Bajraktari: Nga beteja për jetën te suksesi me Vllazninë
Rrëfehet futbollistja: Vllaznia pika ime e dobët. Qëndroj besnike…
“Tani kushtet janë më të mira. Po t’i krahasoj me kohën kur ishim të vogla, kushtet janë si dita me natën. Stërviteshim në fusha të vogla, në kalçeto, pasi fushat e mëdha ishin për djemtë. Ne nuk na lejonin sepse ishim vajza.”
Arbiona Bajraktari i falet një jete të dytë. Lufta në Kosovë preku edhe atë e familjen e saj, të cilët u detyruan të merrnin udhën drejt Shqipërisë, për të mbijetuar. Ajo ishte vetëm 3 vjeçe e gjysmë asokohe. Familjarët e saj, ashtu sikurse qindra shqiptarë të tjerë të Kosovës i ishin drejtuar kufirit të Morinës, për të shpëtuar jetën e tyre. Në traktorin me të cilin ata udhëtonin kanë qenë rreth 30 persona, me në krye gjyshin e saj. Rrugëtimi i tyre ngeci pikërisht në doganën e Morinës, për shkak të numrit të madh të njerëzve që donin të kalonin kufirin dhe ku për gati 3-4 ditë, ata kanë konsumuar vetëm ujë, pa ushqim.
Kjo gjë ndikoi në gjendjen shëndetësore të gjithë familjes së saj, por sidomos tek vogëlushja Bajraktari, e cila nuk e përballoi mirë situatën. Të gjithë menduan se Arbiona kishte ndërruar jetë…., por pasi kaluan kufirin e Morinës, ata u pritën nga një familje në Kukës. Plaka e shtëpisë, një zonjë fisnike dhe e mençur e ka risjellë sërish në jetë, duke e ushqyer për disa ditë me kos. Arbiona nuk e kujton mirë këtë histori, edhe sepse ka qenë mjaft e vogël, por kujton çdo ditë dhe thekson se do t’i mbetet mirënjohëse gjithë jetën asaj familjeje që i dhuroi për herë të dytë jetën.
Pas përfundimit të luftës, familja e Arbionës u zhvendos sërish në Kosovë. Ajo u rrit në Suharekën e saj të bukur, aty ku edhe lindi, mësoi, si dhe hodhi hapat e parë në futboll. Lagjet e vjetra të qytetit të saj i kujton ende me nostalgji, ku së bashku me fëmijët e tjerë luanin me një top, për të cilin kujdeseshin më mirë se për veten e tyre. Në moshën 12 vjeçare, dy shoqet e saj të ngushta u regjistruan në një klub futbolli për femra dhe e ftuan edhe Arbionën të bëhej pjesë e këtij ekipi.
Nuk e mendoi dy herë, por vendosi që t’i bashkohej dhe të udhëtonte thuajse çdo ditë larg Suharekës, për gati 40 minuta, vetëm e vetëm që të ndiqte ëndrrën e saj. “Futboll kam nisur të luaj që kur isha e vogël, me shokët dhe shoqet e lagjes. Derisa një ditë, dy shoqet e mia të shkollës më thonë se ishin regjistruar në një ekip futbolli për vajza dhe më ftuan të bashkohesha me to. U thashë po dhe çdo ditë udhëtoja 40 minuta larg qytetit për të mësuar më shumë mbi futbollin”.
….Vllaznia është pika e saj e dobët. Arbiona është “minuti i 122-të” i ekipit shkodran. 6 vite ka në këtë skuadër dhe sërish nuk mendon të largohet. E vetmja gjë që shpreson është të korrë sa më shumë suksese, të marrë trofe si dhe të bëhen sërish pjesë e UWCHL. “Me Vllazninë jam bashkuar që në vitin 2015 dhe mendoj ende të vazhdoj. Kam pasur ftesa edhe nga jashtë, por kam vendosur të qëndroj në këtë ekip.
Këtu kam mësuar çdo gjë, këtu jam rritur dhe këtu do të vazhdoj të luaj. Ndeshja më e bukur me këtë skuadër? Nuk e përcaktoj dot. Jemi kualifikuar në 32 ekipet më të mira të Europës në 2019. Por do të mbaj mend gjatë gjithë jetës atë gol që shënova kundër ALG Spor në minutën e 122-të. Ende emocionohem… Momenti më i mirë në karrierën time”
(pjesë nga materiali i Fshf.org)
