Partizani, shansi i fundit për…europën
Të kuqtë presin skuadrën më në formë të momentit në ‘Air Albania’
Në kohë tjetër, kampionati do kishte përfunduar. Këtë herë Koronavirusi, infeksioni global, përziu kartat jo vetëm te qenjet njerëzore por dhe te axhenda sportive.
Edhe pse kështu, i 81-ti edicion i futbollit, pavarësisht protokollit pa tifozë, po shkon drejt fundit. Nesër dy takime të javës së 31 e cila plotësohet të dielën me tri takime të tjera.
Në ‘Air Albania Stadium’ duke nisur nga ora 17:00 Partizani pret Laçin ndërsa në Vlorë po në 17:00, Flamurtari dhe Luftëtari në një sfidë statistikore.
Të kuqtë e teknikut italian Adolfo Sormani, me gjasë, do të kenë shansin e fundit për të tentuar të kapin europën nga kampionati. Ecuria dritë-hije për një kohë të gjatë, duket se po lihet pas nga kampionët në fuqi, pasi në dy ndeshjet e fundit me Luftëtarin dhe Flamurtarin, kanë fituar.
Gjithësesi, për të konfirmuar kthesën lipset një ndeshje e madhe shoqëruar me fitore ndaj bardhezinjëve nga Kurbini. Këta të fundit, mundën Kukësin për javën e 30-të duke dëshmuar se gëzojnë formë të mirë sportive.
Te Partizani rikthehet rumuni Deian Boldor por do të mungojë qëndërmbrojtësi Egzon Belica dhe mesfushori Esat Mala. Laçi për këtë takim i ka të gjithë në dispozicion. madje edhe sulmuesin kryesor Kirian Nuabueze teksa vjen pas një ndërhyrje kirurgjikale në gju.
