Teuta, “mbretëresha” numër 27

Të hënën në mbrëmje, Teuta, pasi mundi 2-1 Tiranën në “Elbasan Arena”, fitoi Superkupën e Shqipërisë. Ishte trofeu i parë për skuadrën durrsake, pas tri dështimeve të mëparshëm, po ndaj bardhebluve të Tiranës (1994, 2000, 2005). Kjo ishte Superkupa e 27-të e Shqipërisë, në historinë e saj të re që daton në vitin 1989.

Superkupa është eventi i tretë në futbollin shqiptar, paçka se për nga rëndësia, është më i vogli dhe fare pak i vlerësuar nga FSHF-ja, edhe pse ajo është organizatorja e saj.

Eshtë vendosur, që në prag të fillimit të çdo sezoni, skuadra kampione e sezonit të shkuar, si dhe fituesja e Kupës së Shqipërisë, të përballen midis tyre. Fituesi shpërblehet me Superkupën. Fakti që ekipi fitues shpërblehet thjeshtë me disa medalje, kërkon ridimensionimin konceptual të vlerësimit për ta vënë atë në lartësinë e emrit të saj.

11 janar të vitit 1990, në ish-stadiumin “Qemal Stafa”, u përballën Tirana (atëhere quhej 17 Nëntori), kampionia e sezonit 1988-1989 dhe Dinamo, fituesja e Kupës së Shqipërisë e po atij sezoni. Blutë e kryeqytetit, pas golave të Abazit (4’) dhe Demollari (84’) me penallti, fituan 2-0 dhe merituan trofeun, që u emërtua Superkupa…

Kjo është edhe ditëlindja e Superkupës së Shqipërisë, eventi i treti në futbollin shqiptar. Në këtë hark kohor thuajse 32-vjeçar, ky aktivitet ka pësuar ndryshime. Deri tani janë zhvilluar vetëm 27 edicione, pasi në pesë raste, Superkupa nuk është zhvilluar për arsye objektive, por edhe të pajustifikuara.

Në vitin 1993 nuk është zhvilluar ndeshja e Superkupës, pasi Partizani kishte fituar edhe titullin kampion, por edhe Kupën e Shqipërisë. Në vitin 1995, Superkupa nuk u zhvilluar midis Tiranës kampione dhe Teutës fituese e Kupës (?!)

Edhe vitin pasardhës, më 1996 nuk u zhvilluar Superkupa. Tirana kishte fituar edhe titullin kampion, edhe Kupën e Shqipërisë. Në vitin 1997, për shkak të trazirave nuk u zhvillua Superkupa midis Tiranës kampione dhe Partizanit, fitues i Kupës. Edhe vitin 1999 nuk u zhvillua Superkupa, pasi Tirana kishte fituar edhe titullin e kampiones, por edhe Kupën e Shqipërisë.

Pas vitit 2001, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që Superkupa e Shqipërisë të zhvillohet në prag të fillimit të çdo sezoni të ri futbollistik në Shqipëri. Kjo traditë, ruhet edhe sot, kur në “Librin e artë” gjatë 27-të edicioneve të Superkupës së Shqipërisë, kanë shkruar emrat e tyre si fitues, 11 skuadra elitare të futbollit shqiptar.

Ja dhe skuadrat fituese të këtij trofeu ndër vite: Tirana, 11 herë, Skënderbeu 3 herë, Dinamo, Flamurtari, Vllaznia dhe Partizani nga 2 herë; Besa, Elbasani, Kukësi, Laçi dhe Teuta, e kanë fitua nga 1 herë Superkupën e Shqipërisë.


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!