Reja: Shqipëria e ka potencialin dhe mundësitë për të shkuar në Euro 2024

Kombëtarja shqiptare do të nisë nga pasditja e kësaj të shtune grumbullimin zyrtar në kuadër të sfidës miqësore të muajit tetor ndaj Arabisë Saudite që do të zhvillohet në transfertë në datën 26 tetor.

Trajneri i ekipit kuqezi, Edy Reja doli në një konferencë për mediat këtë mesditë ku foli për objektivat dhe synimet që ka Shqipëria në këtë miqësore, teksa komentoi edhe listën me 23 lojtarët e grumbulluar, ku pjesa më e madhe e kuqezinjve të thirrur aktivizohen në kampionatin shqiptar. Tekniku foli edhe për të ardhmen e tij në ekipin kombëtar dhe objektivat e “EURO 2024”.

Lojtarët e Superiores – “I kam ndjekur prej disa vitesh lojtarët e Superiores. Kjo ndeshje do të më shërbejë t’i shikoj nga afër, edhe pse do të doja që të punoja më shumë me ta. Shpresoj që ndonjëri prej tyre të jetë pjesë e Kombëtares në të ardhmen. Tri vite më parë e kam pasur në projekt bashkë me presidentin për të përfshirë sa më shumë lojtarë nga Shqipëria. Marr si shembull: Hoxhallarin, Seferin apo Trashin”.

E ardhmja – “Flitet shumë për të ardhmen, por pjesa e moshës është thjesht faktor psikologjik. Kam shumë besim tek kjo skuadër. Objektivi im fillestar ishin eliminatoret e Euro 2024. Sigurisht që kemi zhgënjyer në Ligën e Kombeve, nuk dua të kërkoj alibi, por unë dua ta çoj deri në fund këtë mision për në finalet e Euro 2024. Dua të qëndroj, sepse kam energjinë e duhur, por do të flas me Dukën menjëherë pas përfundimit të kontratës. Dëshira ime është e madhe për të vazhduar. Ia kam thënë presidentit që me këtë skuadër mund të shkojmë në Europian. Ne ishim shumë pranë ‘play-off’-it të Botërorit, por situata u komplikua në ndeshjen me Poloninë, ku në një rast Uzuni madje gaboi një gol pothuajse të sigurt në fillim. Ndeshja mund të kishte shkuar ndryshe”.

EURO 2024 – “Ne mund ta luajmë kualifikimin me Çekinë, por në eliminatore lojtarët duhet të jenë në formë të mirë. Nuk ka ndeshje të lehta në eliminatore, por unë jam i bindur që do të bëjmë mirë. Nuk është thjesht çështje dëshire, ne duhet t’i luajmë shanset tona deri në fund”.

Të rinjtë e ftuar – “Do të ishte pozitive të grumbulloja ndonjë lojtar të kësaj miqësoreje në ndeshjen me Italinë, por fillimisht duhet t’i vlerësoj. Kemi bërë shumë ndryshime, kemi marrë vendime, por është shumë e vështirë që të ndryshojë grupi aktual me 23 lojtarë që unë kam. Nuk i nënvlerësoj ata që luajnë në Shqipëri, por kanë pak eksperiencë”. 

Problemi i ‘minutave të fundit’– “Nuk mund t’i fal më këto rënie tensioni në minutat e fundit. Nuk mund të hedhim poshtë punën e bërë, dhe këto gabime nuk i fal më. Nëse vazhdon të gabosh në fund, atëherë je gjysmë-lojtar, sepse ndeshjet nuk luhen 90 minuta por 100 minuta. Në këtë këndvështrim duhet të jemi më të vëmendshëm. Mentaliteti është i gabuar sepse ka ndodhur në 5, 6 apo 7 ndeshje. Tani nuk mund të gabojmë më as një presje në fundin e ndeshjeve. Unë fola me lojtarët, ndeshjen e fundit isha shumë i nxehur. Nuk pranoj më solistë në ekip, të gjithë duhet të luajnë për skuadrën, në të kundërt nuk kanë më vend në skuadër. Lojtarët që nuk do të kenë përqendrimin e duhur, nuk mund të jenë pjesë e grupit”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!