Shqipëria e dyta në grup, 5 gola San Marinos

Kualifikuese ‘Katar 2022’, Grupi I: Shqipëri- San Marino 5-0 (Manaj 32′, Laçi 58′, Broja 61′, Hysaj 68′, Uzuni 80′)

Shqipëria bën “pluhur” San Marinon në ndeshjen e luajtur mbrëmjen e sotme në “Elbasan Arena”. Fitorja me 5 gola pa pësuar asnjë e bën të bukur triumfin i cili shoqërohet edhe me kapërcimin në vendin e dytë në Grupin I kualifikues të zonës së Europës për ‘Katar 2022’.

Me një formacion të rinovuar por dhe të diktuar nga disa mungesa serioze si Abrashi, Gjasula e Cikalleshi, kuqezinjtë e Rejas, ia dolën të zhbllokonin në të 32-ën me Rei Manaj.

Goli entuziasmon në shkallë e në fushë pasi në pjesën e dytë ekiulibrat transformohen ndjeshëm dhe rezultati teknik thellohet pa mëshirë. Kështu pas një goli të anuluar të Rei Manaj, radha i vjen të dytit.

Me Armando Brojën e Odise Roshin në fushë gjatë së dytës, manovra shtohet. Goli i qetësisë vjen në minutën e 58’, kur pas një zbritjeje të shpejtë Qazim Laçi, lëshon një goditje perfekte nga jashtë zone, me topin që u ndal në të majtë të Benedetinit të mundur 2-0.

Gjithçka bëhët e lehtë dhe në minutën e 61-të është Armando Broja që shënon një tjetër gol të bukur, pas atij me Hungarinë tri ditë më parë. 3-0.

Elseid Hysaj në të 68-ën shfrytëzon një top të ardhur nga e djathta e Roshit dhe me kokë e dërgon në rrjetë për 4-0.

Vetëm 5 minuta më vonë, Broja godet brenda zonës me topin që stampohet në traversë. Ndërkaq i kudo ndodhuri Myrto Uzuni pasi është rrekur për shumë minuta në fushë, shpërblehet me një gol personal duke vulosur shifrat 5-0.

Shqipëria kombinuar me barazimin e Polonisë 1-1 me Anglinë kapërcen në vend të dytë. Ndeshja e radhës për Shqipërinë në 9 tetor në Hungari me vendasit. Grupi kryesohet nga Anglia me 16 pikë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!