Kastrioti dhe Apolonia, “kokat” e grupeve…
Sot u zhvilluan ndeshjet e javës së 18-të në Grupin A dhe ato të javës së 20-të në Grupin B, të vlefshme për fazën e “play-off”-it.
Kastrioti vazhdon të udhëheqë i sigurtë në Grupin A me 43 pikët e grumbulluara. Krutanët fituan 1-0 ndaj Besëlidhjes, duke e kthyer në formalitet ngjitjen e tyre në Superiore sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, Korabi në transfertë fitoi 1-0 ndaj Erzenit, duke u renditur të tretët me 28 pikë, 3 më shumë se sa shijakasit që renditen të katërtit dhe po aq më pak, se Besëlidhja që ka 31 pikë.
Në Grupin B, skuadra e Apolonisë, befason me strintin e saj në këtë finish të garës. Pasi ka mposhtur një javë më parë Lushnjën në stadiumin “Loni Papuçiu”, fierakët ka arritur të fitojnë 1-0 edhe në transfertën e vështirë ndaj Pogradecit. Me 4 pikë më tepër se liqenorët që i ndjekin nga afër, Apolonia e trajnerit Artan Mergjyshi, po konturon ngadalë portretin e saj si pjesëmarrës i Superligës sezonin e ardhshëm. Lushnjarët nuk patën probleme me Besën. Ata fituan 2-0, duke vazhduar së shpresuari për ngjitje më lart në renditje.
Mjaft e ndezur është gara për “play-out” në Grupin A, midis skuadrës së Dinamos dhe asaj pukjane të Tërbunit, që kërkojnë të mbijetojnë në Kategorinë e Parë. Blutë e kryqytetit arritën të fitojnë 3-0 në Shkodër ndaj Veleçikut, por vazhdojnë të jenë të fundit, pasi edhe Tërbuni fitoi 2-1 ndaj matjanëve të Burrelit.
Ja dhe rezultatet e ndeshjeve për “play-off”:
Grupi A
Kastrioti Besëlidhja 1-0 (Çela 48’)
Erzeni-Korabi 0-1 (Topalli 59’)
Grupi B
Pogradeci-Apolonia 0-1 (Ymeraj 46’)
Lushnja-Besa 2-0 (Sulkja 35’, Pepa 45’)
Ja dhe rezultatet e ndeshjeve për “play-out”
Tërbuni-Burreli 2-1 (Fejzaj 20’, Hyseni 42’/ Zhivanaj 87’(a)
Veleçiku-Dinamo 0-3 (Hysa 80’, 90’, Çeliku 85’)