Rrëfimi special i Armand Dukës

Nga analiza e Kombëtares te edicioni i ri i Abissnet Superiore, futbolli i moshave, implementimi i sistemit VAR, infrastruktura dhe projektet e të ardhmes në futbollin shqiptar. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Super Sport” ku ka folur në detaj për të gjitha çështjet e futbollit shqiptar që nga fillimi i vitit 2021 e deri në fund. Kreu i qeverisë së futbollit ka analizuar ecurinë në Europë e klubeve shqiptare, që u konfirmua sërish si mjaft pozitive, teksa për Dukën kjo nuk është më një surprizë dhe se më shtimin e një lige tjetër, si Conference League, synimi duhet të jetë faza e grupeve.

– Zoti President, marrë në konsideratë një vit të vështirë që kemi kaluar, më erdhi në mendje një shprehje e Arrigo Sacchit që thonte “Futbolli është gjëja më e rëndësishme mes gjërave të parëndësishme”. Dhe kur kujtoj që në harkun e këtij viti kemi humbur njerëz të afërt, shumë të dashur të familjes së futbollit, besoj se duhet ta fillojmë me një homazh, pikërisht për ata që nuk janë më.

– Në fakt futbolli tashmë është gjëja më e rëndësishme në gjërat e rëndësishme. Ka kaluar shumë vite nga ajo që ka thënë Sacchi. Futbolli nuk është vetëm sport, por është më shumë sesa sport, pavarësisht se është mirë që ta ruash gjykimin e lojës, por është më shumë se sport. Viti 2021, por qoftë edhe viti 2020 kanë qenë vite të vështira shëndetësore dhe gjëja më e rëndësishme është shëndeti, që pastaj bën të parëndësishëm jo vetëm futbollin, por gjithçka tjetër, sepse nëse nuk kemi shëndetin, nuk mund të gëzojmë asgjë tjetër. Këtë vit, përveç se kemi vuajtur Covidin, jo vetëm shoqëria shqiptare, por edhe kemi humbur dhe kjo është akoma më fatale. Kemi humbur njerëz të afërt, por edhe njerëz nga bota e futbollit. Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të ngushëllojmë veten dhe të afërmit dhe të urojmë që kjo pandemi të përfundojë dhe mos të na shoqërojë në vitet e ardhshme.

– Ka qenë një nga problematikat më të mëdha. Ka prekur edhe futbollin sepse në momente kyçe të rrugëtimit të këtij sporti, sigurisht është ndikuar edhe nga problematikat që kanë pasur protagonistët e tij. 2021, me shenjën e Kombëtares. Kemi pasur disa kulme këtë sezon, që na kanë rikthyer emocionet e forta për të tentuar diçka që nuk e kishim arritur asnjëherë më parë në historinë tonë, për të tentuar një vend të dytë në një grup kualifikues mjaft të vështirë.

– Vështirësia që sjell pandemia, pa dyshim që shoqërojnë në të gjitha fushat e tjera të jetës, në ekonomi, edhe në sport ka ndikuar negativisht, pasi janë njerëzit ata të cilët e luajnë sportin dhe nuk kanë pasur mundësitë maksimale për të arritur objektivat maksimalë që i kanë vënë vetes, apo si shoqëri. Megjithatë, me kënaqësi konstatoj që futbolli shqiptar në nivelin ndërkombëtar ka bërë diçka përpara, ka dhuruar garë emocionale, ka dhuruar edhe kualitet dhe ka arritur edhe rezultate historike apo rekorde që nuk i ka arritur asnjëherë më parë në këto vështirësi. Siç e thashë, nëse nuk do ishin këto vështirësi, jam i sigurt që do arrinim më shumë. Kemi arritur vendin e tretë në kualifikueset e kampionatit Botëror, kemi arritur 18 pikë si asnjëherë tjetër. Pa dyshim që do arrinim më shumë nëse do ishim në kushte normale. Gjithsesi, edicioni ka qenë i bukur, na ka mbajtur me emocione deri në ndeshjen kundër Polonisë në “Air Albania”, ku me një rezultat pozitiv, do të ëndërronim ende me play-off-in në pritje në mars.

– President, kishte një moment në rrugëtimin e kualifikueseve tona, që zhvilluam 3 ndeshje, para fillimit të Europianit, sigurisht, bëmë detyrën me Andorrën, San Marinon dhe u mundëm nga Anglia, që është një planet tjetër. Por në momentin që patë në Europian atë Hungari aq të fortë, Polonia që mbetet një emër goxha i respektuar, përjashtuar Anglinë, patët dyshime që kualifikueset mund të merrnin një kthesë të padëshiruar?

– Kundër Hungarisë, në të gjithë historinë e Shqipërisë nuk kemi arritur një rezultat pozitiv dhe ka qenë për herë të parë në histori kur ne kemi fituar kundër tyre në “Elbasan Arena” dhe për herë të parë shënuam një gol. Pa dyshim që i kemi parë si ndeshje të vështira, i kemi parë si kundërshtarë shumë të fortë. Anglia, besoj jo vetëm unë, por mendoj të gjithë ata që e ndjekin futbollin, është Anglia më e mirë e 20-30 viteve të fundit. Fati ynë i keq që ne patëm një Angli të nivelit më të lartë të historisë së saj. Nëse nuk do ishte pandemia, e theksoj sërish, pasi ndeshja me Poloninë ka një lloj pengu për mua dhe për të gjithë skuadrën, pasi në ditën e ndeshjes ne humbëm 3 futbollistë për arsye të Covid-it dhe kishim dhe 3 dëmtime. Kështu që me 6 mungesa, për një ekip si ne është e vështirë që të arrinim rezultat.

– Prekëm majën e pritshmërive tona me fitoren në Hungari dhe fill erdhi ndeshja me Poloninë në ditën më të papërshtatshme…

– Në futboll mbahen mend rezultatet dhe historia sheh rezultatet dhe i harron paraqitjet. Por ne e nisëm shumë mirë lojën edhe në Poloni. Patëm një paraqitje shumë pozitive dhe kurrsesi rezultati nuk i përgjigjet paraqitjes së skuadrës në fushë. Mendonim që mund të kishim një rezultat pozitiv kundër Polonisë këtu, por nuk u arrit. Gjithsesi, duhet konsideruar si një edicion shumë i mirë. Vendi i tretë në eliminatoret e Botërorit dhe 18 pikë që Shqipëria nuk i ka arritur asnjëherë më parë në historinë e saj.

