Achtung! Jemi në “shekullin” e Bayern-it…

Nga Bashkim TUFA

 Achtung, Achtung! Panzerat “Bayern” të Mynihut, po shëtisin rrugëve të Europës…

Në mbrëmjen e së dielës së 23 gushtit, Bayern Mynih u kurorëzuan “mbret” i Europës për herë të gjashtë. Pas 7 vitesh, Champions League rikthehet në Bavari… E planifikuar të zhvillohej në “Stadiumin Ataturk” të Stambollit më 30 maj, finalja u vu në skenë 85 ditë më vonë, në “Estadio da Luz” të Lisbonës, por praktikisht të shkretë.

Goli me kokë i parizienit Kingslej Koman (59’) , “fundosi” Parisin. Anësori 24-vjeçar, i shpërfillur pikërisht nga PSG, i ka shpëtuar “tutelës” së dikurshme të Robenit dhe Riberisë. Ai tani është lider, me golin e 500-të në historinë e bavareze të Championsit, i dha fitoren Bayernit, që ka rilindur me trajnerin Hansi Flick, pas shkarkimit në nëntor të Niko Kovaç.

E diela ishte një natë zhgënjimi për dy superyjet 400-milionësh të Paris SG-së, Nejmar dhe Kilian Mbape. Ata nuk arritën të prodhonin më të mirën e tyre dhe u përplasën me një “mur”, portierin e Bayernit, njeriun e ndeshjes, Manuel Nojer. Ai ishte i pakalueshëm kësaj here për ta. Mesa duket, Ter Stegen do të duhet të vazhdojë të presë ende që të jetë titullar i Gjermanisë…

Mbrëmja e së dielës, do të jetë e pashlyeshme në kujtesën e tifozëve bavarezë. Makina e futbollit, Bayern Mynih i Flik, arriti të rimarrë fronin e futbollit europian, me një stil fyes që do ta bëjë këtë skuadër të mbahet mend, si një nga më të shkëlqyerat në histori.

Nata e Lisbonës, kurorëzoi “Bayern VI” të Europës (pas 1974, 1975, 1976, 2001 dhe 2013). Vetëm Real Madrid (13) dhe AC Milan (7) kanë fituar më shumë se bavarezët.

Bilbili i trefishtë i italianit Daniele Orsato, që e menaxhoi me profesionalizëm finalen, zyrtarizoi një sezon triumfal me hat-trick trofesh (Champions League, Bundesliga dhe Kupa e Gjermanisë) të bavarezëve të Bayernit.

Te Paris SG tani ka akoma një hapësirë ​​boshe për Champions League. Festimet e çerekfinaleve dhe gjysëmfinaleve të PSG-së ishin të ekzagjeruara, çka se ata ende nuk kishin fituar asgjë… Lotët e Nejmarit në fund nuk kthejnë atë që u humb. Për të realizuar ëndrrën për të qenë kampion i Europës, francezët tani do të duhet të presin. Sa?

Vështirë ta thuash, ju besoj se shikoni se sa e vështirë është të fitosh ndaj klubeve historike. Aktualisht, nuk ka vend për Paris SG në klubin “VIP” të kampionëve. Dhe ky privilegj nuk blihet me para, por fitohet me historinë, përvojën, që qëndron mbi shpinën e Bayernit, është AND-ja e futbollit…

Achtung, Achtung! Panzerat “Bayern” të Mynihut, po shëtisin rrugëve të Europës…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!