ekipit, të djemve, të kualitetit të tyre. Mund të kesh dëshirë dhe përkushtim, por nuk ke kualitet. Pra kualiteti i futbollistëve, stafit, i gjithë opinionit të krijuar, bën që t’i prisja rezultatet. I kemi pritur që nga dita e parë. Objektivi i vetëm i gjithë futbollistëve, i stafit, është kualifikimi për në Europian.

Grupi i balancuar, sa shanse na jep për kualifikimin? – Të tilla grupe të japin më shumë shanse, pasi të gjitha ekipet mund t’i marrin pikë njëra-tjetrës, nuk ka tre pikësha që merren lehtë. Do jenë deri në fund në garë Shqipëria, Çekia, Polonia dhe Moldavia.

Kush ishte frika më e madhe para ndeshjes me Poloninë? – Padyshim që është një kundërshtar shumë i mirë, me kualitete në fushë, me lojtarë si Zielinski, Leëandoëski e të tjerë. Ata që kisha më shumë frikë ishin këta të dy. Edhe nëse nuk luajnë 90 minuta, në një sekondë të ndëshkojnë. Fatmirësisht jo vetëm që nuk na ndëshkuan, por as na rrezikuan. Ekipi ishte i vendosur mirë në fushë. Nëse lojarët i respektojnë detyrat e trajnerit, kanë më shumë shanse të shkojnë drejt fitores.

Shqipëria ka një ekip të plotë, si në fushë, si në stol… – Kemi shumë lojtarë dhe kjo është një armë e fortë, sepse Shqipëria ka në fushë, në stol dhe që nuk janë ftuar, por që kanë pothuajse të njëjtin kualitet. Është një armë tjetër e fortë që të çon drejt rezultatit. Jo vetëm për arsyen e alternativave, por edhe të konkurrencës. Pavarësisht se Cikalleshi është djalë i shkëlqyer dhe i përkushtuar, kur ka konkurrencë përkushtohet më shumë. Vlen për të gjithë kjo, por e mora si shembull që e kemi këtu.

Paraqitjet e Mariot Mitajt… – Mitaj është një futbollist shumë i talentuar, ai është vetëm 20 vjeç. Ka luajtur për herë të parë me ekipin Kombëtar 16 vjeç. Është shumë i talentuar, e keni parë të gjithë. Ka luajtur me të gjitha moshat e Kombëtareve, me Shpresat. Është i lindur në Greqi. Mënyra se si luan të jep përshtypjen sikur është një futbollist me eksperiencë mbi 10-vjeçare. Mendoj se ka një të ardhme të ndritur në karrierën sportive.

Analizat e vajzave në studio televizive… – Ky ekip Kombëtar ka bërë aq shumë, saqë bëjnë opinione dhe analiza shumë të sakta vajzat. Ju duhet të mendoni se sa shumë njerëz ka afruar rreth futbollit ky ekip kombëtar. Nuk mund t’i afrojmë në futboll vajzat se them unë apo me sa i stimulojmë ne, i afrojnë shembujt pozitivë dhe rezultatet pozitive, paraqitjet pozitive. Për këtë thashë që është meritë e ekipit Kombëtar.
Puna e Silvinjos, a jeni i kënaqur? – Silvinjo është goxha i impenjuar, punon shumë dhe e kam theksuar që pak shihet. Shihet vetëm maja e ajsbergut, 11 futbollistët që luajnë në fushë apo ndeshja. Por për të përgatitur një ndeshje është një armatë e madhe, që drejtohet nga Silvinjo. Ai nuk është vetëm, ka një staf prej 20 vetësh. Jam i kënaqur sepse ka krijuar një armosferë pozitive, kryesisht ato që mund të bëjë një trajner i ekipit kombëtar. Përzgjedh mirë, analizon shumë mirë futbollistët e tij dhe kundërshtarin. Motivon shumë mirë, kështu që pse mos të jem i kënaqur. Ka krijuar edhe një atmosferë pozitive. Mbase e kam thënë disa herë, që sot është e vështirë që të gjesh një kritik të Silvinjos në Shqipëri, në një kohë që trajnerët jo vetëm të ekipeve kombëtare, kanë kritika pafund. Nuk ka të bëjë vetëm me rezultatet. Kemi humbur ndeshjen e parë në Poloni dhe përsëri ekipi dhe Silvinjo nuk kanë pasur kritika, sepse ne u paraqitëm mirë dhe shqiptarët e kuptojnë futbollin. Nuk është se të penalizojnë vetëm nga rezultati, penalizojnë në kuptimin kritik e kam fjalën. Kam qenë kritiku i vetëm që ne nuk jemi më për humbje dinjitoze, por duhet të fitojmë.