– Përveç pikëve të arritura, në këtë edicion patëm një lloj rifreskimi të skuadrës. Pak nga pak po ndahemi nga heronjtë tanë që na çuan në EURO 2016 dhe kemi parë shumë emra të rinj, me të cilët praktikisht mund të nisim një cikël të ri.

– Ky është proces, nuk është objektiv që ne duhet të ndërrojmë skuadrën, pasi skuadra Kombëtare nuk mund të ketë një revolucion të menjëhershëm. Mund të ndodhë që një revolucion i domosdoshëm, siç i ka ndodhur shumë skuadrave dhe kjo të bëjë që të kesh një grafik shumë negativ të rezultateve deri në rikthimin e brezit pasardhës. Fatmirësisht te ne ka ndodhur në mënyrë uniforme dhe gërshetimi i futbollistëve me përvojë me ata të rinj. Mbase këtë shans na e dha edhe kompeticioni i Nations League, ku ne, pothuajse të gjitha kompeticionet i kemi bërë me emra të rinj të ekipit Kombëtar. Morëm edhe vendin e parë dhe përgatitëm edhe disa futbollistë për kualifikueset e Botërorit. Futbollistët tanë, jo vetëm të rinjtë, por edhe ata me eksperiencë, gjatë këtij viti janë aktivizuar me skuadra të rëndësishme, janë stërvitur, kanë luajtur. I vetmi defekt është Covid-i që disi i ka penguar. Një nga futbollistët më me kualitet që ne patëm shumë shpresë në ndeshjet e shtatorit, ndaj Polonisë dhe Hungarisë, Bajrami kaloi covid-in dhe nuk ishte në formën e tij më të mirë. Sot është në super-formë dhe nëse do të ishte kështu edhe të tjerët do të ishin në fushë, nëse Berat Gjimshiti nuk do të pësonte atë që pësoi në Hungari, apo edhe futbollistë të tjerë që u dëmtuan, jam shumë i sigurt që sot do të ishim duke diskutuar për play-off-in e marsit.

– Megjithatë President, kur sheh emra si Broja, Kumbulla apo edhe lojtarë të tjerë, gjithmonë ai vështrimi është tani që për të paktën një dekadë, kemi lojtarë të garantuar..

– Kemi lojtarë premtues. Ata që kanë arritur në ekip Kombëtar, emrat që thatë ju dhe të tjerë dhe ata që luajnë në ekipin U-21, që për mendimin tim janë të gatshëm për të debutuar gjatë vitit 2022 në ekipin e parë. Kemi lojtarë premtues, jo vetëm thjesht ato talentet që dalin nëpër gazeta, por talente që janë nëpër fusha dhe ndeshjet e ekipeve të rëndësishme të kampionateve europiane, si Kumbulla te Roma apo Broja në një kampionat si ai anglez dhe jo vetëm prezent në fushë, por edhe me shenja në atë kampionat, me gola të shënuar, me paraqitje të mira. Kemi dhe futbollistë të tjerë, që janë në ekipin Shpresa, që siç thashë, mendoj se janë gati për t’u afruar dhe për të ndihmuar ekipin e parë, si Asllani, që ka qenë bazë e ekipit Shpresa gjatë këtij viti, luan në Empoli, apo Mitaj që është ofruar njëherë në ekipin e parë dhe mbase është gati për të dhënë kontributin e tij. Kam shumë besim te këta të rinj dhe gërshetimi i tyre me lojtarët me eksperiencë në kualifikueset e ardhshme me lojtarët me eksperiencë në kualifikueset e ardhshme apo në Nations League që kemi në vitin 2022.

Si e keni parë debatin mes energjisë së Brojës dhe pjekurisë së Rejës, që është komentuar gjerësisht në shtyp? Së fundmi, më bëri përshtypje edhe një deklaratë e Rejës që “Broja nuk ka pasur një sjellje të mirë”.

– Diferencë e madhe në fakt. Një 76 vjeçar me një 20 vjeçar, mbase e kanë pasur të vështirë. Gjithsesi, unë kam vlerësime pozitive maksimale nga pikëpamja sportive për të dy. Edhe për 20 vjeçarin, edhe për 76-vjeçarin. Broja është një futbollist me talent, nuk mund të themi akoma që është bërë një futbollist i madh. Pasi që të themi që është bërë një futbollist i madh, i duhet akoma kohë. Por ka potencial dhe mundësi dhe të gjithë ne duhet të jemi pozitivë për ta shtyrë atë që të bëhet një futbollist i madh për veten e tij, por edhe për ne, pasi ne na mungojnë talente të tilla. Ndihma që duhet t’i japim është që të jemi realë dhe jo në njëfarë mënyre, ta fërkojmë edhe kur ai gabon. Jemi të gjithë njerëz që gabojmë, por mirë është që kur i vë në dukje kritikat, t’i korrigjosh ato dhe jo të reagosh negativisht. Kam shumë besim që ai do të na ndihmojë, siç do të na ndihmojnë të gjithë të tjerët. Futbolli është një lojë kolektive dhe askush nuk mund ta marrë rezultatin vetëm dhe nëse nuk ka të gjithë kolektivin, nëse nuk ndihmojmë njëri-tjetrin në çdo centimetër. Madje, është rritur aq shumë sa, sa më shumë të rritesh në pretendime apo në nivel lojë, sa më shumë të kalosh në Nations League, nga D në C dhe nga C në B, pastaj nuk është më që të japësh një metër apo centimetër më shumë, por edhe një milimetër. Një milimetër më shumë Broja, aq më shumë Reja dhe ne do të arrijmë.

– Mund ta quajmë të mbyllur si debat?

– Nuk ka debat kur ka kritika. Nuk ka një gjë antagoniste.

– Për ta mbyllur me pjesën e ekipeve Kombëtare. Të kanë zhgënjyer rezultatet e ekipeve U-21, U-19, U-17? Prisje diçka më shumë?

– Nuk më ka zhgënjyer paraqitja e skuadrave, ne i kemi ndjekur ndeshjet, qoftë të U-19, qoftë të U-17 apo U-21, por kam qenë i pakënaqur me rezultatet që kemi marrë. Mendoj që kanë merituar më shumë. Qoftë Bulku me U-17, qoftë Cungu me U-19 apo Bushi me U-21, diçka më pak, por dy të parët shumë më shumë kanë merituar. Në ndeshjet në Irlandën e Veriut, të Shqipërisë U-17, të paktën në ndeshjen e dytë dhe të tretë, sidomos kundër Irlandës së Veriut meritonte shumë më shumë. Ka qenë superiore në lojë, në të gjitha drejtimet, por në fund, ajo ndeshje u barazua. Ndërsa Cungu, megjithëse në një grup të vështirë pati paraqitje të mira. Franca ishte “një planet” tjetër për 19-vjeçarët. Dy ekipet e tjera ishin të konkurrueshme dhe rezultatet, një fitore dhe një barazim ishin të kënaqshme. Mund të bënte diçka më shumë.

