Plori: Ndaj Bylisit për tri pikë

Vllaznia do të luajë nesër ndaj Bylisit në “Loro Boriçi” fill pas asaj humbjeje po në shtëpi me Kukësin.

Para gazetarëve ka dalë zëvendës-trajneri Elvis Plori. Ai për të cilin në klub thonë se po bën një punë kolosale me elemntin në dispozicion. Kuptueshëm nën rregullat e kroato-gjermanit Brdariç.

Pas analizës së ndeshjes së kaluar me Kukësin humbur 2-4, ka folur për takimin e radhës ndaj Bylisit nesër.

Plori:

A keni arritur të identifikoni problematikat e shfaqura në humbjen ndaj Kukësit?
Ishte një ndeshje që duhej të analizohej ajo me Kukësin. Gabimet ishin foshnjarake. Duhen harruar dhe këtë gjë kemi bërë gjatë javës për djemtë.

Çfarë janë korrigjuar këto ditë?
Kemi diskutuar më tepër për stabilitetin në fushë dhe jo tranzicionin. Si ne, si tifozët, e kemi në gjak që të luajmë lojë sulmuese, por duhet të jemi me këmbë në tokë dhe më të kujdesshëm në pjesën prapa, duke mos lënë hapësira.

Sa presion ka te Vllaznia pas një humbjeje?
Është diskutuar se Vllaznia është për kampion, por është herët dhe nuk duhet të shikojmë mbledhjen e pikëve. Mos shohim çfarë pozicioni jemi, por të marrim maksimumin në çdo ndeshje në fushë.

Bylis nuk është ai i një viti më parë dhe duket se vjen në kohën e duhur për Vllazninë…
Nuk duhet të mendojmë se skuadra mike nuk e ka nisur mirë kampionatin. Nuk ka shumë ndryshime në skuadër dhe vjet ka bërë mirë. Duhet vlerësim maksimal, pasi tri pikët vlejnë njësoj si me Bylisin dhe me Tiranën.

Pjesë e Bylisit është edhe talenti shkodran Preka, ju vjen keq?
Nuk më vjen keq vetëm për Marcelinon që po rritet atje, por edhe për të tjerët. Nuk do të thotë se ai po luan dhe nuk mund të jetë më pjesë e Vllaznisë. Ka edhe lojtarë të tjerë shkodranë që janë me ekipet e tjera dhe një ditë do jenë pjesë e jona. Kjo gjë ndodh në çdo skuadër të Superligës. Duke marrë parasysh që jemi ekip i ri, nuk mund të kemi shumë hapësira për lojtarët e talentuar.

Besoni te fitorja nesër?
Them se duhet të marrim tri pikë, duke nisur nga angazhimi i lojtarëve dhe mësimet nga ndeshja me Kukësin. Dëshira me mundësinë janë ndryshe, ndja duhet ta tregojmë në fushë.

A ka mungesa për ndeshjen e nesërme?
Kemi të konfirmuar dy mungesa si Da Silva dhe Kruja, lojtarë që kanë qenë në formacion. Edhe lojtarët e tjerë duhet të tregojnë veten dhe të kapin mundësinë që u jepet për të luajtur në formacion.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!