Duka bën bilance: Pandemia ka penalizuar por ka pasur konkurrencë

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka dhënë një intervistë për RTV Ora, ku ka bërë një bilanc të vitit 2020 dhe ka analizuar ngjarjet kryesore të futbollit shqiptar. Kreu i qeverisë së futbollit ka folur për pandeminë dhe impaktin që Covid-19 pati gjatë këtij viti të vështirë, ndrësa ka bërë edhe një bilanc të Kombëtares dhe ekipeve zinxhir kuqezi.

Gjithashtu, Presidenti Duka ka prekur edhe çështjen e bojkotit të klubeve dhe shpreson akoma që qeveria të ndihmojë sportin, duke plotësuar kërkesat e drejta të komunitetit të futbollit, ndërkohë që sa i përket objektivave ai shprehet se Kombëtarja do të tentojë të arrijë në play-off-in e Botërorit 2022 pavarësisht se përballë do të ketë rivalë mjaft të fortë.

“– Ka qenë një vit që ka impaktuar normalisht edhe futbollin. Kriza që solli pandemia ka ndikuar shumë në të gjithë futbollin botëror, padyshim edhe në Shqipëri, ku është një industri ende shumë e brishtë. Sa sfidues ka qenë ky vit për Federatën, për ju?

– 2020-ta ishte realisht vit i vështirë. Vit i vështirë sepse ka ndikuar apo ka cenuar atë që është më e rëndësishmja e bazës së jetës, shëndetin. Kështu që përderisa jemi sulmuar të tërë nga virusi Covid-19, ka destabilizuar jetën, ka destabilizuar mënyrën e aktiviteteve në përgjithësi, ka destabilizuar pa dyshim edhe futbollin. Ka ndikuar direkt edhe indirekt tek ai. Por gjithsesi, unë mendoj se duhet ta shohim përsëri 2020-n, le të themi gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh. Kemi mësuar disa gjëra, kemi mësuar edhe të jetojmë ndryshe apo të bashkëjetojmë me një virus. Kemi mësuar edhe të luftojmë me të. Kemi mësuar që duhet të jemi më shumë bashkë edhe më shumë solidarë dhe të ndihmojmë sa më shumë njëri-tjetrin se në fund të fundit kjo është gjëja më e rëndësishme.

Kështu që duhet të jemi të gëzuar dhe të kënaqur ne që jemi mirë e shëndoshë dhe që sot vazhdojmë të jemi edhe në 2021-shin, por gjithsesi kemi pasur humbje që na kanë lënë shenja dhe histori negative, për të cilat ne duhet të ngushëllojmë të gjithë ata që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur apo ato që u infektuan dhe kanë pasur probleme. Gjithashtu, duhet të falënderojmë ata që na kanë ndihmuar gjatë 2020-s, të cilët ne si Federatë i kemi konsideruar si Kombëtarja jonë e 2020-s, ekipin e mjekëve të të gjithë Shqipërisë dhe të gjithë ata që kanë shërbyer të gjithë shoqërisë tonë.

– E ka penalizuar FSHF-në kjo pandemi? Ka pasur disa aspirata që duhet t’i kishin arritur në 2020-n dhe ka qenë pandemia që i ka penalizuar?

– Padyshim që nuk mund të pretendojmë që kemi marrë maksimumin e zhvillimeve sportive, maksimumin edhe të gjithë fushave të tjera të jetës, siç e thashë edhe më parë. Padyshim që nëse nuk do të ishte pandemia do të kishim një nivel më të mirë gare, do të kishim akoma më shumë mundësi.

Mos të harrojmë që për dy muaj u ndërprenë plotësisht dhe ndërprerja ka edhe një ndikim fizik në gjendjen e futbollistëve. Por edhe pas ndërprerjes, me protokollet dhe rregullat e domosdoshme kanë ndikuar në mosarritjen e një performance maksimale sportive. Gjithashtu, ka ndikuar mungesa e tifozëve në shkallët e stadiumit, një gjë shumë e rëndësishme, një gjë që i jep një tjetër atmosferë ambientit sportiv, i jep një tjetër mënyrë impenjimi. Ka ndikuar gjithashtu edhe nga pikëpamja ekonomike. Ndoshta në futbollin shqiptar pak më pak, por në vende më të zhvilluara ka ndikuar akoma më shumë, pasi impakti i tyre ekonomik, qoftë nga mungesa e të ardhurave nga mungesa e spektatorëve aty është akoma më i madh, këtu disi më i vogël.” ndër të tjera Duka.

