Superiorja në speciale: Ja ku u stërvitën skuadrat…

Skuadrat e Kategorisë Superiore nisën sot zyrtarisht përgatitoret në grupe. Bazë e punës së tyre në start të seancave ishin kontrollet mjekësore të të gjithë pjesëtarëve të skuadrave. Gjithandej, të sulur për zbatimin me përpikmëri të protokollit paraprak. Pati klube që janë stacionuar larg qyteteve të tyre. ‘Sporti iM‘, sjell situatat e ditës së parë në 10 klubet e elitës.

Tirana:

Pasi iu përgjigj direktivave për të dezinfektuar dy impiantet e saj, ‘Selman Stërmasin’ dhe ‘Skënder Halilin’, Tirana e trajnerit Emanuel Egbo, sot u ndal te seanca përgatitore. Pasdite, i gjithë grupi i futbollistëve u pa në kompleksin ‘Skënder Halili’, teksa kryesuesit e Kategorisë Superiore nisën zyrtarisht programin. E veçanta në këtë seancë, asnjë mungesë. Serioziteti u konstatua në zbatimin e protokollit dhe gjatë ushtrimëve të karakterit shkrythës.

Kukësi:

Kukësi me Shehin në timon, u vendos në Elbasan, ku do kryejë këtë minifazë përgatitore. Në rrugën e vështirë për të arritur te titulli, verilindorët deomos që duhet të rekuperojnë distancën e madhe me Tiranën. Natyrisht duke mbajtur një ‘sy’ nga prapa…

Ekipi është rikthyer sot në fushë, pas një ndërprerjeje të gjatë për shkak të Covid-19. Duke respektuar distancën e sigurisë dhe protokollin, futbollistët kanë rinisur përgatitjet. Skuadra është zhvendosur në Elbasan, ku do të zhvillojë edhe një fazë përgatitore para rikthimit të kampionatit, i planifikuar për të rinisur në datën 3 qershor, “- shkruan Kukësi në zyrtare.

Laçi:

Kurbinasit e Cungut mërguan në Pezë. Në këtë seancë stafi teknik i pati të gjithë futbollistët. Përjashtim bënte vetëm amerikani Dembaki, i cili pak orë përpara se të niste karantina, fluturoi për në Amerikë. Fillimisht mjekët iu maten temperaturat të gjithë futbollistëve. Gjithçka shkoi ‘ok’ dhe skuadra nisi të vrapojë. Ndoqi seancën edhe presidenti Laska.

Skënderbeu:

Korçarët u spostuan në ‘Tropika Resort’ të Durrësit. Ilir Daja, teksa ditë më parë deklaronte se skuadra e tij ka respektuar me rigoriozitet karantinën (duke nënkuptuar se skuadrat e tjera e kanë shkelur, shënim i redaktorit), ndoqi gjithë rregullat strategjikë të protokollit mjekësor. Me grupin për t’u konfiguruar i plotë nesër, Daja iu dha aq ‘ushtrime’ të tijve sa mbajnë ‘gjunjët’.

Partizani:

Të kuqtë e Partizanit zbriten sot në terren, për të nisur zyrtarisht seancat përgatitore. Paradite, nën drejtimin e Sormanit, skuadra pasi iu nënshtrua zbatimit të kushteve protokollare, vendosur nga Instituti i Shëndetit Publik, nisi seancën në ‘Football Olimpic’. Kampionët në fuqi, u sterviten edhe pasdite.

Teuta:

Me Kulibali të larguar Edi Martini sot ka parë t’i mungojnë edhe Florent Avdyli nga Kosova dhe Kenan Hreljiç nga Bosnja. Durrsakët, sipas informacioneve nga klubi i tyre, konsiderohen një hap para skuadrave të tjera, pasi shumë nga futbollistët janë stervitur në grupe.

Bylis:

Bylis zbret në fushë duke zbatuar kërkesën kryesore të protokollit, kontrollin shëndetësor të futbollistëve dhe stafit. Asistoi në këtë premierë të seancave përgatitore vetë presidenti Kapllanaj. Më pas trajneri Dovedan i ingranoi futbollistët në disa ushtrime të karakterit aerobik. Gjatë seancës u vu re edhe ruajtja e distancës me futbollistëve dhe atyre që drejtonin.

Vllaznia:

Shkodranët nisën sot stervitjen në grup në kërkim të konsolidimit dhe rimarrjes së kuotave tekniko-taktike. Kuqeblute u paraqiten në 16:00, në fushen sportive në Golem të qytetit të Shkodrës. Natyrisht në mungesë të trajneri Jonuz dhe të disa futbollistëve që u karantinuan jashtë vendit, seanca e sotme u drejtua nga Osja.

Luftëtari:

Neritan Novi doli me të tijtë sot në fushë, duke i dhënë udhë seancës së ditës. Gjithësesi, gjirokastritët kanë vuajtur mungesën e katër futbollistëve në këtë seancë përgatitore.Enes Isufi, Oltion Qyrani, Donald Açka, Andon Karabina, nuk u panë pranë skuadrës. E veçanta te Luftëtari, futbollistët e pranishëm iu janë nënshtruar tamponëve.

Flamurtari:

Me një grup të cunguar, edhe futbollistët vlonjatë dolën në Pyllin e Sodës për të kryer ritin e startit përgatitor. Më herët, Flamurtari ka kryer disa vrapime buzë detit, ndërkohë që ditët në vijim pritet të angazhohen edhe lojtarët e karantinuar larg Vlorës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!