Si u binda për Silvinjon? – Kemi kontaktuar disa në atë kohë dhe vlerësuam Silvinjon, për arsye të karrierës futbollistike. Nuk është një trajner me një karrierë shumë të gjatë si trajner i parë, por ka qenë në Kombëtaren e Brazilit, me Mancinin, me Lyon etj. Do të doja të shtoja që trajneri është shumë i mirë, stafi është shumë i mirë, por ka edhe futbollistët dinë të zbatojnë atë që i thuhet dhe atë që i jep trajneri. Ne kemi futbollistë sot të një niveli që nuk i kemi pasur kurrë. Kemi 7-8 futbollistë që luajnë në Serinë A dhe luajnë në ekipe, nga 90 minuta. Kemi patur futbollistë që nuk merrnin shumë minuta më parë. Kemi një nivel më të mirë, futbollistë më të mirë, nga i pari tek i fundit, duke nisur nga Berisha e Strakosha e deri te lojtarët rezervë.
Futbollistët kuqezi në moshë të re – Vazhdoj të them që konkurrenca në ekip kombëtar është shumë e madhe, edhe nga të rinjtë. Të shohim se çfarë kemi në stol, Balliu, i cili luan në La Liga. Keidi Bare, i cili luan në Spanjë. Rezervat? Ku e kemi pasur ne luksin të kemi në dispozicion në pankinë këto emra futbollistësh. Kemi Muçin, i cili është një futbollist i talentuar dhe shumë i mirë, që duam ta shohim në fushë, por nuk po i vjen mundësia ende…
Incidentet nga tifozët dhe mbështetja – Gjoba do të jetë e madhe dhe uroj ta kalojmë vetëm me gjobë. Ne nuk jemi Federata Gjermane apo Franceze. Jemi Federatë me buxhete modeste dhe një gjobë 50, 100 apo 150 mijë euro është shumë e madhe. Me një gjobë 50 mijë euro ‘do të ishim të lumtur’. Flakadani nuk është vetëm penalitet, gjoba që do paguajë FSHF apo ndërprerja e ndeshjes. Por ai flakadan mund t’i bjerë dikujt në kokë dhe mund të shkaktojë dëm te një tjetër spektator. Flakadanët janë shumë të rrezikshëm, sjellin edhe viktima. Ishin minimale këtë herë, pak në krahasim me më përpara. Për të thënë të vërtetën, ishte vlerësuar si një ndeshje me risk. Organizimi nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bë maksimal që mos të ndodhte. Po ja që ndodhi. Mund të ishin 5-6 flakadanë gjithësej. Gjejnë mënyra se si t’i fshehin. Policia ka bërë një organizim të mirë për ndeshjen. Vetë Ministri Taulant Balla ka drejtuar të gjithë grupin e punës, por këto nuk duhet të ndodhin. As ato që ndodhin mes tifozëve tanë dhe atyre polakë. Në Pragë kemi pasur më shumë se 3 mijë tifozë. Mbi 3 mijë e 200 bileta kemi shpërndarë ne dhe shqiptarët kanë blerë edhe online. Në Pragë krijuan një atmosferë fantastike. Uroj që të shkojmë në Gjermani dhe besoj se do të ketë më shumë mbështetje në Gjermani sesa në Francë.