– Ndalemi pak te sezoni futbollistik. Kemi hyrë në fazën e dytë në Kategorinë Superiore. Tashmë i shohim skuadrat që janë në krye të tabelës, ato më pretendente për titull deri diku, që shfaqen edhe aspiratat për këtë arritje apo edhe për Europën. Nuk e di si e keni parë këtë fillim sezoni. Është rritur cilësia? Pretendimet duken se janë rritur, sepse ka shumë skuadra që pretendojnë. Por a është rritur apo është ulur cilësia e lojës?

– Viti 2020 ka qenë vit i vështirë, ka ndikuar në performancën e futbollistëve dhe ekipeve. Dhe unë nuk mendoj se ka pasur ndonjë rritje kualitative le të themi gara, sepse në një garë, kur 5 futbollistë i ke jashtë me Covid, që nuk duhet të stërviten një muaj dhe duhet të rikthehen dhe ndërprerje, etj., padyshim që edhe nuk mund të pretendojmë për një rritje cilësie. Por një rritje konkurrence po. Ka pasur konkurrencë. Por faktikisht edhe në edicionin e kaluar, relativisht konkurrenca ka qenë e tillë. Ka pasur konkurrencë dhe të gjithë ekipet janë në garë dhe të gjithë ekipet mund të vazhdojnë të pretendojnë titullin. Të gjithë ekipet e Kategorisë Superiore.

Rezultatet kanë qenë interesante. Ka pasur edhe lojëra të bukura në fakt, ka pasur një rikthim simpatik të Vllaznisë, pas shumë vitesh vuajtje, tashmë në vendin e parë, me lojëra të bukura, me gola të shënuar, me një organizim akoma më të mirë. Ekipet e tjera të cilat nuk mbeten pas nga pikëpamja sportive, Partizani që fitoi ndeshjen e fundit kundër Kukësit, por gjithsesi Kukësi mbetet një ekip solid, i mirë, me kualitet. Tirana, Teuta, Laçi ka një ekip i cili mund të pretendojë. Kështu që gara është e bukur për mua deri tani dhe uroj të vazhdojë e bukur deri ditën e fundit.

– Sfida e radhës do të jenë eliminatoret e Botërorit 2022. Është folur pasi pamë edhe shortin, pasi u zbuluan edhe kundërshtarët, u tha se objektivi kryesisht është vendi i tretë. Megjithatë, po ashtu është folur edhe për një objektiv të fshehur të Dukës, që është synimi për vendin e dytë. Besoni fort që edhe kjo mund të ndodhë. Ka pasur një diskutim mes jush dhe trajnerit Reja për ta bërë të mundur këtë gjë?

– Asnjë skuadër pothuajse në Europë nuk është e lehtë, asnjë ndeshje nuk ftohet në letër, asnjë ndeshje nuk humbet në tavolinë. Kështu që duhet t’i përgatisësh mirë. Padyshim që procedura me të cilën hidhet shorti, vazot nga vijnë, niveli i ekipeve, Anglia është një ekip shumë i mirë. Hungaria gjithashtu ka një moment shumë të mirë dhe fatkeqësisht kemi një histori shumë të keqe me hungarezët. Shqipëria nuk ka fituar asnjëherë në të gjithë historinë e saj kundër Hungarisë. Polonia një ekip tjetër shumë i madh me lojtarin më të mirë të vitit në formacion, por edhe me shumë talente të tjera e që kanë bërë mirë. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet t’i provojmë të gjitha shanset tona. Çdo pozicionim nga vendi i parë e deri te treti do të ishte i kënaqshëm, por gjithsesi duhet të tentojmë për të shkuar në play-off.

Ne akoma pretendojmë të shkojmë në play-off qoftë edhe nga Nations League apo nga vendi i dytë i eliminatoreve të Botërorit, por në renditjen e Nations League ne jemi në vendin e 11-të dhe nëse le të themi 9 nga këto skuadra të kësaj renditjeje do të pozicionohen në vendet e para dhe të dyta në eliminatoret e Botërorit atëherë ne mund të sigurojmë një vend në play-off nga Nations League.

Faktikisht, prandaj ajo fitorja e munguar me Lituaninë do të na peshojë, sepse po ta kishim fituar atë ndeshje në Tiranë mbase nuk do të ishim në vendin e 11-të, por mund të ishim në vendin e 10-të dhe shanset tona për play-off do të ishin edhe më të mëdha. Ne kemi një skuadër kompetitive dhe unë kam besim se mund të luajmë si të barabartë ndaj çdo kundërshtari. Ne na ka marrë edhe Andorra barazim në Elbasan në nëntor të 2019-s, por ne mund të fitojmë kundër Anglisë në Tiranë padyshim”, ndër të tjera Duka

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!