Hap fals i Partizanit, Kastrioti pikë e vyer

Abissnet Superiore, Java 17:
Kastrioti – Partizani 1-1 (Zogaj 66’/ Cara 54′ pen)
Kastrioti vijon të mbetet një kockë e fortë në fushën e tij teksa në përballjen e javës së 17-të arriti t’i merrte Partizanit një barazim në shifrat 1-1.
Pas një pjese të parë disi më të mirë për Partizanin, por në fund të mbyllur pa gola, skuadrat u zgjuan në të dytën. Falë një penalltie të fituar nga Skuka, Partizani kalon i pari në avantazh me gjuajtjen e saktë të Carës.
Vetëm pak minuta më vonë, Zogaj arrin të gjejë cepin e portës së Rexhepit për të rikthyer dhe njëherë baraspeshën me këtë gol që vendosi njëkohësisht dhe fatet e sfidës.
Si Partizani dhe Kastrioti e mbyllën në sulm pa arritur të gjenin golin që do t’i jepte fitoren njërës prej tyre në këtë përballje të luftuar deri në çastet e fundit.
Sa i përket renditjes, kryeqytetasit vijojnë të mbeten në krye të klasifikimit me 2 pikë diferencë nga Tirana që ka 1 ndeshje më pak, ndërsa Kastrioti ndodhet në vendin e shtatë me 19 pikë.