– Flasim për futbollin në vend. Unë nuk mbaj mend në memorien time një kampionat ku të shihja 4 skuadra që të rivalizonin deri ditën e fundit për titullin kampion. Si i keni përjetuar ato javët e fundit, ku një herë shikoje një skuadër pranë titullit dhe një javë një ekip tjetër?

– Mendoj që edhe edicionin aktual do të shkojë pothuajse në të njëjtën konkurrencë. Mbase jo në javën e fundit, por unë uroj që gara të shkojë deri në javën e fundit, sepse kjo lojë duhet të dhurojë emocione deri në minutën e fundit, të mbajë çdo njeri me shpresa dhe me ëndrra për të fituar diçka, qoftë titull kampion apo një pozicion më të mirë në renditje. Kjo për arsye, sepse diferenca mes skuadrave nga e para deri tek e teta është pothuajse e padukshme, ndërsa dy të fundit kanë më shumë. Gjithashtu, kjo skemë me 10 skuadra nuk të lejon në asnjë javë që të kesh një lloj relaksi sportiv, të mendosh që këtë herë ke përballë një kundërshtar të lehtë, kështu që kjo skemë do të dhurojë gjithmonë një kompeticion të fortë deri në ditët e fundit dhe të paparashikueshëm.

– Keqardhja ka qenë e madhe që kishim ndeshje të mëdha në atë periudhe dhe ishim të detyruar të luanim pa tifozë. Sepse do të ishte një kujtim shumë i bukur për të gjithë dhe për protagonistët e fushës, veçanërisht për situatën e vështirë që kemi kaluar…

– Kjo nuk varet nga ne, nga askush. Varet nga Zoti apo nga fati për situatën që po kalojmë. Ka qenë zgjidhja më e mirë që të ruhemi dhe të kemi sa më pak dëme, sa më pak humbje, sa më pak përhapje të virusit. Unë uroj që ky virus të largohet sa më parë, të mos na shoqërojë gjatë dhe ne të rikthehemi në jetën normale, aq më shumë në stadiume, pasi e pamë se sa shumë na gëzoi në ndeshjen ndaj Polonisë atmosfera, pavarësisht se na hidhëroi rezultati.

– Larg kostumit të Presidentit për Armand Dukën, triumfi i Teutës në kampionat dhe i Vllaznisë në kupë besoj se ishte diçka e bukur…

– Në fakt, janë dy klube që kanë kontribute të mëdha në futbollin shqiptar. Në Shkodër ka lindur futbolli në Shqipëri, është zona që prodhon shumë futbollistë e që e duan shumë futbollin, e mbështesin ekipin e tyre edhe kur është në vështirësi. Kështu që është shumë mirë që u rikthye te trofetë. Ishte shumë pranë titullit edhe në kampionat, pothuajse moralisht e fitoi edhe kampionatin, sepse ishte me pikë të barabarta me Teutën, e cila gjithashtu ka goxha kontribute, ka qenë konkurruese për shumë vite dhe në fakt, kishte shumë sezone pa fituar titullin. Unë kam parë mesazhet e presidentit dhe drejtorit teknik të Partizanit që uronin presidentin e Teutës për fitimin e titullit kampion. Them se të gjithë e kanë menduar se ishte mirë për Teutën dhe Vllazninë që fituan trofe.

– Forma e mirë, rivaliteti në kampionat duket se reflektoi edhe një herë tjetër në konkurrimin në kupat e Europës dhe ne i pamë sërish skuadrat tona të suksesshme, duke kulmuar pikërisht me Laçin, që arriti deri në turin e tretë…

– Në fakt, u bë rreth tre vite që ekipet shqiptare nuk janë më për një xhiro turistike në Kupat e Europës. Kjo erë e re nisi me Skënderbeun e pastaj me Kukësin e me radhë. Turin e parë e kalojnë të gjitha skuadrat tona dhe e meritojnë ta kalojnë, sepse kampionati jonë meriton shumë më shumë se turi i parë apo i dytë në kupat e Europës. Edhe në kompeticionet europiane ka pasur vështirësitë e veta për situatën. Por gjithsesi unë nuk mendoj që kemi marrë atë që meritojmë. Mund të merrnim shumë më tepër, shorti nuk ka qenë shumë i favorshëm për ekipet tona, që t’i lejonte të shkonin më larg. Për shembull, për shumëkënd Sherif Tiraspoli dukej si një emër i vogël, por është një klub me buxhet të madh dhe e pamë se çfarë rezultatesh mori, duke mundur edhe Realin e Madridit madje.

Pra edhe fati nuk i ndihmoi skuadrat tona, sepse kemi mundësi të shkojmë edhe më lart. Tashmë që kemi tre kompeticione europiane, Champions, Europa League dhe Conference League, ne duhet të pretendojmë me skuadrat tona që të luajmë futboll ndërkombëtar deri në fund të vitit, pra të paktën deri në grupet e Europa League apo Conference League dhe ne e meritojmë këtë. E ka bërë këtë gjë Skënderbeu në dy raste dhe tashmë të gjitha ekipet tona duhet ta tentojnë dhe e kanë plotësisht të mundshme e të arritshme për nivelin e futbollit që ka Shqipëria.

– Duke qenë se keni qenë konstant në mesazhet që keni dhënë vazhdimisht për çështjen e organizimit të klubeve për të qenë të fokusuara drejt një balance të pjesës sportive, financiare dhe për të qenë kompetitiv në garat europiane, duket se në këtë këndvështrim jemi në rrugë të drejtë…

– Klubet tona janë zhvilluar shumë në vitet e fundit, por padyshim jemi larg asaj ku duhet të arrijmë dhe ku pretendon manuali maksimal i licencimit të UEFA-s. E para, është ndërgjegjësimi i klubeve. Unë mendoj se janë ndërgjegjësuar për shumë komponentë. Para pak vitesh klubet mendonin vetëm për një ekip të parë, për një renditje më të mirë, për të marrë një titull dhe pothuajse asnjë nga klubet nuk kishte ekipe moshash apo akademi. Sot i kanë kthyer sytë të gjithë nga akademitë dhe çdo klub ka rreth 200 fëmijë në akademi dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme, pra klubet po shohin më larg. Janë më të mirëorganizuar kudo, janë në marketing, komunikim, në drejtimin sportiv dhe në shumë komponentë. Nuk janë maksimalisht, por kanë hyrë në rrugën e duhur të organizimit, sidomos klubet e Kategorisë Superiore.

