Daja: Jemi të kompletuar, tifozët dhe VAR, adrenalinë…

Edicioni i 83 futbollistik i Kategorisë Superiore nis të premten me Teuta- Partizani në ‘Elbasan Arena’. Flet Ilir Daja

Trajneri i Partizanit Ilir Daja flet si një trajner që do të hapë me të tijtë kampionatin e 83-të Kategorisë Superiore.

Në konferencën për shtyp, tekniku i njohur prek jo vetëm takimin me kampionët nga Durrësi por dhe merkaton e kuqe, sistemin VAR që do aplikohet për herë të parë në futbollin shqiptar etj.

Beson te grupi aktual dhe shton se te Partizani objektivët primarë janë gjithnjë prezent.

Ilir Daja:

Merkato– “Gjithmonë trajnerët nuk kënaqen, kërkojnë akoma më shumë, kërkojnë t’i kenë vendet e dubluara dhe të kenë më shumë alternativa. Gjithsesi besoj që tani jemi më të kompletuar dhe të kënaqur me grupin që kemi në dispozicion. Janë afruar rreth 20 futbollistë me mbarimin e edicionit të kaluar, ku kemi një ndërthurje shumë të mirë të brezave, pra kemi lojtarë me eksperiencë. Porta është e blinduar me Hoxhën dhe Teqen. Gjithashtu kemi afruar një portier me shumë perspektivë si Laroshi.

Për të vazhduar me zv.kapitenin Belicën, me 2-3 alternativa në qendër. Për të vazhduar me Zhunior që është një nga pikat tona kryesore dhe me goxha eksperiencë. I është afruar në kualitet dhe rikthimi i Malës dhe afrimi i Kaçes. Gjendja e tyre nuk është e duhura, për të startuar nga fillimi nesër. Kemi lojtarë të rinj që mund të jenë lojtarë të formacionit bazë, duke filluar që nga Rrapaj, Albion Marku, etj. Kemi shumë lojtarë 19-vjeçarë me shumë perspektivë që do të jenë e ardhmja e Partizanit”

Ndaj Teutës? -“Unë do të thoja që po të shikosh këtë kampionat, të gjitha ndeshjet janë të vështira. Në nivel paragjykimi janë 7 ekipe që pretendojnë pjesën e sipërme të tabelës. Nganjëherë futbolli është i paparashikueshëm, ato që mundet të parashikohen si ekipet për të fituar trofeun gjatë rrugës kanë probleme, siç ndodhi edhe kampionatin e kaluar, që asnjëherë nuk na llogariten ne si Partizan si ekip pretendent.

Deri në fund ishim aty, një nga pretendentët kryesorë. Nuk ka ndeshje të vështira dhe të lehta, besoj që luajmë me ekipin kampion, motivi është më i madh. Në përballjet e vjetshme kemi qenë aty, me 3 barazime dhe një fitore më shumë nga ana jonë. Me një Teutë dhe Partizan të ndryshuar tashmë, ne presim që nesër të jetë një ndeshje e vështirë. Duhet të jemi edhe pragmatistë, sepse e dimë që nuk kemi formën maksimale, për shkak të dinamikës së zhvillimit të merkatos”.

Afrimet? – “Nëse Kaçe apo Male do të kishin pasur gjendje më të mirë fizike, nesër do të ishin titullarë. I kanë cilësitë për të qenë titullarë të padiskutueshëm. Kjo nuk është problematikë e jona, por është edhe kujdesi i vetëm lojtarëve për gjendjen e tyre. Gjithsesi urojmë të na vijnë sa më shpejt të jetë e mundur. Do i shërbejnë shumë ekipit.

Kemi qenë shumë të kujdesshëm në merkato. Kemi parë shumë, kemi zgjedhur disa prej tyre, për ta përfaqësuar Partizanin në objektivat. Me pjesën më të madhe të grupit kemi qenë në fazë përgatitore për ta përballuar fillimin e kampionatit. Duke rritur lojtarët gjendjen fizike, besoj jemi në gjendjen e duhur”.

Titulli ?– “Partizani është nga ekipet më të titulluara dhe presioni është gjithmonë prezent, sido që të formatohet ekipi. Ka një tifozëri të shumtë që i qëndron afër ekipit. Përveç se është një suport i rëndësishëm, kërkon maksimumin. Secili lojtar apo staf, e di këtë lloj presioni kur drejton ekipe si Partizani. Lojtarët zgjidhen që ta durojnë këtë presion. Kjo lloj trysnie do të jetë motiv i madh për ne, kërkesat që kanë tifozët tanë, ne t’ia shprehim në fushën e lojës”.

Stadiumi – “Nuk ka rëndësi se ku luajmë pasi përballë janë dy skuadra që do të kërkojnë të fitojnë, si Teuta ashtu edhe ne. Efekti fushë nuk është dhe aq i rëndësishëm. E rëndësishme është që luajmë në një fushë të mirë si ajo e Elbasanit dhe si ne ashtu edhe Teuta do të kenë mundësi që të shfaqin një futboll në një ambient shumë të mirë”.

Kthimi i tifozëve dhe VAR – “Më e rëndësishme është fakti i rikthimit të tifozëve. Ndeshja luhet për ta. Për ne është një suport i madh, pasi ka shumë tifozë që na ndjekin dhe jo vetëm në stadium, por edhe në të gjithë Shqipërinë.

VAR mendoj se do të menaxhohet drejt nga FSHF dhe të interpretohet drejt. Mendoj që do të ulë shkallën e padrejtësisë. Nëse një arbitër gabon në të qindtat e sekondës, e kanë më të thjeshtë ata që janë në sistemin VAR për të gjykuar.

Kam mendimin që ndoshta do të na penalizojë jo vetëm ne si Partizan, por të gjitha ekipet pasi duhet të përshtatemi me këtë sistem pasi është risi në kampionatin shqiptar dhe do kohën e vetë. Por mendoj që instalimi i sistemit VAR do t’i bëjë mirë futbollit tonë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!