Nis “Football Coaching Course” FSHF dhe Federata Norvegjeze…

Ka nisur sot kursi i radhës “Football Coaching Course” për trajnere vajza, që organizohet në bashkëpunim mes FSHF-së dhe Federatës Norvegjeze të Futbollit. Kursi vjen në edicionin e pestë dhe është i financuar nga qeveria norvegjeze për trajneret vajza, me qëllim rritjen e cilësisë dhe numrit të tyre në futboll, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në 5 shtete te tjera të Ballkanit.

“Football Coaching Course” po zhvillohet në Durrës dhe do të zgjasë 4 ditë, ku janë të gërshetuara pjesa teorike me atë praktike, ndërsa vajzat pjesëmarrëse marrin një certifikatë që vlen për licencën e trajnerit të nivelit C. Kjo licencë lëshohet nga Federata Shqiptare e Futbollit pas përfundimit të kursit, teksa me përfundimin e kursit çdo vajzë pjesëmarrëse merr falas një bazë materiale të dhuruar nga Federata Norvegjeze, teksa bëhet edhe Ambasadore e Futbollit të Vajzave në zonën apo qytetin ku jeton.

Në këtë edicion marrin pjesë vajza që aktualisht luajnë futboll në nivel klubesh e të cilat janë njëkohësisht të angazhuara edhe në drejtimin e seancave stërvitore për ekipe fëmijësh, studente të Universitetit të Sporteve si edhe mësuese të edukimit fizik nga e gjithë Shqipëria.

Anne Pellerud, një nga instruktoret e Federatën Norvegjeze të Futbollit pjesëmarrëse në këtë kurs, shprehet mjaft e kënaqur për këtë mundësi të krijuar përmes bashkëpunimit me FSHF-në, teksa shpreson që vajzat që po trajnohen të japin kontributin e tyre në komunitetet ku jetojnë për zhvillimin e futbollit të vajzave.

“Ne besojmë, dhe është e rëndësishme, që të gjitha gratë dhe vajzat në Shqipëri duhet të kenë të njëjta mundësi ashtu siç e kemi edhe ne në Norvegji për të luajtur futboll. Kështu që në bashkëpunim mes Federatës Norvegjeze të Futbollit dhe Federatës Shqiptare të Futbollit ne krijuam këtë kurs, që ka si synim zhvillimin e trajnereve të futbollit duke bërë të mundur që të gjitha vajzat që marrin pjesë në këtë kurs të kthehen në komunitetet e tyre dhe të trajnojnë vajzat në futboll”, – thotë Anne Pellerud duke folur për Fshf.org, duke theksuar se kursi është mjaft i vlefshëm ëpr të dhënë bazat e trajnimit.

“Unë kam qenë në Shqipëri edhe më parë dhe është vërtetë eksperiencë fantastike. Disa nga vajzat nuk kanë eksperiencë si trajnere, por mund të mësosh shumë në katër ditë trajnim, duke marrë bazat e trajnimit, rolit të trajnerit dhe lojës korrekte. Ashti siç e theksuam me vajzat këtu sot futbolli duhet të jetë si një familje, si një hapësirë e sigurt për vajzat e vogla. Ne kemi bërë seminarin teorik dhe do të bëjmë pjesën praktike edhe në fushë dhe në ditët e tjera ne do të ftojmë disa fëmijë nga shkollat lokale për të organizuar një festival futbolli”, – shtoi instruktorja e Federatën Norvegjeze.

Gjithashtu, Anne Pellerud vlerëson bashkëpunimin me FSHF-në dhe shprehet se po bëhet një punë e shkëlqyer në rritjen e futbollit të vajzave.

“Nuk mund ta organizonim këtë kurs pa mbështetjen e FSHF-së, ka qenë një bashkëpunim i ngushtë mes dy federatave dhe është bërë një punë e shkëlqyer. Disa nga vajzat pjesëmarrëse luajnë aktualisht futboll dhe kjo është një nisje e mirë, ndërsa disa të tjera janë mësuese të edukimit fizik në shkolla, dhe përveç kësaj ata janë ndjekëse të rregullta të futbollit përmes televizorit. Sfida për të gjitha është që kur luan futboll, nuk e kupton si duhet rolin e trajnerit, kështu që ata duhet të nisin të mendojnë se si duhet të organizojnë stërvitjen dhe të menaxhojnë situatën në ekip”, tha instruktorja Anne Pellerud në prononcimin e tij.

Ky kurs u jep vajzave një mundësi afrimi me klubet, akademi apo shoqata që operojnë në futbollin e vajzave dhe kanë shumë nevojë për trajnere vajza.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!