Në klubet e tjera inferiore duhet të jemi të ndërgjegjshëm që kemi shumë për të bërë të gjithë bashkë, jo vetëm ne. FSHF në bashkëpunim me UEFA-n ka programe të vazhdueshme, projekte të përhershme për të ndihmuar klubet në organizim, por gjithsesi duhet që të kemi një partneritet serioz me drejtuesit e klubeve, më shumë për ato që janë në kategori inferiore për t’u organizuar si një klub i mirëfilltë futbolli apo për të hyrë në këtë rrugë. Pastaj për të arritur maksimalen kuptohet që kjo është një rrugë e gjatë.

– Shembujt e transferimeve të bujshme siç është rasti i Ernest Muçit, apo Myrto Uzuni dy sezone më parë, janë një tjetër indicie që klubet sigurisht duhet ta kenë fokusin në këto elementë që përmendëm? Sepse është një zë shumë i rëndësishëm në të ardhurat që marrin klubet.

– Padyshim, vetëm një transfertë si ajo e Muçit është pothuajse sa buxheti i Tiranës për një 6-mujor. Me dy transferime siguron buxhetin e gjithë kampionatit dhe historia e futbollit shqiptar në transferime nuk ka qenë e tillë. Në përgjithësi, futbollistët shqiptarë duhet të bënin një trampolinë në një klub më të mirë, kryesisht nga Kroacia për shembull dhe pastaj nga aty kalonin në ndonjë kampionat më të fortë evropian. Fakti që kanë filluar këto lloj transferimesh është pozitive, por është shumë pak. Pavarësisht se transfertën e bën Tirana, kjo është një e mirë edhe për Partizanin, Dinamon dhe klubet e tjera, sepse kthen sytë e specialistëve nga futbolli shqiptar dhe mund të krijojë dhe të hapë dritë jeshile për transferime të tjera që do t’i ndihmojnë klubet. Ka shumë futbollistë shqiptarë që i kemi parë si Albi Doka, që luajti mirë ën Shqipëri dhe luan po aq mirë në Kroaci dhe madje edhe të tjerë.

– President, si e ke parë pjesën e parë të këtij kampionati të ri? Ka diçka plus apo diçka mangët krahasuar me kampionatin e kaluar?

– Është e vështirë të them që ka një organizim më të mirë, është e vështirë të them që ka garë më shumë apo ka nivel më të mirë. Padyshim që prezenca e tifozëve për aq sa është i jep një shtytje pozitive. Mund të them edhe një konstatim negativ, që gjatë kësaj periudhe të fazës së parë, duke qenë se disa skuadra ishin ën kupat e Europës dhe kemi pasur një lloj mungese të infrastrukturës sportive, sepse kemi qenë në mesin e rikonstruksioneve të stadiumeve në Durrës, Kukës, Laç teksa në janar të gjitha këto stadiume do të jenë gati dhe do të kemi një infrastrukturë shumë të mirë. “Elbasan Arena” dhe “Air Albania” janë detyruar të përballojnë numër ndeshjesh shumë të madh.

Ka ndryshime në organizimin e klubeve, ka ndryshime në marketing, ka ndryshime, sepse Liga në fund të fundit ka shitur edhe të drejtën e emrit të kampionatit dhe të ardhura më shumë. Kjo tregon që të gjithë kanë filluar të ndërgjegjësohen që ky është një produkt i përbashkët, pavarësisht se ekziston akoma ndonjë debat, por besoj që do ta zgjidhim. Klubet e kanë kuptuar që i kanë të gjitha gjërat bashkë, përveç 90-minutëshit që i ndan, pasi klasifikimi është shumë i rëndësishëm, por duhet të punojnë bashkë për rritjen e të ardhurave dhe për t’i kthyer këto të ardhura në cilësi sportive.

– Për dikë që e sheh nga jashtë, fakti që 1/3 e ndeshjeve luhen në fushë asnjanëse mund të jetë një problematikë. Ata që janë më të afërt me garën e dinë se çfarë pune po bëhet me stadiumet, por si mund të evitohet kjo shtrirje në kohë për të mos pasur problematikat e tilla?

– Fatkeqësisht investimet në fushën e futbollit janë të tilla që zgjasin dhe nuk mund të kalojnë pa cenuar një periudhë të kampionatit, kështu që nëse pretendon për të përmirësuar infrastrukturë sportive këto janë çështjet që do të shoqërojnë. Por nga ana tjetër ndeshjet në shtupo apo jashtë në kampionatin shqiptar, fatmirësisht pothuajse e kemi ngushtuar aq shumë hendekun e luajtjes në shtëpi apo jashtë saqë rezultatin mund të arrish në të njëjtën mënyrë. Kemi parë Egnatian që të fitojë në Laç, diçka që dikur mund të ishte utopike për shembull për Partizanin, apo ekipe të tjera të fitojnë në Rrogozhinë. Pra, diferencat brenda ose jashtë fushe te ne janë zbutur shumë dhe me këtë dua të them që nuk kanë ndikuar në klasifikimin e kampionatit apo në atë ç’ka kanë pretenduar skuadrat në objektivat e tyre.

– Risi absolute në këtë kampionat ka qenë përdorimi i sistemit VAR. Tani me VAR-in ke marrë dyfish ankesa, një pjesë për arbitrat dhe një pjesë për VAR-in apo janë minimizuar ankesat në total?

