Nga Vllaznia presim të gjithë

Nga Prof. Dr. XHEVDET ZEKAJ

Nuk ka nevojë te jesh nga Shkodra të thuash se Vllaznia është fe për shkodranët. Nuk ka nevojë të jesh nga Shkodra të adhurosh lojën e saj të bukur, sidomos të asaj të kohëve të shkuara, kur në mes nuk kishte hyrë paraja, transferimet, bastet e shumë “sëmundje” të tjera të kohëve moderne.

Nuk ka nevojë të jesh nga Shkodra që të kuptosh përgjegjësinë, kënaqësinë, nderin, traditën e Vllaznisë në futboll. Mjafton të kujtojmë futbollistët e pafund që ka nxjerrë kryeqendra e veriut, duke furnizuar skuadrat e thuasje krejt Shqipërisë. Mes tyre spikasin Loro Boriçi, Sabah Bizi, Dibra, Canga, Koçobashi, Shllaku, Rragamët, Zmijani, Jera, Dedja, Luçi, Sinani e deri te Balaj, por dhe mjaft të tjerë që do të bënin një listë vërtet të gjatë.

Natyrisht, prisnim një fillim ndryshe të sezonit të ri nga Vllaznia. Një merkato e saj e menduar mirë, emra të rikthyer, ermra të rinj. Të gjithë na krijuan idenë e një futbolli të bukur. Nuk na shqetëson fare humbja që pësoi ndaj debutuesve të Erzenit, edhe pse nuk duhej të ndodhte ashtu kurrsesi për “kostumin” që kanë skuadrat, për grupin e lojtarëve, historinë, traditën e shumëcka tjetër.

Po ja që ndodh gjithmonë që të ketë një “ditë të zezë”. Lusim Zotin që kjo të ishte e para dhe e fundit “ditë e zezë” e Vllaznisë në sezonin e ri. Ndoshta grupi i lojtarëve nuk është përshtatur ende me idetë e Josës, por ne presim shumë nga Vllaznia. Jo si shkodranë, por si dashamirës të futbollit të bukur.

Vllaznia mund të ketë sa të duash histori, traditë, trofe, por “kryefjala” është tifozi shkodran. E patë si e mbushën stadiumin “Loro Borici” në ndeshjen ndaj rumunëve? Një mrekulli e vërtetë. Ky stadium është mbushur sa e sa herë. Sportdashësi shkodran është unik, nuk heziton të duartrokasë edhe kundërshtarin kur luan bukur. E ka bërë këtë në të gjitha kohërat.

Këtë e kam përjetuar vetë në disa ndeshje, kur Flamurtari i Mexhit Haxhiut, Sokol Kushtës, Vasil Rucit etj, kanë luajtur në “Loro Borici”. Tifozi shkodran është mirëfilli specialist, lojtar, trajner, sepse jeton 24 në 24 me ngjyrat kuqeblu, me Vllazninë, me futbollin si spektakël. Prandaj përgjegjësia është më e madhe për lojtarët, stafin teknik, klubin. Natyrisht, shkodranët dinë të jenë qytetarë të dorës së parë edhe në kërkesë e llogari ndaj Vllaznisë, nuk e braktisin atë as në kohët më të vështira.

Natyrisht, presidenca kuqeblu do të vihet në vështirësi nëse Vllaznia nuk shkon në Europë, nuk kalon ture, pra nuk përfiton nga fondet e UEFA-s. Alban Xhaferi nuk është si kolegë të tjerë të tij, që merren me baste, me ndërtim pallatesh, por me biznesin e ndershëm e korrekt. Pra, Vllaznia duhet kthyer në klub rentabël, në mënyrë që edhe financat të mos i mungojnë për objektiva madhorë.

Akademia kuqeblu dihet sa produktive është, e ka treguar tash sa vite, por duhet vënë mbi baza porofesionalizmi të plotë edhe në aspektin e menaxhimit. Pra, të rekrutimit të lojtarëve në ekipin e parë, lancimin e tyre dhe shitjen në klube të huaja, sikurse po bën Tirana. Kjo do të përkthehej në të ardhura të bollshme për presidencën, në rezultate pozitive dhe futboll cilësor për tifozin e kulluar shkodran.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!