Vllaznia keqtrajton Teutën, durrsakët në fund
Abissnet Superiore, Java 15:
Vllaznia – Teuta 4-0
Ndeshja e fundit e Abissnet Superiore për vitin 2022 u luajt në “Loro Boriçi” me Vllazninë që kthehet te fitorja pas 3 javësh. Ndërkaq, durrsakët e Edi Martinit pësojnë humbjen e parë me trajnerin shkodran në pankinë, humbje kjo edhe në shifra të thellë 4-0.
Ndeshja nisi më mirë për kuqeblutë që në minutën e 20′-të do të gjenin dhe golin e parë me anë të Esin Hakajt. Sulmuesi kuqeblu përfitoi nga një grushtim jo i mirë i Qirkos për të ndalur topin në rrjetën e këtij të fundit.
Për golin e dytë në këtë pjesë mendon Kaina me brazilianin që kthen në gol penalltinë eakorduar nga Enea Jorgji.Në pjesën e dytë po me penalltiArdit Hoxhaj dërgon shifrat në 3-0 në minutën e 73′-të.
Sakaq, për miqtë si të mos mjaftonte humbja, Blerim Kotobelli ndëshkohet me të kuq pas një ndërhyrjeje të gabuar ndaj Alivodës duke lënë ekipin e tij me 10 lojtarë 12 minuta nga fundi.
Në sekondat e fundit të sfidës Kaina Nunjes rikthehet të shënojë golin e katërt dhe të fundit duke shtuar entuziazmin në “Loro Boriçi”.
Pas kësaj jave të 15-të Vllaznia ngjitet në vendin e pestë me 22 pikë duke lënë poshtë Laçin, ndërsa për Teutën duket se është rezervuar fundi i tabelës për këtë vit aty ku durrsakët gjenden në kuotën e 14 pikëve./Sara Gjidiaj/