Fetel & Ferrari, “divorci” në fund të vitit…

● Palët janë shumë larg për rinovimin e kontratës. Seb nuk e përjashton si opsion largimin. Sainz apo Riçardo në vend të tij?
Sebastian Fetel dhe Ferrari do të ndahen në fund të vitit 2020. Zërat vine nga Gjermania. Faqet on-line të gazetës “Bild” dhe revistës së specializuar “Auto und Motor Sport”, e lajmërojnë një mundësi të tillë.
Ato pretendojnë se gjithçka do të bëhet zyrtare sot. Burimet nga Maranello, të pyetur gjatë natës, nuk e kanë mohuar problemin. Dhe kjo pavarësisht se sezoni i vitit 2020, për shkak të koronavirusit, ende nuk ka filluar.
“Divorci” mes Ferrarit dhe kampionit katër herë të botës, me gjasa do të ndodhë para kontratës së re. “Unë jam më i moshuar, por nuk ndjehem i moshuar,”- ka thënë Fetel, 32 vjeç, në një intervistë për shtypin italian disa javë më parë, duke sugjeruar se do të kërkonte nga Ferrari një marrëveshje të re të paktën 2-vjeçare.
Kush do ta zerë vendin e Fetel te Ferrari? Duke pasur parasysh, që Maranello është një skuderi e lakmuar nga kushdo, emrat e spanjollit Karlos Sainz dhe Daniel Riçardos mbeten në “pole”, shprehen analistët e Formula 1.
Fetel ka ardhur në Maranello në 2015, si trashëgimtar i një kampioni tjetër botëror, Fernando Alonsos. Në pesë sezone me Ferrarin ai ka garuar 111 GP deri tani, ku ka fituar në 14 prej tyre, me 12 “pole”.
Me “kokëkuqen” piloti gjerman ka përfunduar dy herë në vendin e dytë në botërorët e Formulës 1, në kupën e Botës më 2017 dhe më 2018, pas britanikut Ljuis Hamilton.