Triumfon Bajern Mynih, PSG pa eksperiencë…

Finale në Lisbonë, Liga e Kampionëve 2019-20: PSG-Bajern Mynih 0-1 (Koman 60′)

Është Bajerni i Mynihut kampioni më i ri i Europës. Skuadra nga bavaria fiton ndaj parizienëve të Tomas Tuhel 0-1 dhe personalizon trofeun e gjashtë të Champions League. Aq sa Liverpul i Jurgen Klop…

Në fakt, sfida ka nisur e qetë ndërsa për afro 15 minuta duket sikur skuadrat janë në orë studimore. Më pas janë futbollistët e Parisit të cilët i afrohen golit me Nejmar.

Një top i Mbape me një prekje për brazilianin u duk se e afroi numrin 10 me golin e parë por në portën e Bajernit gjendet gjigandi Nojer që eviton rrezikun. Sërish PSG insistues dhe sërish është portieri që eviton situatën gol te porta e tij.

Radha e Di Marias për tu ngjitur në skenë me një tjetër mundësi ideale për gol. Argjentinasi shpërdoron duke e kaluar sferën mbi tra…

Në këtë fraksion Levandovski për gjermanët, pas një rrotullimi brenda zone godet shpejt por topi ndalet nga shtylla e djathtë e Navas të mundur.

E dyta nis me supermacinë e Bajernit të teknikut Hansi Flik që sikurse në pjesën e parë, ruan kontrollin e topit teksa kësaj radhe merr edhe statusin e skuadrës që rrezikon më shumë në portë.

Dyshja e linjës së majtë Dejvis-Koman disa herë shfaqet e rrezikëshme deri sa në të 60′-tën, Koman arrin të shënojë golin e avantazhit. Veçse këtë radhë aksioni vjen nga kahu tjetër dhe mesfushori francez i Bajernit bën rolin e sulmuesit të dytë duke shënuar pas topit të Kimish.

Përpiqet Parisi të rikthejë balancën por me Mbape në rënje dhe Nejmar që nis të nervozohet e të humbë disa topa në sektorin e tij, asgjë nuk ndryshon.

Italiani Orsato që gjykoi finalen në ‘da Luz’ pas 5 minutave shtesë, sinjalizon fundin me festën e çmendur të Bajernit që bën tripletën dhe lotët e Nejmar me shokë të PSG-së pa prekur ende trofeun. Sipari i kompeticionëve të europës për sezonin 2019-20 u mbyll…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!