Duka: Të bëjmë ndryshime statuore në KOKSH

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mori pjesë në mbledhjen e zhvilluar sot mes drejtuesve të të gjitha federatave, ku u diskutua lidhur me zbatimin e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme të KOKSH-it. Kjo rezolutë ishte miratuar me shumicë votash në mbledhjen e Asamblesë së datës 9 shkurt 2020, ku u diskutua për kapërcimin e ngërçit ligjor dhe institucional në të cilën ndodhej Komiteti Olimpik Shqiptar.

Pas mbledhjes Presidenti Duka dha një prononcim për median, ku shpjegoi konkluzionet e dakordësuara nga drejtuesit e federatave dhe hapat që do të merren në vijim lidhur me këtë problematikë. Kreu i FSHF-së bëri me dije se do t’i dërgohet një kërkesë Presidentit të KOKSH-it, që të thërrasë Asamblenë brenda 30 gushtit me qëllim miratimin e komisionit që do të merret me ndryshimet statutore të Komitetit Olimpik.

Ne sot kemi pasur një takim me federatat anëtare të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe iniciativa nuk ka qenë vetëm e Federatës Shqiptare të Futbollit, por edhe e Federatës së Boksit, Federatës së Mundjes madje edhe e të tjerave. Takimi konsiston në respektimin e asaj rezolute që ne kemi vendosur në Asamblenë e Komitetit Olimpik në 9 shkurt 2020. Por duke pasur parasysh zhvillimin e ngjarjeve, pandemia, kanë ndryshuar kalendarët, kanë ndryshuar shumë gjëra, por Komiteti Olimpik nuk ka ndryshuar. Nuk kemi asnjë informacion, nuk kemi asnjë kalendar se kur do të realizohen detyrat që la Asambleja, rezoluta.

Dhe për t’u preçizuar këto, u mblodhëm dhe diskutuam dhe i bëmë një kërkesë Presidentit aktual të Komitetit Olimpik që të thërrasë Asamblenë brenda 30 gushtit dhe me rend dite miratimin e komisionit që do të merret me ndryshimet statutore të Komitetit Olimpik Shqiptar dhe gjithashtu miratimin e kalendarit të aktiviteteve për të realizuar të gjithë pikat që parashikon rezoluta brenda afateve 30 dhjetor 2020. Uroj që presidenti ta respektojë kërkesën tonë dhe nëse presidenti nuk do ta respektojë, atëherë do të kërkojmë mbledhjen e Asamblesë së Komitetit Olimpik, sipas statutit me kërkesë të 2/3 të anëtarëve.

Gjithsesi, ne do të japim gjithë kontributin tonë që kjo organizatë të funksionojë normalisht dhe të jetë në shërbim të sportit. Aktualisht, për ne organizata nuk funksionon, nuk shohim pothuajse asnjë mbështetje, asnjë lobim, asnjë benefit, jo vetëm Federata e Futbollit, që është më pak e interesuar për mbështetje financiare, por ështe e interesuar për lobim në të mirë të sportit, për ndryshimet ligjore, që mund të bëjmë të gjithë së bashku. Edhe federatat e tjera nuk shohin asgjë, ne kishim sot edhe federata olimpike, që janë përfaqësuar në Lojërat Olimpike, madje me shpenzimet e sportistëve”.

Më tej, Presidenti i FSHF-së theksoi nevojën që Komiteti Olimpik t’u rikthehet federatave që bëjnë sport real për të mirën e sportistëve dhe mos të jetë një organizatë në shërbim të disa individëve.

Komiteti Olimpik nuk është marrë peng sot, ka qenë peng me kohë dhe ne pikërisht këtë duam të realizojmë, që Komiteti Olimpik t’i rikthehet federatave anëtare, federatave olimpike, federatave që bëjnë sport real për të mirën e sportistëve dhe mos të jetë një organizatë në shërbim të disa individëve. Organi më i lartë i një organizatë është Asambleja dhe nuk ka shansin askush të mos respektojë vendimet e Asamblesë.

Nuk ka asnjë dyshim që brenda 30 dhjetorit, zgjedhjet duhet të bëhen, ndryshimet statutore duhet të bëhen dhe të rikthehet normaliteti në organizatë. Kjo nuk është asnjë çështje e interesave të kurrkujt. Unë personalisht e kam deklaruar në takimin e sotëm dhe e deklaroj se nuk kam ambicie për të kandiduar në asnjë nga organet drejtuese të KOKSH, as në Komitet Ekzektutiv, në asnjë lloj Komisioni të tij, por jam i interesuar si përfaqësues i FSHF-së, që ajo organizatë në të cilën ne aderojmë të funksionojë dhe ne të japim kontributin tonë maksimal për funksionimin normal të saj”, – ndër të tjera Duka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!