Flet pasuesi i Abrashit, Çokaj: I lumtur Kuqezi

Për “Talenti Shqiptar” në FSHF.org, këtë radhë, ka folur mesfushori kuqezi Enis Çokaj. Koplikasi 21 vjeçar pjesë e Lokomotiva Zagreb, ka depërtuar deri te fanella kuqezi falë përkushtimit serioz.

Që kur nisi te Shkolla e Mjeshtrisë ‘Loro Boriçi’, te moshat e Lokomotivës, huazmit 6 mujor te Laçi (2018-19), rikthimin në Zagreb, Kombëtaren U21 dhe hapat e parë te Kombëtarja A.

Ai pëlqen Abrashin por në fakt Çokaj për shumë specialstë,figuron kopje e mesfushorit të Frajburgut. Me stilin e lojes…

Enis Çokaj:

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Pasioni për futbollin ka lindur bashkë me mua, dhe sigurisht është zhvilluar me kalimin e kohës derisa vendosa t’i përkushtohem totalisht këtij sporti. Në fakt, vëllai im ishte ai i cili e kuptoi i pari dashurinë që kisha për topin dhe evidentoi aftësitë e mia. Ai ka qenë përkrahja më e madhe që në fillimet e mia në botën e bukur të futbollit.

– Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po te klubi si ndihesh? Na thuaj diçka për ecurinë me klubin.

– Në Kombëtare ka një atmosferë shumë miqësore, jemi një grup i mirë, që na bashkon qëllimi i përbashkët për të dhënë gjithçka për fanellën kuqezi dhe për të ndihmuar Kombëtaren. Me trajnerin kam marrëdhënie të mira, korrekte, dhe përpiqem shumë t’i ndjek udhëzimet që ai më jep.

Edhe te klubi im ndihem shumë mirë, jam përshtatur krejtësisht. Këtë sezon nuk e kemi filluar shumë mirë, por mendoj që kanë ndikuar edhe largimet nga klubi gjatë merkatos së fundit verore. Gjithsesi, ne po punojmë fort dhe kam besim që shumë shpejt do të fillojmë të marrim rezultate pozitive.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja dhe debutimi me ngjyrat kuqezi? Pra, debutimi me ekipi U-21 e më pas në Kombëtaren A.

– Përfaqësimi i ngjyrave kuqezi ishte një ëndërr për mua dhe me ftesën e parë nga Kombëtarja U-21 u ndjeva sigurisht shumë i lumtur dhe një hap më pranë realizimit të ëndrrës. Debutimi ishte ndjenjë e veçantë, pasi fanella e Kombëtares ka një peshë të madhe dhe të mbush me emocione, që s’mund t’i provosh kur luan për një klub.

Ftesa nga Kombëtarja A ishte surprizuese dhe më ka lumturuar tej mase, më ka mbushur me përgjegjësi për të punuar akoma më shumë për të qenë gati të ndihmoj Kombëtaren tonë.

– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?

– Po, zakonisht i shikoj ndeshjet e mia dhe përpiqem nxjerr sa më shumë mësime e të përmirësoj veten në vazhdimësi, duke studiuar gabimet e mia që të mos i përsëris në të ardhmen.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaren dhe me klubin.

– Momenti më i lumtur me klubin e NK Lokomotivës së Zagrebit është kualifikimi për në finalen e Kupës së Kroacisë sezonin e kaluar. Ndërsa me fanellën kuqezi, përveç momenti të ftesës nga Kombëtarja A, momenti më i bukur ka qenë realizimi i golit të pare me ekipin kombëtar U-21 ndaj Kosovës pak javë më parë. Ishte një emocion i madh!

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Sakrifica më e madhe për futbollin është fakti që kam jetuar larg familjes që në moshën 15-vjecare. Duke vazhduar gjimnazin te Shkolla e Mjeshtërisë së Futbollit “Loro Boriçi” mora drejtimin tim përfundimtar në futboll, duke hequr dorë kështu edhe nga mundësia për të vazhduar më vonë studimet e larta për një tjetër drejtim, pasi edhe si nxënës kam pasur rezultate shumë të mira.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Sigurisht, synimet për të ardhmen janë që të arrij të luaj në nivele të larta të futbollit europian. Po punoj shumë që të rritem teknikisht e të jap maksimumin tim në çdo ndeshje.

– Sa ka ndikuar tek ju transferimi në një klub të huaj? Sa ju ka ndihmuar ky hap për t’u përmirësuar si futbollist?

– Transferimi në kampionatin kroat më ka ndihmuar shumë të rritem si futbollist.

Kampionati kroat shquhet për zbulimin e talenteve dhe është një mundësi shumë e mirë për mua për t’u rritur e për të shkuar më lart.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Idhulli te kombëtarja kuqezi ka qenë gjithmonë Lorik Cana, më pëlqente fakti se si ai jepte zemrën gjithmonë në çdo ndeshje dhe aftësitë e tij e çonin lojën në një tjetër nivel. Ndërsa nga grupi aktual vlerësoj veçanërisht Amir Abrashin, do doja të ndiqja hapat e tij te Kombëtarja.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!