Egbo: “Do luajmë për fitore, nuk përgjigjem për Etikën”…

Do të jetë një ndeshje e veçantë kjo e radhës mes Partizanit dhe Tiranës. Një derbi i ‘akullt’ në ‘Air Albania Stadium’, teksa veç tifozëve duket se mungon edhe komunikimi intensiv mediatik. Për të mos shtuar kaotizmin te Tirana dhe mungesën e qetësisë prej COVID-19 te të kuqtë. Gjithsesi, trajneri Egbo ka deklaruar sot se Tirana do kërkojë të kthehet te fitorja.

Luhet derbi, a do futeni në fushë për fitore?
E kemi përgatitur si ndeshjen e radhës. E dimë mirë që është derbi i fundit i këtij sezoni. Mendoj që e kemi përgatitur siç duhet dhe mbetet vetëm për t’u futur në fushë e për të dhënë maksimumin tonë. Shpresojmë ta marrim atë rezultat që na duhet e na takon.

Çfarë duhet të bëjë ndryshe Tirana për të shmangur humbjen e tretë?
Ne do të futemi në fushë të fokusuar për të marrë rezultatin e duhur. T’i bëjmë hyzmetin dhe Zoti do na shpërblejë punën tonë.

Më mirë derbi apo titulli?
Unë nuk jam tifoz. Jam fokusuar tek objektivi që ka kërkuar klubi në fillim të sezonit dhe me atë do vazhdojmë.

Si është situata në klub, pas mbledhjes së Komisionit të Etikës. A duhej të ishte klubi i Tiranës prezent sot?
Për atë punë klubi ka personat e duhur në dispozicion për të dhënë atë përgjigje. Ka president, ka drejtor dhe menaxher. Janë ata që duhet të përgjigjen. Ne jemi brenda fushës dhe aty duhet të bëjmë punën tonë.

A ka ndikuar tek skuadra kjo situatë?
Jo nuk e besoj. Ajo ndeshje ka mbaruar. Klubi dhe Federata e vazhdojnë këtë gjë. Ne merremi vetëm me fushën.

Cfarë ndodhi me Kukësin?
Është ndeshje që ka përfunduar dhe nuk dua ta kujtoj. E kemi analizuar brenda skuadrës dhe e dimë çfarë ka ndodhur. Duhet ta rikuperojmë ndeshjen e nesërme.

Dy lojtarë pozitivë tek Partizani, i trembëni një infektimi?
Nuk është hera e parë. Nëse dy lojtarë janë infektuar të izolohen. Nuk kemi përse të kemi frikë, por vetëm kujdes. Nuk është hera e parë që ne ndodhemi në këtë situatë.

Derbi i fundit është fituar 5-1, është ndryshe nesër?
Është derbi i fundit dhe për ne është ndeshja e radhës. Nuk na intereson asgjë tjetër veçse të marrim rezultatin që na shërben.

Barazimi do të ishte i kënaqshëm?
Brenda ndeshjes ka tre rezultate, por ne duhet të marrim atë që është më i rëndësishmi për ne.

Do ishit më të qetë po ta kishit siguruar më përpara matematikisht?
Unë e kam thënë që ndeshjet duhet të merren një nga një dhe në fund të bëjmë llogaritë. Kështu që në fund do bëjmë llogaritë tona.

Pa dalë tek llogaritë, me Flamurtarin dhe Bylisin në fund. Është një ndeshje që mund ta sigurojë titullin?
Nuk mund të them asgjë. E rëndësishme të japim maksimumin dhe nëse e japim atë do marim rezultatin e duhur. Duke i bërë hyzmetin si duhet ndeshjes, rezultati do të vijë.

Në paralelizimin me Rostov, do donit Partizanit e plotë apo një Partizan të cunguar?
Ajo nuk është puna ime. Ka një rregullore e cila parashikon që ndeshja vazhdon. Nëse ka të infektuar, ata duhet të izolohen dhe kampionati fillon. Si Partizani dhe Tirana ka lojtarë të U19 pjesë të organikës. Ata që janë të gatshëm për t’u futur në fushë, janë futbollistë të Tiranës dhe Partizanit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!