Duro: Deliu, Lushkja dhe Shehu luajnë në ‘Jupiler Pro League’

Shpëtim Duro, para se me Laçin e tij të luajë ndeshjen sot në 20:00 me Anderleht në Bruksel (0-3 e vajtjes) për Ligën e Konferencës dha një intervistë për belgen “La Derniere Hour – Les Sportes”.

Duro pranon se Anderleht është shumë më lart se skuadra që drejton dhe sipas tij, bardhezinjtë luajnë me mision të përmbushur pas kalimit të dy turëve.

Ndër të tjera Duro:

“Objektivi ynë fillestar ishte të kalonim një tur, por tani e shohim veten në raundin e tretë ndaj kemi përmbushur gjithçka me sukses. Natyrisht që na vjen keq që jemi në prag të largimit nga Europa, por edhe për faktin që në përballjen e parë me Anderlehtin na munguan dy lojtarët tanë më të mirë, Mazrekaj e Shehu.

Megjithatë Anderlehti është komplet një botë tjetër, që ka dy apo tre lojtarë për rol, ndërsa ne na u desh të plotësoheshim me futbollistë të të rinjve apo të skuadrës rezervë. Ata kanë lojtarë shumë të mirë, por mua më pëlqyen më së shumti Gomez, Rafaelov dhe Versharen. Shpresat tona për kualifikim janë minimale në ndeshjen e kthimit, por do të provojmë të tregojmë cilësitë tona, pavarësisht inferioritetit”.

Laçi?

“Ne jemi një klub që formojmë lojtarë për t’i shitur më pas në klubet e huaja, kryesisht në Kroaci, Turqi e Hungari. Tregu belg është disi i mbyllur për ne, pasi nuk jemi shumë popullorë këtu, megjithatë më herët kanë qenë Olainka e Abazaj që janë transferuar nga Skënderbeu te Gent dhe Anderleht.

Ne humbëm 70% të futbollistëve në fund të sezonit dhe jemi ndërtuar rishtazi, por mund të them se me 2-3 përforcime, mund të garonim për mesin e renditjes në Ligën e parë belge. Aktualisht kemi 5-6 lojtarë të aftë për të bërë karrierë jashtë vendit, por mund të them se emra si Shehu, Deliu e Lushkja mund të luajnë fare mirë në ligën tuaj të parë”.

Klubet shqiptare?

“Klubet shqiptare janë të vogla, por futbolli ynë është duke bërë një përparim të madh. Kombëtarja mori pjesë në Euro 2016, ndërsa Skënderbeu luajti dy herë në grupet e Europa Leagues. Falë investimeve të Federatës së Futbollit, në 10 vitet e fundit është përmirësuar ndjeshëm infrastruktura dhe pjesëmarrja në kompeticionet europiane na ndihmon edhe më shumë, sidomos në aspektin financiar, pasi na jep mundësi të reklamojmë futbollistët tanë në Europë.

Këtë verë kemi eliminuar një klub si Universitatea Craiova, me një buxhet disa fish më të lartë se i yni dhe tani po përballemi me Anderlechtin, ndaj vitrinë më të mirë nuk besoj se ka. Me punën që po bëjmë, kemi ngjallur interes te klubet e huaja dhe mund të them se kemi pasur edhe kontakte nga klube të ligës së dytë në Belgjikë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!