Faza finale e programit të “UEFA CFM” zhvillohet në Shqipëri

Federata Shqiptare e Futbollit do të mirëpresë sot dhe nesër në Shqipëri programin “Certificate in Football Management” (UEFA CFM) në bashkëpunim me Akademinë e UEFA-s dhe Universitetin e Lozanës.

Ky është një program mjaft i rëndësishëm dhe tejet i domosdoshëm për çdokënd që punon në një institucion futbolli, për të rritur nivelin e menaxhimit dhe performancës, teksa këto dy ditë do të zhvillohen edhe seminaret dhe provimet finale.

Ky edicion i CFM u mirëprit këtë herë nga Federata Shqiptare e Futbollit, me UEFA-n që tashmë e ka kthyer institucionin e futbollit shqiptar në një partner mjaft të besueshëm sa i përket organizimit të eventeve të rëndësishme. Pjesëmarrës në këtë kurs nuk janë vetëm përfaqësues të kësaj organizate dhe të klubeve shqiptare, por edhe pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës, si Gjermania, Kroacia, Azerbajxhani, Bullgaria e Hungaria, të cilët patën mundësi të ndiqnin kursin për 9 muaj me radhë, duke u trajnuar nga akademikë të UEFA-s e Universitetit të Lozanës.

Të gjithë pjesëmarrësit patën mundësi që të zhvillonin më tepër njohuritë e tyre përmes këtij programi kaq të vlefshëm për menaxhimin e futbollit. Në përfundim të seminarit ditën e nesërme do të zhvillohet edhe ceremonia e shpërndarjes së diplomave për pjesëmarrësit që do të arrijnë të mbyllin me sukses programin dhe të kalojnë të gjitha provimet.

Sakaq, në ditën e parë të seminarit, që po zhvillohet në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, përshëndeti pjesëmarrësit dhe falënderoi UEFA-n që i besoi FSHF-së organizimin e këtij programi kaq me vlerë që do t’i shërbejë të gjithëve për të rritur nivelet e organizatave apo klubeve të futbollit. Shulku u ndal edhe tek aktiviteti madhor që organizoi UEFA sërish në bashkëpunim me FSHF-në në Shqipëri, finalja e suksesshme e Conference League, duke theksuar se ky event, si edhe ky kurs i CFM të shërbejë për të zhvilluar më tej futbollin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!