“Tue pamë Lushtën e Boriçin”…

Parathenje nga: Bashkim Tufa (Mjeshtër i Madh)

Para disa vitesh është botuar dhe promovuar libri unikal i Anton Mazrekut, publicistit, gazetarit, babait të radiokronikës së parë sportive në Shqipëri, i titulluar “Fjala dhe heshtja”.

Në të është i botuar edhe një reportazh krejt i veçantë, që daton më 26 shtator të vitit 1942, i titulluar “Tue pamë Lushtën dhe Boriçin”. Së bashku me disa miq, personalitete të kohës, Mazreku ishte në Torino për të ndjekur takimin Juventus-Lacio, për Kupën e Italisë.

Po e ribotojmë këtë reportazh, të botuar më parë nga gazeta “Sporti Shqiptar”, me rastin e përvjetorit të legjendës Loro Boriçi, i cili më 4 gusht 2022, kishte 100-vjetorin e lindjes së tij.

Anton Mazreku shkruante në vitin 1942.

Asht e shtunde mbrama. E shtundja e 26 shtatorit. Ibrahim Dizdari, Ali Zija Mullahi, Enver Bilali, Ramiz Qira, Caf Bërdica dhe i nënshkruemi, jemi tue ndejë e tue ça kopalla në kafen “Motta” të Milanit. Thema e bisedimit tonë: punët e sportit.
“Nesër në Torino lot Juventusi me Lazion. Në qendër të vijës së parë juventine do të losë Riza Lushta, n’atë të vijës së parë të Lazios, Loro Boriçi. A shkojmë e i shohim?”, ja ban njeni prej nesh. “Me doemos”, ja presim të gjithë nji zani.

  • * *
    Të nesërmen nade, në pikë të sabahit, dikush del prej shtëpie e dikush prej hotelit dhe n’orën 6.30, jemi të gjithë të grumbulluem përpara të njëjtit tram, qi na përcjell te i njëjti tren. Mbas tri orë udhëtimi ja behim në Torino. Msyjmë një drekore aty afër stacionit. Ndeshjen finale të drekës na kande me e përcjellë me “pshesha”… Zojushë, a kini jagurt? Nji vetullzezë – e vetullzeza rrallë të sheh syni në Torino – na përgjigjet me një buzëqeshje të lehtë dhe me nji lojë finoke fjalësh: “Jagurt nuk kemi, por kemi “kos”…”

Mbasi mbarojmë s’hanguni, nisemi të gjashtë në selin e shoqnis “Juventus” ku gjejmë Riza pashën – kështu e thrrasin shokët e skuadrës e kështu e thrret edhe “Guerin Sportivo”. – Ka ndejë shtri në poltronë. Të na pamen, çohet më kambë e merremi grykë, ashtu shqiptarçe. Fytyra e tij e e jona shndrisin prej gëzimit. Ulemi e rrijmë. Na jep cigare e na qet kafe. Fillojnë pyetjet reciproke. Nji breshën pyetjesh ky i Rizas. Nuk ka harrue asnjenin prej shokëve të vjetër e kërkon me dijtë gjithshka për seicilin. Përpara mendes s’onë shtrihet një panoramë e madhnueshme kujtimesh, nji varg kilometrik ndeshjesh e në krye të seris na kujtohet loja e parë… zyrtare e Rizas, kur ishte ende fëmijë sot 12 vjet e lonte me skuadrën e Shjakut në Lesh.
Asht shndosh si kokrra e mollës e zgjanue shpatullash e kraharorit. I kanë hije petkat gri e këmisha e kravata e bukur qi shkojnë n’ujdi me këto tesha, e qesin shum elegant. Shpesh-herë biseda shtrihet edhe ndër lamije të hokavet e atëherë Rizaja qeshë me gjithë zemër tue i nxjerrë në… vitrinë të 32 dhambët e tij të bardhë. Mbasi na paraqet shokët e skuadrës së vet: Borelin, Parolën, Fonin, të dy Sentimentat, etj., na tregon salat e zdeshjes, e dushevet, e masazhevet, pajimet, ngrehinat, vigane, sheshet e tenisit, stadjumin e shoqnis Juventus.
N’orën 14.30 hypim në tribunë… si gazetarë sportivë. Dikush i “Sportit Shqiptar” e dikush i “Tomorit Sportiv”, njeni i “Gazetës së Sportit” e tjetri i “Zanit Sportiv”, i pesti i “Topekambës Shqiptare”, e i gjashti i “Kasnecit Sportar”. Kontrolluesi i biljetave na len me kalue, por hap syt… Gjashtë fletore sportive në Shqipni! Se s’kemi asnji, kjo asht nji punë tjetër mandej… Shohim ndeshjen miqsore të skuadrës së dytë juventine me atë të parën e qytetit të vogël Settimo. Përfundon barabar 1-1. Këtu bashkohet me ne sportisti e gjyqtari i lojës i mirënjohun Niko Gurashi. Ma vonë ja mrrin Loro Boriçi, i mesmi i qendrës e qendërsulmuesi i Lazios. Na përmallon të gjithëve, sidomos shtrëngimi i dorës e përqafimi aq i përzemërt e aq vllaznuer i Rizas me Loron. I gjatë e i drejtë si selvi, me nji trup athleti të përsosun, të duket se prej të tanë poreve të Loros shpërthejnë jetë e shëndet. Fjala qet fjalën e kënaqemi tue u endë nëpër ditët e bukura të sportit shqiptar.
Bje shi. E ka ra edhe dje e sot të gjithë ditën. Kah çohet në kambë Riza Lushta në majë të tribunës e ven dorën në ballë për me pamë ret e zeza, qi derdhin pika të trasha shiu e bajnë të randë truellin e fushës, më kujtohen rreshtat e “Lahutës”, të poetit t’onë të pavdekshëm P. Gjergj Fishtës:
“Riza Pasha del n’kala,
“Madhi Zot se shka me pa
“Forta mjegull paska ra,
“N’at Rrzhanic’ nën Podgoricë”.
Mund të thotë ndokush: Shka hin në perde poezija në made të sportit? Hin edhe fort madje. Se sporti asht edhe ai nji poezi. Asht jeta vetë, zotni. Por po i lamë na tash këto fjalë e po thomi vetëm kaq se Rizas dishka i ndien zemra keq në lidhje me lojën, ndërsa Boriçi duket ma i qetë…


