Pëlqen Gatuzon, Azizi, mesfushori kuqezi te Torino…

Shqiptarët në Itali janë të shumtë dhe një nga ata është edhe i talentuari Bilario Azizi. Ende nuk i ka mbushur 18 vjeç dhe me Torinon U-18 është një nga lojtarët kryesorë këtë sezon. Mesfushori qendror nuk u ka shpëtuar as skautëve të FSHF dhe për herë të parë fanellën kuqezi e ka veshur në një miqësore kundër Italisë U-18.

Azizi, i lindur në shtetin fqinj, ka nisur të luajë futboll që në moshë të vogël, 6 vjeç. Nga atëherë me futbollin u bë i pandashëm. “Që i vogël kam pasur dëshirë të loz me top, babi edhe vëllai më kanë përkrahur gjithmonë. Familja ime më rri shumë pranë, veçanërisht babi edhe vëllai që më ndjekin në çdo ndeshje dhe stërvitje”.

Bilario e ëndërron që një ditë të luajë në kampionatin elitar të futbollit në Itali. “Jam krenar kur shikoj kaq shumë futbollistë shqiptarë në Serie A. Edhe unë shpresoj të arrij një ditë ku kanë arritur bashkëkombësit e mi tani. Jam i ri dhe duhet të vazhdoj të punoj të arrij aty ku dua”, ka shtuar mesfushori i moshave të Torinos.

Shqiptarë në nivele të larta nuk luajnë vetëm në Itali, pas ka edhe në kampionate të tjera. Së fundmi edhe Uzuni ka kaluar në LaLiga, çka tregon një rritje të nivelit të futbollit dhe futbollistëve shqiptarë. Azizi e sheh të ardhmen të ndritur: “Mendoj që kombëtarja do bëhet edhe më e fortë, pasi ka shumë futbollistë shqiptarë të talentuar nëpër botë”.

Edhe pse vetëm 17 vjeç, Bilario ëndërron të ketë një karrierë të madhe. Ai e thotë hapur që do të donte të provonte eksperienca të shumta e kush më mirë se Lorik Cana ka qenë i tillë, pasi ka luajtur në Ligue 1, Premier League, Serie A dhe në Superligën e Turqisë.

“Objektivi im është të arrijë sa më lart në futboll dhe do punoj për këtë. Do të doja të ndiqja gjurmët e Lorik Canës. Karriera e tij më ka pëlqyer shumë, pasi ka luajtur në kampionate të ndryshme”, – ka përfunduar rrëfimin Bilario Azizi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!