Kur dalin në shitje biletat për ndeshjen me Çekinë? – Biletat do të dalin në shitje që këtë javë dhe besoj se sapo të fillojë shitja ‘do të mbarohen’ brenda ditës.

Llogaritë për t’u kualifikuar – Na duhet mos të bëjmë asnjë lloj llogarie, na duhet të përqëndrohemi maksimalisht në ndeshjen me Çekinë më 12 tetor dhe pasi të mbarojmë Çekinë të mendojmë Moldavinë. Duhet të përqëndrohemi, jemi një ekip që mund t’i bëjmë të treja rezultatet me të treja ekipet. Duhet të përqëndrohemi te Çekia. Kemi kaluar më shumë se 50% të rrugës me sukses, por 45% i mbetur është edhe më i vështirë. Nuk ka ndeshje të lehtë. Është e lehtë kur e kalon duke fituar. Por çdo ndeshje është e vështirë përpara. Futbolli ka surpriza dhe të papritura, do impenjim, kualitet, përqëndrim. Nuk duhet ta harrojmë këtë, nuk duhet të jemi euforikë sepse nuk kemi arritur ende në Europian. Në Europian do të arrijmë nëse do t’i luajmë mirë këto tre finale, me impenjim maksimal dhe pak fat. Tani të gjithë çunat kanë arritur në ekipet e tyre dhe uroj që të na kthehen në tetor në formë shumë të mirë.

Organizimi i ndeshjes – Ka pasur tentativa për të pasur shumë flakadanë në stadium. Kontrolli i Policisë ka qenë si asnjëherë më parë nga vetë Ministri Taulant Balla, Drejtori i Policisë dhe të gjithë. Nuk është kënaqësi të dëmtosh kombëtaren. Është dëm nëse dikush nga tifozët tanë të vuajë dënim apo penalitet. Nuk kemi të mira nga flakadanët.

A kthehet Broja në tetor? – Pritet që të jetë në pankinë këtë javë me Chelsea-n. Është i gatshëm për lojë dhe duke qenë i gatshëm për lojë, është i gatshëm edhe për Kombëtaren tonë. Uroj që Broja dhe të gjithë futbollistët tanë të kenë shëndet të plotë. Broja akoma nuk ka qenë në pankinë me ekipin e parë, ka bërë ndeshje me ekipet e moshave të Chelsea-t, por ende nuk është aktivizuar me ekipin e parë. Është gati dhe besoj se do të na ndihmojë.

Pse Strakosha në portë kundër Polonisë? – Jam i gëzuar që Thomas ishte në portë dhe ne fituam ndeshjen. Strakosha është një portier shumë i mirë, të tre portierët që kemi janë gati në të njëjtin nivel. Berisha nuk luajti për arsye shëndetësore.

Ne kemi vetëm shqiptarë që luajnë për Kombëtaren e shqiptarëve. Jemi më mirë se shumë Kombëtare të tjera në Europë. Do t’i japim mundësi të gjithë lojtarëve të luajnë me Shqipërinë. Kemi plot talente, kemi në ekipin U-21 që e nisi me një fitore ndaj Armenisë dhe do të luajë nesër me Rumaninë. Ka futbollistë të gatshëm për t’u afruar në ekipin e parë. Ka lojtarë të tjerë që nuk janë ftuar në këto seleksione, por besoj që do të ketë shumë ndryshime në tetor pas Çekisë. Sepse pas Çekisë do të kemi një ndeshje miqësore me Bullgarinë. Do të shohim talente dhe mund të surprizohemi nga ata që do të ftohen në tetor. Dua që të vlerësojmë maksimalisht ndeshjet dhe nuk duhet të jemi euforikë. Nuk kemi luksin të jemi euforikë, por vetëm me punë, impenjim dhe përqëndrim mund të arrijmë sukses.

Po përgatiteni për Gjermani? – Kemi punuar njëkohësisht edhe për akomodimin në Gjermani. Kemi selektuar 8 qendra akomodimi dhe trajnimi. Është një punë paraprake që duhet bërë dhe jam i sigurt që e ka bërë edhe Polonia.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!