Inovacioni/ ‘FIFA+’, i gjithë futbolli në kohë reale
Merr jetë futbolli global i dixhitalizuar, Infantino: Realizova një projekt, e ndajmë me tifozët.
FIFA njofton lançimin e ‘FIFA+’, një platformë dixhitale e krijuar për t’ju dhënë falas tifozëve nga e gjithë bota ndeshje futbolli. E thënë ndryshe FIFA+, do të ketë akses për ndeshje të drejtpërdrejta nga e gjithë bota, lojëra interaktive, lajme, informacione për turne, video novatore për të ofruar një sherbim global të futbollit të meshkujve dhe femrave.
FIFA është federata e parë sportive në histori që u ofron tifozëve të saj një transmetim të këtyre përmasave.
“FIFA + është hapi i radhës në realizimin e vizionit tonë për ta bërë futbollin global dhe gjithëpërfshirës, dhe mbështet misionin kryesor të FIFA-s për të zgjeruar dhe zhvilluar futbollin globalisht”, tha presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino.
“Ky projekt përfaqëson një ndryshim kulturor në mënyrën se si tifozë të futbollit dëshirojnë të eksplorojnë dhe lidhen me futbollin botëror. Rezulton projekt thelbësor i vizionit tim për 2020-2023. Ai do të përshpejtojë demokratizimin e futbollit dhe ne jemi të kënaqur ta ndajmë këtë projekt me fansat”, tha më tej kreu i FIFA-s.
Deri në fund të vitit 2022, FIFA + do të transmetojë afro 40,000 ndeshje live në vit të 100 federatave të futbollit nga të gjashtë konfederatat, duke përfshirë 11,000 ndeshje futbolli për femra.
FIFA+ ofron mbulim të drejtpërdrejtë të ligave më të rëndësishme evropiane dhe të garave më të lënë pas dore nga e gjithë bota deri më tani, me ndeshjet e futbollit për meshkuj, femra dhe të rinj.
Nga momenti i nisjes, 1400 ndeshje në muaj do të transmetohen në FIFA+, një shifër që pritet të rritet me shpejtësi./Sportiim.al/