– VAR-i është një hap shumë pozitiv në eliminimin e diskutimeve të mëdha, që vërtetë vendosin fatet e një ndeshjeje futbolli. Eliminon mbi 90 % të gabimeve të mëdha, sepse dihet që VAR nuk ndërhyn në çdo rast, por ka një protokoll me disa hapësira ndërhyrjeje në raste goli, karton i kuq, penallti apo pozicion jashtë loje. Kështu që këto unë mendoj se i ka eliminuar, nuk kemi dëgjuar shumë diskutime në Superiore, aty ku është përdorur. Përderisa kjo teknologji u fut tashmë në botën e futbollit unë mendoj se ka qenë një investim shumë i mirë. I dhimbshëm ekonomikisht për ne, pasi jemi një federatë e vogël dhe e ndjejmë shumë. Si asnjë federatë tjetër të gjitha shpenzimet, jo vetëm për teknologjinë, por edhe për burimet njerëzore që tashmë dyfishohen, përballohen nga federata, sepse në të gjitha vendet e tjera përballohen nga ligat ose nga klubet me të ardhurat që ato sigurojnë. Përkundrazi, ne nuk cenojmë asgjë nga të ardhurat e klubeve nga e drejta televizive apo shitja e të drejtës së emrit, por i shtojmë diçka në shpërndarjen që u bëjmë atyre de nuk ngarkojmë asnjë shpenzim për llogaritë e klubeve. Kështu që ka qenë diçka e kushtueshme, por pozitive për kampionatin elitar. Tashmë duhet të mendojmë për të ardhmen për ta pasur sistemin VAR edhe në Kategorinë e Parë. Ne kemi mundësinë ta përdorim në ndonjë ndeshje vendimtare, por mirë është që ta kemi në çdo ndeshje në Kategorinë e Parë.

-Gjatë muajve të verës, veçanërisht në atë muaj të parë të kampionatit u bënë shumë ndeshje ku po testohej VAR-i. Në dijeni të punës së madhe të bërë, kishe këtë lloj pritshmërie, që VAR do të shkonte në këto nivele që jemi? Sepse ishte diçka e re, njerëz që duhet të punonit me ta…

– Në fakt ne kemi zgjedhur teknologjinë më të mirë të mundshme. Kemi marrë kompanitë më të mira në Europë, të rekomanduar nga FIFA. Sistemi është certifikuar nga ekspertë dhe specialist të FIFA-s, gjithashtu dhe njerëzit që punojnë në të, qoftë nga pikëpamja teknike apo qoftë edhe nga pikëpamja sportive, arbitrat, janë njerëz që janë trajnuar. Kemi një numër të kufizuar, duhet t’i shtojmë ata, kështu që, përderisa e kemi bërë projektin të mirëstudiuar në letër, kemi zgjedhur, kemi marrë vendimin e duhur, kemi marrë teknologjinë më të mirë, kemi trajnuar. Para se të implementohej në shtator, ne kemi bërë më shumë se sa një vit trajnime, implementime etj, kështu që padyshim prisnim rezultat pozitiv dhe funksionim normal.

– Për të kaluar një moment te infrastruktura, ju përmendët, është zhvendosur vëmendja në shumë impiante, Kukësi, po presim me ditë për të prerë shiritin, stadiumi i Durrësit besojmë me fillimin e Vitit të Ri do të jetë edhe ai gati. Ku do të jetë fokusi i radhës?

– Kanë përfunduar Durrësi dhe Kukësi. Pritet në të dy rastet, duke qenë se temperaturat janë të ulëta, bari Akoma nuk po zhvillohet normalisht në nivelin e duhur për të pritur ndeshjen e pare. Uroj që deri në janar kjo gjë të ndodhë, të kemi temperatura më të mira, por nuk kemi pritur vetëm temperaturat. Kemi marrë pajisje teknologjike për ta ndihmuar zhvillimin e barit dhe në janar të dy stadiumet të jenë gati për lojë, qoftë Durrësi apo dhe Kukësi.

Nuk kemi ndonjë projekt rikonstruksioni stadiumesh, por kemi në proces dhe në projekt rikonstruksioni dhe ndërtimesh të shumë fushave të reja për stërvitje, jo vetëm për klubet profesioniste, por edhe për fëmijët dhe amatorët. Siç e dini, ne përveç kampionateve të kategorisë së pare, të dytë, të tretë, të fëmijëve, kemi filluar edhe shumë kampionate amatore, 9×9, 5×5, në të gjithë Shqipërinë, kampionatet e shkollave etj. Fusha stërvitjeje kemi filluar në Durrës, njëra ka përfunduar, tjetra është drejt përfundimit në rikonstruksion, me tapet artificial.

– Ka patur bashkëpunim nga autoritetet?

– Po, në Durrës dhe pothuajse në të gjitha bashkitë e vendit kemi gjetur bashkëpunim në bashkëfinancim. Në Durrës me Bashkinë e Durrësit, në Shkodër me Bashkinë e Shkodrës, kemi filluar një projekt shumë të madh në Lushnje, i cili mbase mund të ketë hedhur, le të themi, lopatën e parë, sepse Lushnja ishte katastrofë me infrastrukturën, nga stadiumi apo ambientet e stërvitjes. Në një takim me Bashkinë e Lushnjes kemi vendosur dhe kemi bërë një marrëveshje që bashkarisht të finacojmë në rikonstruksionin apo rindërtimin, sepse janë vetëm në inventar 3 fusha sportive rreth e qark stadiumit të Lushnjes, të cilat do të rikthehen dhe besoj brenda 6 mujorit të parë të vitit tjetër do të jenë gati. Me këto investime që po bëhen në Lushnje dhe një fushë tjetër që ka bërë bashkia në Plug, besoj që Lushnja ka siguruar infrastrukturën të paktën për 5-6 vitet e ardhshme. Jam i sigurt që do kenë nevojë akoma më shumë. Është një vend ku e duan shumë futbollin dhe do të shtohen interesi I fëmijëve.

– Mbetet ende në fuqi oferta e përsëritur nga ju për të patur 100 fusha të gatshme për të investuar?

Po, ky projekt ka filluar tanimë. Vazhdon në Lushnje, kemi filluar bashkë me Bashkinë e Maliqit në Maliq, në shumë vende të tjera. Kemi dy iniciativa private në Tiranë, dy në Shkodër. Ky do të jetë fokusi ynë dhe projektet ne do t’i orientojmë, kuptohet që vetëm me të ardhurat tona është e pamundur, por ne aplikojmë në projekte europiane apo botërore dhe ky do të jetë fokusi ynë për të ndërtuar fusha stërvitjeje sa më shumë. Nuk themi jo, çdo lloj propozimi që të vijë për bashkëpunim në ndërtimin e fushave, le të jetë ky një person privat, një klub futbolli, një Bashki, çfarëdo që të jetë. Mjafton që të jetë i gatshëm për të bashkëinvestuar në ndërtimin e infrastrukturës sportive. Është gjëja kryesore që ne mund të bëjmë tani për të pasur një të ardhme më të mirë dhe për ta hedhur atë hapin më të madh cilësor që ne pretendojmë që Shqipëria në të ardhmen do. Nëse do të rregullojmë infrastrukturën dhe me këto zhvillime që janë bërë, jam e sigurt që Shqipëria në të ardhmen renditet deri në 20 vendet më të mira të Europës në futboll.

