Ndreu: Laçi kundërshtari më i fortë i momentit

Trajneri i Kastriotit Ramadan Ndreu i cili ka shkruar histori me Laçin teksa ka fituar në rol drejtimi një Kupë dhe një Superkupë,foli para mediave për sfidën Kastrioti- Laçi në program nesër në 13:45 në Kamëz.

Tekniku tha se kundërshtari është rivali më i vështirë i momentit dhe se skuadra lipset të japë mbi 100% për të dalë me pikë. Në fakt, Ndreu e ‘fitoi’ ndeshjen e fazës së parë në Laç (1-1) falë takticizmit, spostimëve apo zëvëndësimëve teksa në 10-15 minutat e fundit (një futbollist më pak), arriti të imponohet dhe në të 92-tën të barazonte me Plakun. Sot përballë do ketë jo vetëm Laçin por dhe një teknik me profil ndryshe si Shpëtim Duro.

Ndreu:

“Në përgjithësi, të them të vërtetën, nga gjithë 90-minutëshi isha i kënaqur, duke përjashtuar minutat e fundit. E kam deklaruar dhe më parë që jemi akoma një skuadër e brishtë që nuk e kuptojmë se në fraksion sekonde merr golin. Kjo na bën që të jemi të kujdesshëm, sidomos nga ana psikologjike. Duhet të punojmë shumë që lojtarët të jenë të vëmendshëm në çdo sekondë”.

“Pra po ti bësh një analizë të gjitha ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, do të thoja që marrim gola shumë të lehtë, marrim gola me një vendosje sporadike dhe dhurojmë gola. Megjithatë, me shumë punë, mendoj që në javët në vazhdim do të përmirësohemi, pasi vend për përmirësim ka në çdo ndeshje që kalon.Ndoshta e kam thënë dhe herë të tjera që me kalimin e kësaj pjese të kampionatit. Që do të thotë me 30 dhjetor, ndoshta na lind nevoja që të përforcohemi në dy reparte në mesfushë dhe mbrojtje, në dy qendrat, në mënyrë që të kemi garanci për vazhdimësinë”.

“Pasi jemi të ndërgjegjshëm që në këto ngjeshje të kalendarit, lind nevoja që lojtarët që kanë njëfarë eksperience edhe mund të lihen ndonjë ndeshje pushim. Aktualisht ne nuk e kemi këtë luks për të lënë lojtarë pushim, sepse jemi pak.Kuptohet, është ndeshje shumë e vështirë, për mua është kundërshtari më i fortë, i cili do një vlerësim të jashtëzakonshëm, për të marrë maksimumin. Skuadrën në përgjithësi e kemi të plotë, me disa mungesa që nuk ndikojnë te grupi”.

“Ndaj, nëse lojtarët do të jenë të përqendruar, nëse lojtarët do të angazhohen gjatë gjithë 90-minutëshit, nëse lojtarët do të jenë të kujdesshëm në dy fazat, si në atë të sulmit dhe në mbrojtje, them që do ta fitojmë ndeshjen”, u shpreh Ndreu.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!