Të dielën dy derbe të ‘nxehta’ në Superiore
Raportet e fundit nga kampi bardhezi theksojnë se vetëm Harmon e Kërçiku nuk janë rekuperuar ende. I plotë edhe Kastrioti i Ndreut.
Java e dytë e Kategorisë Superiore do të ofrojë për simpatizantët e futbollit edhe dy derbe të ‘gjalla’. Edhe pse jo me ‘zhurmën’ e atyre të kryeqytetit, (Tirana- Partizani-Dinamo), Laçi- Kastrioti dhe Apolonia- Bylis spikasin këtë të diel.
Luhet pa tifozë dhe me një protokoll strikt higjeno-sanitar, por në një ditë futbolli, emocionet te të dyja këto takime, pritet të ngjiten në lartësi.
Laçi pas atij barazimi në start në fushën e vështirë të Bylis (1-1) duket se do të jetë thuajse i plotë. Raportet e fundit nga kampi bardhezi theksojnë se vetëm Harmon e Kërçiku nuk janë rekuperuar ende. I plotë edhe Kastrioti i Ndreut i cili befasoi jo pak me atë fitore ndaj Partizanit në Kamzë (2-1).
Ndërkaq te Apolonia me Kolelën në stol, presin kthesën pas asaj humbjeje në Shkodër me Vllazninë (2-0). Imran Fetai është grumbulluar dje me moshat e Maqedonisë së Veriut por të tjerët: Mihana, Sota, Gjata, Smaçi etj, janë të gatshëm.
Edhe Bylis duket i plotë. Nuk dihet nëse Dovedan do të përdorë në ‘Loni Papuçiu’ ndonjërin nga futbollistët e ardhur së fundi nga Afrika.