Duro: Mundëm gjithë rivalët, vlerësojmë Apoloninë

Trajneri: “Nuk është koha për të folur për rinovimin tim, pretendojmë titullin”.

Nga Kamza ku po bën gati shtëpiaken me Apoloninë, Shpëtim Duro tekniku bardhezi, ka dhënë një intervistë për ‘News 24’ duke evidentuar formën e shkëlqyer të skuadrës që drejton që nga 11 dhjetori i vitit të shkuar.

Kemi dominuar Kukësin dhe duhej të fitonim pjesën e parë 0-3‘, shprehet tiranasi 61 vjeçar ndërsa i referohet lojës në fitoren 1-2 të mërkurën në ‘Elbasan Arena’ ndaj verilindorëve.

E mendonit në këtë pikë të sezonit një pikë larg kreut?

“Sigurisht tani jemi në stad të barabartë të katër skuadrat, është meritë e skuadrës që mbërriti në këto situata. Jemi në pozita të barabarta me skuadrat e tjera për të tentuar të fitojmë kampionatin.Ka qenë një fitore shumë e rëndësishme ndaj Kukësit, një fitore totalisht e merituar.

Kemi dominuar gjithë ndeshjen, pishman më ka ngelur pjesa e parë që duhej ta fitonim 2 apo 3-0 me rastet që krijuam në pjesën e parë apo fillimin e pjesës së dytë. Ndaj me atë që dha skuadra kemi gabuar te momenti i vetëm që kishte situatë Kukësi, rastin e golit. Në pjesën tjetër skuadra ka qenë jashtëzakonisht mirë në fushën e lojës.

E ka Laçi mundësinë të luftojë deri në fund për titull?

“Laçi tani është një pikë larg vendit të parë, ka dominuar ndaj skuadrave më të forta të kampionatit shqiptar. Kemi bilanc më të mirë me të gjithë skuadrat kryesore dhe në këtë aspekt kemi të drejtë që të pretendojmë për titullin kampion.”

Rinovimi, keni biseduar me presidentin?

Nuk kemi diskutuar sepse jemi të përqendruar te sezoni. Kjo është pjesa më e rëndësishme e sezonit, në kampionat dhe Kupë. Ajo është një problem që nuk ka rëndësi tani. Jemi të përqendruar në këtë sezon e pastaj të shohim e bëjmë.”

Kaluat skuadra të vështira, por me të lehtat keni vuajtur…

“Patjetër. Unë i konsideroj të gjitha ndeshjet njëlloj, pikët janë të barazvlefshme për të gjitha skuadrat. Në këto ndeshje skuadrës i duhet patjetër mobilizimi e përqendrimi më i madh se këto skuadra na kanë hapur punë jo vetëm ne, por edhe Partizanit e të tjerave. Me këto skuadra fitohet në fushë e jo para ndeshjes. Humbjen e vetme këtë sezon e kemi në Fier, dihet ajo humbje që nuk ishte verdikti i fushës por disa faktorë që u mposhtëm. Ndaj do përqendrim ajo ndeshje”.

Suksesi i skuadrës në fushë, po trajneri Duro?

Suksesi është i përbashkët. Po nuk funksionuan hallkat, secili të bëjë punën e tij. Presidenti bën punën e tij, trajneri punën e tij, stafi im punën e tij, futbollistët punën e tyre. Kur të gjithë bëjnë punën e tyre, suksesi është i garantuar”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!