Shehi: Asgjë nuk ka mbaruar, nuk qahem…

Orges Shehi fiton sërish pikë kur në deklaratën për shtyp para takimit të skuadrës së tij Tirana nesër me Laçin në transfertë, thotë se nuk do të ankohet kurrë pse ai nuk e kompozoi skuadrën nga fillimi.

Humbja në derbi një javë më parë me Partizanin, ka prishur jo pak synimet klubit për kreun. Në fund, skuadra më e titulluar në vend,mund të pajtohet me Europën. Gjithnjë nëse nis të fitojë ndeshjet e mbetura që sipas durrsakut të pankinës bardheblu, janë të shumta.

Shehi:

Beteja me Laçin është shumë e vështirë dhe do jetë e luftuar për të dyja skuadrat, por kurrsesi nuk e shoh si trenin e fundit për Europën sepse ka edhe shumë javë në lojë, por e shoh si një ndeshje të rëndësishme për objektivat. Gjendja e skuadrës është e mirë përveç Visarit (Bekaj), që ka probleme dhe nuk do jetë nesër në lojë.

Pjesa tjetër është stërvitur mirë dhe janë në gjendje për gatishmërinë në ndeshjen e nesërme. Pushime më shumë se Laçi? Nuk e shoh si favor sepse kanë pasur kohë për të rikuperuar skuadrën. Kanë anë psikologjike shumë të lartë dhe e kanë faktor plus sepse ana kualifikimi në Kupë të jep tjetër moral. Gjithsesi ne fokusohemi te vetja dhe do bëjmë mirë detyrat tona.

Humbja në derbi erdhi në një moment shumë të mirë, tre fitore radhazi për herë të parë në këtë sezon. Në katër ndeshjet e fundit kemi marrë 9 pikë, por e kemi trajtuar këtë situa për të mos pasur ngarkesë emocionale dhe të përqendrohemi te ndeshja e ardhshme.

Është gabim të qash atë që iku dhe të mos mendosh për të ardhmen sepse nuk duam të jemi sërish në situatën e mëparshme. Idetë dhe loja e skuadrës do kohën e vet. Në këtë situatë janë të rëndësishme pikët. Kemi marrë pikë edhe në ndeshje kur loja nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ka pasur edhe ndeshje kur jemi shfaqur më mirë, por s’kemi marrë pikët. Nuk jam tipi që të justifikohem e të them se këtë skuadër gjeta.

E kam marrë skuadrën me koshiencë të plotë dhe do bëj maksimumin për të qenë aty ku duhet, pavarësisht situatës kur e mora skuadrën. Nuk do më dëgjoni kurrë të jem qaraman dhe të qaj gjëra të tilla. Të fokusohemi te ndeshja e nesërme. Futbolli të jep mundësinë për të rikuperuar. Unë kurrë nuk do e lë përgjegjësinë te të tjerët”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!