– Kur do të përmbyllet projekti juaj për Shtëpinë e Futbollit?

– Projekti është shumë i madh. Është përfunduar 70% e tij. Nga projekti final, kanë përfunduar zyrat, ka përfunduar një nga mini-stadiumet dhe është pothuajse në proces edhe tjetri. Projekti final do të jetë edhe me një hotel për ekipet kombëtare. Është i gjatë si projekt, por faza e parë do të përfundojë gjatë 2022-shit, që do të thotë, përfundimi i dy stadiumeve bashkë me kompleksin që duket në video, ndërsa hoteli do të marrë pak më shumë kohë pasi nuk kemi mundësi financiare për ta përballuar. Dihet që i gjithë kompleksi është 100% financim nga fondet tona në bashkëpunim me FIFA-n.

-Një nga temat më të diskutuara gjatë vitit 2021 ka qenë një marrëdhënie e brishtë me qeverinë, lidhur me procesin e financimit apo sponsorizimit në sport. Në ç’pikë janë tani këto marrëdhënie?

– Jo, nuk është e vërtetë marrëdhënie e brishtë. Jo vetëm ne, por askush nuk mund të bëjë asgjë pa një marrëdhënie korrekte me qeverinë. Fakti që ne, si një grup interesi, si një komunitet sportiv apo si një komunitet futbolli, kemi kërkesat tona për zhvillimin e futbollit. Kërkojmë nga qeveria që të bëjë detyrat e veta në marrëdhënie me ne, kjo nuk do të thotë një marrëdhënie e brishtë, por një marrëdhënie e shëndetshme, që i kërkon qeverisë të mbështesë veten e vet në fund të fundit, sepse i gjithë komuniteti sportiv është pjesë e shoqërisë shqiptare, e një familjeje.

– Nuk kam dalluar një qëllim pozitiv nga qeveria lidhur me kërkesat tuaja, por mbi të gjitha të hartuara nga Liga…

– Nuk ka pasur një realizim të kërkesave tona, por siç thashë, kjo nuk do të thotë një marrëdhënie e brishtë. Kjo nuk do të thotë që ne nuk do të vazhdojmë të kërkojmë. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë më të mirën e mundshme për zhvillimin e futbollit. Do kërkojmë madje dhe më shumë se sa i ka mundësitë qeveria, sepse kjo është detyra jonë. Nga ana tjetër, qeveria duhet të shohë llogaritë e veta, se sa ka mundësi për ta ndihmuar futbollin. Në fakt, ka mundësi dhe detyra akoma më shumë. Ato që kemi kërkuar ne, nuk janë gjëra që i kemi shpikur ne. Për të arritur atë që diskutuam më parë, klube të mirëorganizuara, klube të formalizuara, klube që paguajnë taksat, që kanë një marrëdhënie shumë korrekte, ne e kemi vendosur këtë marrëdhënie korrekte, sidomos në klubet profesioniste, me punëmarrësit e tyre apo me futbollistët, nëpërmjet organeve të Federatës së Futbollit, por këto kërkojnë një lloj mbështetjeje politike jo vetëm të qeverisë, por të gjithë politikës, për të miratuar ligje në unanimitet, për të mirën e sportit në përgjithësi dhe të futbollit në veçanti, sepse fatmirësisht apo fatkeqësisht, 90% e sportit në Shqipëri është futboll, të paktën nga numrat e atyre që e ushtrojnë atë.

Më vjen keq kur ulem në tavolinë me kolegë nga Kosova, në klube me partnerë të mitë të biznesit, e po të jap dy-tre shembuj. Kosova, përveçse ka shitur emrin e Superligës, BKT-së me një shifër të konsiderueshme sepse atje është miratuar ligji që 30% e tatimit mund ta sponsorizosh në sport, kështu që shuma që merr Kosova nga kampionati i Superligës në Kosovë nga BKT-ja, është shumë më i madh nga kjo që marrim ne. Unë e konsideroj shumë zhvillim shitjen në Abissnet. Përveç kësaj, Kosova ka shitur dhe emrin e Kategorisë së Parë. Një bashkëpunëtor i imi në biznes e ka blerë dhe pronari i VivaFresh, që as nuk e sheh futbollin, e ka menduar që pse jo të mos i ndihmoj. Një tjetër mik i imi në Kosovë kishte sponsorizuar Prishtinën për 150 mijë euro, sepse i zbret këto nga taksat dhe Prishtina forcohet. Nëse vazhdon Kosova me këto ligje, Maqedonia ka dhe ne nuk do ta bëjmë, kam frikë se do na kalojë, jo frikë, por do na kalojë shumë shpejt Kosova.

Ne duhet ta shohim futbollin në përgjithësi, jo vetëm klubet profesioniste, por të gjithë ekipet e futbollit duhet t’i shohim jo thjesht si një garë, por është më shumë se sa një garë. Është vërtetë lojë, por që sjell të ardhura në ekonomi. Sjell të ardhura direkte nëpërmjet aktiviteteve që përmendëm, transferta lojtarësh, bileta, të drejta televizive, të drejta reklamimi etj, por kursen shumë buxhetin e shtetit se heq fëmijët nga rruga, edukojmë fëmijët, edukojmë të ardhmen. Kursejmë ato para që përdoren për të shëruar shumë sëmundje që i ka bota e sotme, për të luftuar e eliminuar drogën, për të luftuar obezitetin, që është shumë i përhapur. Nëse do ta shohim në këtë këndvështrim, çdo lloj qeverie, paratë që i hedh në sport, do t’i kursejë shumë shpejt nga buxheti i shtetit.

-Keqardhja qëndron President që sa herë që luan Kombëtarja, pothuajse të gjithë aktorët e politikës janë të gatshëm për të qenë prezent në tribunë, por kur vjen puna për të dhënë kontribut, që i takon, deri në këtë moment kanë hezituar.

