Asgjë e re nga fronti i Asamblesë…

Ndryshe nga sa pritej, punimet e Asamblesë së Zakonshme të FSHF-së, nuk sollën ndonjë gjë të jashtëzakonshme që duhet evidentuar, edhe pse punimet e saj u zhvilluan në kushte të tilla. Ajo thuajse ishte një kopje e asambleve të mëparshme.

Pjesëmarrësit dhe diskutantët në të, iu përmbajtën rendit të ditës. Kështu, siç ishte parashikuar iu heq statusi i anëtarit klubit të Kamzës, atij të Domosdovës dhe Shoqatës së Minifutbollit dhe pranohet si anëtar klubi i Devollit.

Asambleja miratoi buxhetin financiar të FSHF-së për vitin 2020, zgjati mandatin e Komisionit të Etikës, si dhe krijoi dy organe ndihmëse për Dhomën e Zgjidhjeve të Konflikteve: Komisionin e Statusit dhe atë të Arbitrazhit.

Po kështu, Asambleja ra dakort, që të mos diskutohen ndryshimet e statutit të FSHF-së, gjë u la për vitin tjetër, si dhe nuk u diskutua fare nga delegatët për “fatet” e mbetura në mes të rrugës për shkak të koronavirusit për sezonin 2019-2020.

Punimet e Asamblesë së Zakonshme sipas protokollit, i hapi presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili pasi përshëndeti delegatët, bëri një paradë të punën 1-vjeçare të institucionit të futbollit shqiptar që drejton. Në fjalën e tij, por me nota ironie, falenderoi edhe qeverinë që e harroi futbollin në këtë kohë pandemie të Covid-19.

Në përfundim të kësaj asambleje, presidenti Duka në interes të gazetarëve, u shpreh: “Nuk kemi pasur asnjë depozitim për të diskutuar një çështje jashtë rendit të ditës.

Dua t’u njoftoj që në ditët në vazhdim do të organizojmë takim me anëtarët e Superiores, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë. Do të diskutojmë me to për rikthimin e garës dhe aktiviteteve,”– deklaroi presidenti Duka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

error: Nuk lejohet kopjimi i materialit!