U21 Superiore ul siparin, Bylis kampion
Bylis është shpallur kampion i Kategorisë Superiore U-21 për edicionin 2020-2021, pasi u rendit i pari në përfundim të 24 javëve të luajtura. Skuadra mallakastriote mundi sot Dinamon në sfidën e fundit të sezonit me shifrat 4-0. Protagonist absolut i 90 minutave ka qenë Spahiu, i cili realizoi tre gola për Bylisin, ndërsa goli i katërt është realizuar nga Hajdëraj. 21-vjeçarët mallakastriotë grumbulluan 63 pikë, duke blinduar kreun.
Kategoria Superiore U-21 mbylli kësisoj me sukses sezonin e parë, një risi e Federatës Shqiptare të Futbollit që vendosi vitin e kaluar të merrte këtë iniciativë dhe t’i jepte jetë këtij projekti mjaft të rëndësishëm për futbollin.
Ky vendim u mor në mënyrë që lojtarët e shumtë të cilët mbyllin ciklin me ekipet e moshave U-19 dhe nuk kanë hapësira momentale për të vazhduar karrierën me ekipet e të rriturve, të kenë mundësi të aktivizohen sa më shumë me ekipet e 21-vjeçarëve. Edhe për klubet që kanë shumë lojtarë që vijnë nga akademitë është një mundësi e mirë për të pasur futbollistë që aktivizohen me ekipet U-21 dhe mund të jenë të gatshëm në çdo moment për të luajtur me ekipet e të rriturve.
Në këtë kampionat morën pjesë 13 skuadra, ndërsa në vendin e dytë u rendit Laçi e në të tretin Vllaznia. (FSHF)
Klasifikimi përfundimtar 2020/21