– Duhet ta shohin të gjithë në syrin perspektiv. Në të njëjtën mënyrë ka disa bashki që e shohin në perspektivë, por shumica e tyre e shohin në afatshkurtër, ku të bëjnë një rezultat, sepse mendojnë që disa tifozë aty do u japin një votë më shumë, por jo. Unë i garantoj të gjithë, që i gjithë populli do i japë më shumë vota nëse ne do t’i krijojmë kushte fëmijëve për të luajtur futboll. Nëse të gjithë prindërit do të shohin fëmijët e tyre të gëzuar dhe të dëfrejnë nëpër fusha futbolli në çdo cep të Shqipërisë, se sa kur një skuadër province merr një rezultat pozitiv. Është i gabuar fakti që nëpërmjet rezultatit, kjo i bën mbase dhe një pjesë të politikanëve se s’mund të them të gjithë, të duken nëpër tribuna stadiumesh, se mbase përfitojnë nga kjo, por jo. Do të përfitojnë shumë më shumë nëse do t’i bëjmë fëmijët që të kënaqen nëpërmjet lojës, të jenë më të shëndetshëm dhe të jenë të gatshëm për të ndërtuar një shoqëri akoma më të mirë.

-President, një projekt i lançuar së fundmi, me një vendim të Komitetit Ekzekutiv, ishte mbulimi i financimit nga ana e Federatës, për të gjithë bazën materiale të ekipeve të futbollit, pasuar projektit që kishit ‘’Topi Im’’, për heqjen e taksave.

– Nuk ka qenë një gjë e papritur, nuk ka qenë “një rrufe në qiell të hapur” që u mblodh Komiteti dje dhe vendosi që do të financojë uniformat sportive për çdo njeri që luan dhe çdo fëmijë që luan futboll në Shqipëri. Ka qenë një gjë e parashikuar në strategjinë e zhvillimit nga Federata e Futbollit. Ka filluar me atë çka kemi pasur mundësi financiare dhe ka qenë më e rëndësishme, me topin, 5 vite më parë, ku Federata e Futbollit financon furnizimin me topa për çdo fëmijë e profesionist që luan futboll. Në Shqipëri ka qenë e programuar edhe kjo e uniformave, e cila konsiston në furnizimin e çdo akademie private apo sido që të jetë me një set loje dhe stërvitjeje për fëmijët. Padyshim është përpjekja jonë që ne t’i sigurojmë fusha futbolli, që të afrohen akoma më shumë dhe një gjë tjetër që është e programuar. Do thuash përse s’janë bërë të gjitha?! Nuk mund t’i bëjmë të gjitha në një kohë. Federata ka qenë një institucion me një buxhet modest, e ka pasur të pamundur që t’i bëjë të gjitha. Tashmë nëpërmjet menaxhimit të administratës së saj dhe të gjithë personave që punojnë atje, ka mundësi edhe nëpërmjet projekteve të FIFA-s dhe UEFA-s të bëjë diçka më shumë.

Përveç kësaj ne në 2022-shin do të bëjmë edhe ‘ekipe komunitare’, nëse mund t’i quaj kështu, ose do mund të pagëzohen me një emër tjetër, ku do të paguajmë trajnerët dhe të gjithë stafin për të stërvitur fëmijët. Kuptohet topin, uniformën dhe fushën e kanë gratis dhe do të financojmë edhe shpërblimin e stafit për arsye se ka njerëz shumë të varfër, vërtetë të varfër, që nuk kanë mundësi të paguajnë qoftë edhe 500 lekë apo 1000 lekë për t’u stërvitur. Kështu që do krijojmë këto skuadra për të gjithë ata që nuk kanë mundësi të paguajnë, në një lloj mënyre që të krijohet diçka si shkollat private dhe shtetërore. Këto do të jenë ekipet komunitare të financuara 100% nga Federata dhe fëmijët vetëm do shkojnë të stërviten me qëllim që ne t’u japim shanse të barabarta dhe mundësi çdo njeriu për t’u afruar në lojën tonë, për të luajtur futboll, pavarësisht se prindërit e tyre kanë apo nuk kanë mundësi ekonomike.

Jam shumë i sigurt që kjo do prodhojë edhe kualitet, sepse futbolli është lojë e sakrificës dhe njerëzit le të themi sa më nivel të ulët ekonomik të kenë aq më shumë uri kanë dhe aq më shumë do bëhen futbollist të mirë.

– Pa tarifa, topi, baza materiale, terrene të paguara, trajnerë të paguar… të gjitha këto, janë bazë për të patur një rritje cilësore të numrave të njerëzve që duan të merren me futboll?

– Na duhet infrastrukturë më shumë. Kryesisht në Tiranë ka një mungesë të theksuar të infrastrukturës. Federata e Futbollit ka futur shumë projekte dhe ka fituar shumë prej tyre në institucionet ndërkombëtare UEFA, FIFA edhe në BE kemi fituar projekte financimi, por është jashtëzakonisht e vështire pasi është minimale në krahasim me atë që ne kemi nevojë në infrastrukturën sportive. Është e pamundur që t´I bëjë të gjitha Federata, nuk është as detyrë e saj, pavarësisht dëshirës së madhe për të bërë infrastruktura. Prandaj për të patur atë hapin e madh cilësor, për të arritur aty ku unë thashë në të ardhmen, na duhet një mbështetje infrastrukture nga të gjithë, nga pushteti qendror tek pushtetet vendore për të hapur terrene në radhë të parë. Ne kemi bërë dhe kemi lançuar dy vite më parë projektin “100 Fushat”, për ndërtimin e fushave me çdo lloj partneri në Shqipëri, por nuk gjenden terrenet, sidomos aty ku ka më shumë popullsi dhe aty ku janë më të domosdoshme. Prandaj frika është mos krijohet një lloj disproporcioni, pra të krijojmë më shumë infrastruktura aty ku nuk ka njerëz. Terrene duhen në Tiranë dhe unë I bëj thirrje atyre që drejtojnë sot vendin që ta bëjnë këtë gjë në Tiranë pasi do bëjnë gjënë e duhur. Nuk është problem parash, për buxhetin e shtetit janë shumë pak para. Është çështje vullneti dhe dëshire. Padyshim që I mbështesim edhe ne me mundësitë tona. Nëse bëjmë terren vërtetë do të bëjmë një hap të madh cilësor, të jeni të bindur. Çdo gjë ka ndryshuar për mirë, burimet njerëzore kanë ndryshuar për mirë. Kemi stafe, nuk them super cilësore, por kemi trajnerë të mirë, stafe të mira. Federata ka projektet e saj për edukimin e të gjithë llojeve të specialistëve në bashkëpunim edhe me Universitetin e Sporteve për përgatitës atletik, videoanalist etj., dhe do vijnë rezultate pozitive. Rezultati pozitiv nuk është vetëm rezultati i një ekipi kombëtar apo një klubi por edhe rezultati i masivitetit, i të gjithë atyre që luajnë futboll.

