U20 Kuqezi/ Teste në Kroaci, flasin Berisha e Ismaili

Kombëtarja U-20 vijon përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Kroacisë U-20 dhe Maqedonisë së Veriut U-20, që do të luhen që të dyja në Kroaci. Nën drejtimin e trajnerit Alban Bushi skuadra ka zhvilluar seancën e radhës në kompleksin Tropikal në Durrës, ku kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët e ftuar për këto dy teste të rëndësishme miqësore.

Dy nga prurjet e reja të kuqezinjve, Medon Berisha dhe Behar Ismajli kanë shprehur edhe emocionet e para për këtë grumbullim të pare me ekipet Kombëtare të moshave, teksa bëhet fjalë për dy lojtarë të talentuar që aktivizohen që të vegjël në klube të huaja.

Duke folur për Fshf.org mesfushori 18-vjeçar Berisha, i cili është pjesë e Leçes në futbollin italian, flet për arsyet e zgjedhjes ëpr të përfaqësuar ngjyrat kuqezi dhe se si ndihet në këtë eksperiencë të parë me Kombëtaren U-20.

“Ndihem shumë mirë dhe shumë i lumtur që jam pjesë e këtij grumbullimi dhe që mora ftesën nga Kombëtarja U-20. Mund të bëjë disa role të ndryshme në mesfushë, qoftë si mesfushor mbrojtës ashtu edhe ofensiv. Aktualisht me skuadrën e Leçes luaj si mesfushor i avancuar dhe shpresoj që të vazhdoj të ngjis shkallët e karrierës pasi e ndjej se kam shumë për dhënë. Nuk e kam pasur të lehtë zgjedhjen, por jam i lumtur që luaj me Shqipërinë tani. Kur isha i vogël e ndiqja Kombëtaren dhe kam pasur ëndërr të vishja fanellën kuqezi, të luaj me Kombëtaren A dhe në nivel klubi synoj të luaj Champions League në të ardhmen”, thotë Medon Berisha.

Edhe 17-vjeçari Behar Ismaili, i cili gjithashtu luan si mesfushor me klubin e njohur të Anderlehtit në Belgjikë, ka shprehur lumturinë për këtë ftesë, ndërsa nuk e fsheh dëshirën e madhe që ka për të luajtur me Kombëtaren A në një të ardhme të afërt.

“Jam shumë i gëzuar që më jepet mundësia të luajë me ekipet Kombëtare të Shqipërisë. Atmosfera është shumë e mirë, kemi shumë harmoni me djemtë dhe grupin. E kam diskutuar edhe me familjen dhe kemi qenë të gjithë në një mendje që të zgjedh Shqipërinë. Kohë më parë ka pasur edhe mundësi të përfaqësoj Belgjikën me ekipet e moshave, por jam shumë i lumtur që kam vendosur të luaj për Shqipërinë dhe shpresoj që një ditë të kaloj në Kombëtaren A. Aktualisht jam pjesë e Anderlehtit në Belgjikë dhe aktivizohem me skuadrën U-23”, – shprehet Ismaili.

Përfaqësuesja kuqezi është grumbulluar në Durrës dhe më pas më 21 shtator do të udhëtojë drejt Kroacisë, ku do të luajë dy testet miqësore.

Më datë 23 shtator, Shqipëria U-20 do të luajë sfidën e parë me Maqedoninë e Veriut U-20. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e Cakovecit duke nisur nga ora 16:30.

Dy ditë më pas, më datë 25 shtator në ora 16:30, po në këtë stadium do të luhet edhe testi i dytë i Shqipërisë U-20 ndaj Kroacisë U-20. Me këtë ndeshje do të mbyllet edhe grumbullimi 8-ditor i ekipit Kombëtar kuqezi me trajnerin Bushi dhe stafin e tij teknik që do të kenë mundësinë të shohin nga afër gjendjen e lojtarëve të kësaj grup-moshe si dhe të vëzhgojnë futbollistët e rinj që mund të jenë pjesë e ekipit për herë të parë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!