Partizani-Tirana, beteja e fituar nga të kuqtë
Abissnet Superiore, Java 24:
Partizani – Tirana 2-0 (Mba 20′, Cara 80′)
Mes ndërprejesh të shumta e të stërzgjatura, spektaklit në fushë e në tribuna dhe episodesh të panumërta u mbyll ky derbi i tretë sezonal me fitoren e pastër të Partizanit.
Sfida nisi disi e barabartë, me shumë pak diferenca mes skuadrave por golin mundën ta gjenin të besuarit e Kolelës. Ishte Mba që realizoi në minutën e 20′-të të takimit duke ndezur festën në kampin e kuq.
Provon të reagojë Tirana pas pësimit të golit por është e vështirë për bardheblutë të gjejnë rrjetën e Rexhepit. Gjatë pjesës së parë, Xhaja akordon dhe 11-metërsh për Tiranën por pas shqyrtimit të pamjeve me anë të sistemit VAR, detyrohet të anulojë vendimin.
Gjatë fraksionit të dytë të sfidës do të jetë Partizani ai që do të fitojë penallti. Shpërdorohet kjo mundësi e shkëlqyer për të dyfishuar shifrat pasi gjuajtja e Telushit ndalet nga Bekaj i cili mban ende në lojë skuadrën e tij.
Në minutën e 80′-të Cara mbyll llogaritë duke shënuar të dytin për “Demat” dhe duke vulosur një fitore që vlen shumë, jo vetëm për faktin e të qenurit një derbi, por edhe pse tashmë Partizani merr kreun.
Përfunduan kështu 90 minuta të një ndeshjeje spektakolare por derbi i vërtetë sapo ka nisur dhe është pikërisht derbi i klasifikimit. Partizani dhe Tirana ndajnë kreun me nga 40 pikë secila dhe gara duket në pikën më interesante të saj./Sara Gjidiaj/