Espargaro rrëzohet keq, kontrolle në spitalin e Faro-s

Të dielën nis botërori 2023 në Moto GP. Gara e parë sezonale do të zhvillohet në Portimao të Potugalisë aty ku të gjithë skuderitë janë sistemuar teksa po zhvillohen edhe provat e lira.
Ndërkohë sot pati një situatë kaotike me njërin nga pilotët në pistë. Pol Espargaro u rrëzua keq gjatë seancës së dytë stërvitore me spanjollin e ekipit GasGas teksa ra në pistë në kthesën e 10-të.
Pas një kontrolli të shpejtë, spanjolli u transportua me helikopter në spitalin e afërt Faro. Situata duket jashtë rrezikut të madh por me gjasë vetëm kontrollet e specifikuara do të mund të japin diagnozën e saktë dhe përcaktimin në funksion të vazhdimit të garës së ditës së diel.
Angel Charte, drejtor mjekësor i MotoGP, tha: “Ai ka një kontuzion politraumatik në shtyllën kurrizore, një kontuzion të rëndë pulmonar, por ai nuk është intubuar. Ne po e çojmë atë në spitalin Faro për të shmangur probleme të tjera më serioze. Neurologjikisht ai është mirë. Lëviz gjymtyrët e tij në mënyrë të përsosur, dhe është i vetëdijshëm”.