– Një rast për t’u ilustruar dhe që është bërë viral në rrjete sociale, ishte një ndeshje e luajtur në Përmet…

– Katastrofë, e kam parë. Është një papërgjegjshmëri e njerëzve që kanë qenë në drejtimin e asaj ndeshje. Ndeshja ka filluar në kushte normale të Përmetit, pra në kushte të pranueshme (nuk po them në kushtet e “Allianz Arena-s”). Gjatë ndeshjes ka patur reshje të dendura dhe zyrtarët e ndeshjes duhet ta kishin ndërprerë atë. Pra të papërgjegjshëm. Të dy klubet, arbitrat, delegatët që kanë qenë në atë ndeshje me një motiv idiot kanë dashur ta përfundojnë atë ndeshje, a thua se kanë një kalendar të ngjeshur dhe nuk do gjenin një ditë tjetër për të luajtur. Kujt i shërben ajo ndeshje, kategoria e dytë, pa ndonjë rëndësi të madhe klasifikimi, pra ishte një gabim trashanik.

– Pjesa e dhunës ka qenë më pak e dukshme në këtë sezon, por raste sporadike nuk kanë munguar, madje veçanërisht tek pjesa e futbollit të moshave. Sa po ndikon edhe kuadri ligjor që u përmirësua për të luftuar këtë fenomen?

– Zero. Asgjë nuk ka ndikuar. Kemi pasur ngjarje të rënda dhe padyshim që kemi fenomene negative por ajo me të cilën duhet të merremi është ajo çfarë kemi ne brenda fushës së sportit dhe çfarë mund të bëjmë për t´i minimizuar ato, për të sensibilizuar njerëzit. Shumë e turpshme për ta thënë që ne futbollin e fëmijëve ka shumë raste ku prindërit janë protagonistë. I kemi parë dhe nëpër video dhe nuk është një rast i veçuar, ndodh. Pasioni pozitiv është i mirë dhe shërben për t´u bërë futbollist, por jo një ego e shfrenuar e cila ndikon tek marrëdhënia e fëmijëve në fushë, tek marrëdhënia e fëmijëve me trajnerin. Prandaj duhet sensibilizim që fëmijët të luajnë vetëm futboll. Ashtu siç e dorëzon djalin apo vajzën në shkollë tek mësuesi për ta edukuar, ashtu lëre dhe në futboll që ta edukojë trajneri. Kemi arritur edhe në konflikte midis prindërve.

Pra, nuk është vetëm çështje dhune apo fjalori brenda fushës së futbollit, është çështje shoqërie, duhet të heqim dorë nga këto. Edhe masat që marrin Komisionet e Federatës së Futbollit, që dënojnë një fushë, një futbollist apo përjashtojnë një tjetër, nuk janë mjaftueshëm. Duhet të ndërgjegjësohen të gjithë. Pastaj për tu kthyer tek ligji, ai është një ligj që nuk zbatohet. Në diskutimin që qe bërë bashkë me kryeministrin, u tha që në mënyrë taksative kush shkel fushën e gjelbër, me Kod Penal do dënohet 3 vjet. E kanë shkelur pafund fushën e gjelbër dhe nuk janë dënuar as 3 ditë. Unë nuk dëshiroj të dënohet njeri, thjesht nuk dua që të shkelet fusha dhe nëse ka një mekanizëm tjetër që ta bëjmë fushën të pashkelshme, që të mos na thyen stolat etj, pasi kemi bërë një super stadium me të gjitha kushtet e komoditetet për spektatorët dhe në çdo derbi kemi pasur firo 500 stola. I kanë paguar klubet e tyre në fakt, Partizani të vetët dhe Tirana të vetët, por edhe klubet nuk janë të pasur e as ne nuk jemi të pasur.

Në fund të fundit pse duhet ta bëjnë. Tifozët kanë kushte shumë të mira, le t’i shijojnë, të mbështesin skuadrat e tyre, le të fitojë më i miri dhe të ketë fair-play. Stadiumi stadium është, nuk është teatër, padyshim dhe mund të ketë edhe pak shfrenim të gjuhës, po pse duhet të thyhen stolat që mëzi I kemi dhe mezi I bëmë. Ne jemi relativisht të varfër, nuk është se kemi ndonjë mbështetje. Ne pa mbështetjen e policisë nuk mund të bëjmë asgjë. Padyshim kemi komunikime, kemi përmirësime, policia është e gatshme të na ndihmojë në organizimin e ndeshjeve. Në fund të fundit edhe kanë ndaluar persona që kanë thyer stola apo trazira të tjera, por nuk ka patur efekt, nuk është zbatuar ligji që thatë juve. Vetëm zbatimi I ligjit do të bëjë atë që e kemi përmendur dhe e kemi diskutuar shumë nëpër studio, atë që bëri Anglia. Anglia nuk pat lënë gjë pa bërë, kanale e gardhe që të mos hynë në fushë. Tani i ka hequr edhe kanalet dhe gardhet, pasi funksionon ligji dhe nuk guxon kush të tejkalojë limitin.

– Match-fixing është një histori e mbyllur në futbollin tonë?

– Është histori e minimizuar drejt zeros, por jo e mbyllur. Kemi shumë pak tentativa të cilat jam i sigurt që do ti eliminojmë 100% brenda këtij viti. Nuk do ketë shans asnjë që të bëjë matsh-fixing, pra fiksim rezultati në Shqipëri. Ta harrojnë edhe ata që mund të kenë menduar ta bëjnë, futbollistë, arbitra, trajnerë apo drejtues. Iku koha e saj, kthehuni në rrugën e Zotit, luani futboll. Nëse ekzistojnë shumë pak në Shqipëri, ju garantoj se nuk do të kenë shans ta bëjnë në 2022-shin.

– Në fund president do doja një urim për familjen e madhe te futbollit për të patur një vit të ri me sa më shumë suksese.

– Duke qenë fundviti, ajo që dua të uroj kryesish është që të kalojnë të gjithë festa të gëzuara dhe viti i ri ti gjejë të gjithë njerëzit, të gjithë shqiptarët dhe kryesisht futbollistët dhe komitetin e futbollit më të gëzuar, me më pak Covid deri sa të shkojmë drejt shuarjes së tij, me shëndet të plotë, me sa më shumë suksese, lumturi e gjithçka të mirë në familjet e tyre. (Marrë nga FSHF)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!