Keko ‘ngjit’ Korabin, Flamurtari mbetet në klasë

Play-off në “Kompleksin Partizani”
Flamurtari – Korabi 1-2 (Kondaj 81’/ Keko 45′, 90+11′)

Finalja e fazës “play-off” të Kategorisë së Parë u diskutua mes Flamurtarit dhe Korabit. Nuk munguan emocionet, rivaliteti, spektakli dhe as surprizat pasi vlonjatët nuk ia dolën të kalonin Korabin për të tentuar më pas ngjitjen në Superligë.

Edhe pse u duk se gjithçka po shkonte mirë për ekipin e Longos, dibranët gjetën të parët golin e avantazhit falë heroit të kësaj sfide, Albers Kekos, në fundin e pjesës së parë.

Reagimi i Flamurtarit vjen shumë vonë me 17-vjeçarin Kondaj që rikthen baraspeshën vetëm pak çaste pasi ishte futur në fushën e lojës. Ky gol i vlonjatëve i bën të gjithë të besojnë se ndeshja do të shkonte përtej 90-minutëshit por nuk ndodhi ashtu.

Dibranët bëjnë surprizën e madhe në shtesën e stërzgjatur prej 11 minutash duke shënuar sërish me Kekon pas një këndoreje. Pretendime dhe tension në fushë pas golit të Korabit me situatën që del disi jashtë kontrollit.

Të gjitha mbi arbitrin Xhaja i cili nuk ngurron të nxjerrë 3 kartonë të kuq në fund të kësaj përballjeje me Markun e Korabit dhe Ramadanin e Bylykbashin të Flamurtarit që ndëshkohen pas sherrit që shpërtheu në fushë.

Kështu, Korabi është skuadra që do të përballet me vendin e tetë të Abissnet Superiore në luftë për një vend në elitën e futbollit shqiptar./S.Gjidiaj/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!