N’orën 16.00 fillon ndeshja Juventus-Lazio, e vlefshme për Kupën e Italis. Po dalim te puna e simpatis. Un, Ibrahim Dizdari e Ramiz Qira, jemi juventinë. Ali Zija Mullahi ambrozjanist deri në palc, prandej antijuventin e prandej lacjal, Niko Gurashi, Enver Bilali dhe Caf Bërdica neutral, asnjanës. Për… analogji, ndeshja Juventus-Lazio mund të na çojë mallin e ndeshjeve të paharrueshme Tiranë – Shkodër. Por në kët lojë nuk jemi as shkodranë, as tiranas, jemi shqiptarë e prandaj bajmë… tifo si për Lazion ashtu edhe për Juventusin… Disa torinezëve, qi janë pranë nesh, kjo soj tifoje u duket paradosale e pyesin njeni-tjetrin se si munden me u gjetë sportdashës qi bajnë tifo për të dyja skuadrat në të njëjtën lojë. Por e marrin vesht shpejt se si qindron puna kah ndijnë simpatikun Ali Zija Mullahin tu e bërtitë me të madhe: “Jepi Lushta, jepi Boriçi!”. Grupi i torinezëve e pranon… moton e Aliut me 50% zbritje e kori i juventinëve këndon’ tash e ma herë refrenin shqiptar: “Jepi Lushta”…


Por në të tanë kët shi, nuk po duket kund hylli i Lushtës. Rizaja sot nuk ka fat e si korolar nuk ka fat as Juventusi. Në të 15 minutë të pjesës së parë, Rizaja ndeshet me portjerin e Lazios e rrzohet keq tue u vra mjaft randë në nyje të kambës. Rrin 10 minuta jashtë loje, hin në fushë e e vazhdon lojën vetëm sa për nderin e firmës. Çalon e nuk mund t’i ven vulën e vet personale, pothuej asnji veprimi sulmues. Ma vonë marrim vesht se nuk do të mundet me luejtë për 20 dit. Mëkat se Lushta e filloi s’ka ma bukur ndeshjen tue rregullue zbritje mbas zbritjesh, tue shpërnda topa floriri herë n’afërsi e herë në thellësi në të gjithë ballin e sulmit. Në të 11 minutë i lëshoi nji top të mrekullueshëm numrit 11, Ventimiglias, qi e shfrytëzoi me shumë zotësi tue shënue golin e parë juventin.
Skuadra e fanelavet të bardha e të zeza, qi ka nisë me përdorë “sistemën”, mbetet me 10 lojtarë e nuk vonon të… sistemohet nga ana e Lazios. Pak përpara pushimit, skuadra romane këputë golin e barasimit me anën e Pisas.
Ventimiglia i Juventusit qet në dritë golin e dytë në të 5 minutë të fillimit të lojës. Por pesha e Lazios zen të bahet gjithnji ma e randë. Loja e saj ma e kulluet, ma e mendshme, ma e rregullt, klasa e saj më e naltë se ajo e Juventusit, të paktën në atë ndeshje, i jep shpejt e shpejt frytet e veta. Në të 24 minutë një shndrrim i përsosur topash në mes të Flaminit e të Boriçit e ven përpara derës juventine Loron, qi me shum gjakftohtësi dhe sigurim gjuen rreptë e poshtë tue e dërgue topin në qoshe të rretit. “Të lumtë Boriç”, bërtet Caf Bërdica e i thotë plot përkëdhelje – thue se po e ndien nj’a 300 metër larg – “Mor Loro sa mirë po të len nana me luejtë në shi”…


Loja e Boriçit ka fitue mjaft forcë e auktoritet. Disa herë duket shkoqur se në qendrën e vijës së parë nuk asht në vendin e vet, mbasi ka kohë qi asht tue luejtë në qendrën e vijës së mesme, e prandej len m’u pamë ndonji hutim të vogël, por tash e mandej të bje në sy e të kënaqë kalimi i tij i shpejtë i topit, zelli e energjia në zhvillimin e veprimeve sulmuese, shfrytëzimi i aftë i rasave të volitëshme, gjuejtja e tij e rreptë e mjaft e sigurtë. Boriçi: 20 vjeç, nji lojtar me cilësi shum të mira teknike, me një trup për t’u pasë lakmi, me nji t’ardhme të shkëlqyeshme përpara vehtes.
Nuk shkojnë shum minuta e Lazio shënon golin e tretë, atë të fitimit me anën e Konig-ut. Juventusi derdhet në sulm, mundohet t’arrijë golin e barasimit, por asht tepër vonë e nuk mund t’i ikë humbjes.

  • * *
    Mbas lojës takohemi e rrijmë përsëri me Rizan e Loron dhe kur terri ka përqafue krejtësisht Torinin, “Çeta e jonë kreshnike”… rreh dromin kah Milani, fort e gëzueme se u pa e ndej e u shmallë me shokët e dashtun./Sportiim.al.
  • Foto : Anton Mazreku

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!